Fredi, Rapsodi i Shëngjinit!

Emisioni i katërt në News24, i ciklit “Shqiptarët e Mrekullueshëm”, që u transmetua këtë të dielë i kushtohet  shefit të kuzhinës, që i bën nder çdo vendi që e ka. Shef Alfred Marku, është një tjetër shqiptar  i mrekullueshëm.

Intervistoi Rudina Xhunga

Ka disa vende që të bëjnë të ndihesh mirë, po kaq mirë sa nuk të shkon mendja. Sepse mendon:  E si mund të më bëjë të ndihem kaq mirë një ushqim, një pjatë e tillë, e bukur. Është një vend në Shqipëri, vetëm për mua, i cili më kthen humorin. Ma kthen humorin nëpërmjet aromave, ngjyrave, imagjinatës që më ngacmojnë pjatat që gatuan ai, shef Fredi. Dhe prandaj vij me qejf gjithmonë këtu. Prandaj vendosa që një prej këtyre serive për njerëzit e mrekullueshëm të këtij vendi, ta bëj pikërisht te Rapsodia, sepse është vendi i një shqiptari të mrekullueshëm, që e do punën dhe puna e do atë. Që na e bën të bukur mëngjesin, siç është ky mëngjesi këtu, që erdha pa humor dhe kur pashë gjithë këto lloje reçelesh dhe më tregoi prej çfarë është secila prej tyre, ndjeva gjithë aromën e fshatit, aromën e fshatit që nuk kam pasur në fëmijëri.

Rudina Xhunga: Çështja e aromave është e çuditshme edhe ushqimi. Si ke thënë ti njëherë për ushqimin kur të kam pyetur dhe më erdhi për të qeshur, madje e preva në emision. Çfarë është ushqimi i mirë?

Alfred Marku: Kam pasur dy komplimente të tilla. Ishin një burrë dhe një grua. Zonja më tha: “Fred, kur vijmë këtu ne arrijmë orgazmën në fyt, nga shijet dhe aromat e ushqimeve.” Unë besoj se ushqimi është si puna e muzikës, ti duhet ta ndjesh brenda. Gjithçka mbështillet te sytë, aromat, shijet. Gjithçka rrotullohet brenda, deri sa shpërthen.

Rudina Xhunga: Po mirë si ndodh sepse që ti të mësosh ta shijosh muzikën është tjetër gjë dhe unë kam mësuar nëpërmjet teje, duhet ta pranoj. Unë hyj te njerëzit që të njoh prej kohësh dhe nuk ka kohë të mos vij këtu. Në të gjitha llojet e intervistave edhe në ato në youtube. Është tjetër gjë ta shijosh dhe tjetër ta krijosh, si u bërë ti muzikant i këtij lloj ushqimi?

Alfred Marku: Jam një shef autodidakt, fiks një rapsod popullor.

Rudina Xhunga: Prandaj është Rapsodia, sepse ti je rapsodi.

Alfred Marku: Unë jam rapsod, ose më mirë një shef autodidakt.  Dhe kjo ka histori të bukur. Sepse kështu nisi Rapsodia. Unë isha në Itali, kamerier dhe një kliente gjermane më thotë: “Fredi, të lutem, një pjatë çfarë të duash ti.” Sepse nuk ishte shefi.

Rudina Xhunga: Në  Itali çfarë bëje, gatuaje? Nuk ishe aq autodidakt pra, punoje?

Alfred Marku: Po punoja. Unë  e kam ndjerë zanatin, jo se kam bërë shkollë.  Ia bëra pjatën dhe ajo e quajti, “Rapsodi jeshile” Emri më tingëlloi aq shumë familjar, sa u bëra çuditshëm. Kjo është gjermane dhe më thotë Rapsodi në jeshile, po le ta pyes njëherë thashë, çfarë do të thotë në gjermanisht fjala rapsodi? Realisht kishte të njëjtin kuptim. Janë ata artistë, muzikantë popullore, autodidakte. Asaj i kishte shijuar aq shumë sa e quajti “Rapsodi jeshile”. Sepse e gatuante një djalë që ishte autodidakt. Unë nga ai moment, me këtë emër, rashë në dashuri. Edhe unë e quajta veten, një rapsod të vogël në kuzhinë.

Rudina Xhunga: Dhe ti pastaj vendose t’i shërbesh emrit. Dhe rastësisht u krijua vetë brandi.

Alfred Marku: Po rastësisht. Fillova duke krijuar lidhjen. Sepse po ta thuash është një emër i ngrohtë, tregon një ambient familjar.  Ka historinë e vetë, plus që edhe unë jam një rapsod i vogël në kuzhinë.

Rudina Xhunga: Ti jashtë po ia dilje, çfarë të solli te ky vendi që nuk i ka marrë kaq qejf rapsodët, i ka lënë në muze?

Alfred Marku: Atje në Itali kisha një klient italian, ishte doktor. Ai kë s’më ka sjellë,  gazetarë, guida të restoranteve të ndryshme. Dhe në një moment, duke pirë një natë një gotë verë, ra muhabeti i shqiptarëve. Edhe më tha: “Unë i urrej shqiptarët.” “Pse i urren shqiptarët?”,- i thashë unë. “Janë hajdutë, janë kështu, janë ashtu.” I thashë: “Unë jam shqiptar. ” “S’besoj, ti s’je shqiptar, ti po më gënjen.” “Jam shqiptar!” “Ore më sill dokumentet se nuk të besoj.”,- më tha. Dhe unë shkova e mora pasaportën. Më thotë ai: “Ti këtu po më bën me hile, se nuk je shqiptar.” Por unë i thosha se jam shqiptar. Dhe aty ndjeva se duhej të kthehesha  në vendlindje, të jepja kontributin tim, për një zhvillim, jo vetëm ekonomik, por të ndikoja që të tjerë të rinj si unë të mund të prezantoheshin denjësisht si shqiptarë. Doja dhe dua të nxis të rinjtë të kenë një dëshirë, që të bëhen njerëz punëtorë. Të kenë dëshirën të bëhen profesionistë, dhe ta arrijnë në jetë falë punës, dhe sakrificave . Besoj, çdo shqiptar ka dëshirën e vet të rikthehet dhe të japë kontributin e tij.

Rudina Xhunga: Dikush ia del, dikush s’ia del. Ti ia dole, por e ke ndonjëherë atë dyshimin që në fakt mund të mos ia kesh dalë?

Alfred Marku: Jo dyshimin se nuk ia kam dalë, por ndonjëherë mbase lodhesh dhe më shumë seç duhet për t’ia arritur aty ku ke qejf. Unë realisht isha mirë në Itali dhe pata hyrë në ato kanalet e duhura, të guidave,  të reklamave te mira. Por prapë kthimi në vendlindje për të ndërtuar dika nga fillimi është një kënaqësi akoma  po më e madhe sesa kur isha atje.

Rudina Xhunga: Familjen e ke krijuar këtu?

Alfred Marku: Po këtu. Ne ishim të martuar kur ishim në Itali, pastaj familja u krijua këtu.

Rudina Xhunga: Mira ankohet shpesh i mungon, apo s’ka kohë që të ta ndjejë mungesën se kaq shumë punë ka?

Alfred Marku: Kemi aq shumë punë sa nuk na bie mend. Unë adoleshencën time e kam kaluar në Itali. Më merrte malli shpesh për miq, shokë. Në Itali shkova 15 dhe u ktheva 27 vjeç. Këtu bëhesh më i fortë dhe më i lumtur. Vështirësitë ta bëjnë jetën të tillë. Imagjino në 2006-ën, kur restorantet më të mirë ishin ato që sillnin pjatat sa më plot. Pjata dilte si formë mullari. Imagjino, ti vije me një koncept italian, me një koncept ndryshe, dhe thosha, djathin  e kam marrë këtu, tjetrën te ky fshatari tjetër, shok me kasapin, se ai të sillte produkte të mira. I thosha, jo do të sjell nga pak. Jo, thoshte ai se shqiptari e do pjatën grumbull. Edhe aty fillon e hyn debati pse shqiptari e ka qejf pjatën grumbull. Realisht, nuk është kulturë e jona. Pjata me shumë ka ardhur mbas viteve ’90. Për të pritur një mik duhej mezja. Pra kultura jonë është mezja. Ato, sepse  vlerat kryesore i kishte miku, biseda, gota e rakisë dhe mezja. Unë nuk e harroj shprehjen e gjyshit tim që më thoshte çdo fund dreke apo darke: “Plakë na sjell bukën!”. Atje e merrje vesh që duhet të hanim bukë dhe do të shtrohej sofra. Pra nuk ka qenë kurrë kulturë e jona.

Rudina Xhunga: Në një vend me kulturën e mullarit në tavolinë, si ia bërë ti që fillove me ato pak gjëra? Thoshin: “Uri e madhe, na la pa ngrënë?” (qesh).

Alfred Marku: Unë në fakt këtë e kam treguar si barsoletë, por është e vërtetë. Në 5-vjecarin e parë kam mbijetuar, sepse njerëzit më shanin shumë, sa bëheshin kureshtarë e vinin ta shihnin.

Rudina Xhunga: Mbijetuar the? Ti paske shpëtuar.

Alfred Marku: Në rregull në periferi, por edhe Tirana kur vinte për  Lezhë, nisej me parimin: “Do të shkoj të ha.”

Rudina Xhunga: Ti flet dhe mua më kujtohet Gideon Levi një izraelit që solla këtu me gruan. Te pjata e katërt e pesta ai tha: “Mjaft!” Pastaj vetëm shikonte. Tamam një Rapsodi shijesh,, një gjë e mrekullueshme, por që me kohë erdhi në kulturën e shqiptarëve. Unë çdo njeri që pyes më thotë: “Fredi është më vete, nuk diskutohet.” Por je larg Fredi, je këtu. Mos duhet të ishe në Tiranë që të ishe mbreti?

LEXO DHE :  Këto janë qytetet që kanë më shumë turistë sesa vendas!

Alfred Marku: Këtë pyetje ma kanë bërë shumë. Në 2006-ën ka qenë Mentor Kikia që ma ka bërë. “Fredi mos po bën investimin e gabuar?” Unë i vendosur thashë: ”Jo!”. “Pse? Është më mirë të vish në Tiranë, Fred.”,-më tha. Unë jam kundër që çdo gjë të fokusohet te Tirana. Duhet të shpërndahet. Ne nuk mund të fokusohemi në një vend, që të marrë zhvillimin vetëm një vend. Duhet të shpërndahemi. Ku ka gjë më të bukur, se të mbarosh punën, të vish në Lezhë dhe të hash një darkë e të kthehesh në shtëpi. Sot rrugët janë të ndërtuara. Çdo gjë do rregullohet, do kohën e vet. Unë e mbaj mend që për të shkuar në Tiranë, dikur bëhej plan një muaj përpara. Një ditë për të shkuar, një ditë për të kryer punët, e një ditë për t’u kthyer, dhe një ditë për të pushuar se të lodhte rruga. Tani vjen, shijon ushqimin e kthehesh në shtëpi.

Rudina Xhunga: Ndërkohë, ti mbase vetes tënde i ke minuse për mosardhjen te vendi ku janë të gjithë, por këtë zonë ti e ke zhvilluar. Unë sa herë që vij këtu shoh një restorant të ri, sepse dikush do të të ngjajë ty. E di që i ke sjellë zonës zhvillim?

Alfred Marku: Kjo është e vërtetë. Një nga nismat e mia ka qenë edhe bashkëpunimi me shkollën profesionale në Lezhë.  Marr praktikantë dhe dua t’i rris. Se e quaj detyrë timen, që të ofroj nesër, në të ardhmen, profesionistë të rinj, të mirë, profesionistë që e duan këtë profesion. Por ne kemi një problem të madh. E kam thënë dhe dua ta përsëris, niveli profesion në Shqipëri është shumë i vogël. Secili nga ne e ka detyrë që të investojë me rritjen e njerëzve profesionalë.”

Rudina Xhunga: Këtu Fredi është një pjesë e tokës ku ti merr prodhimet. Se nuk ka lidhje vetëm talenti i përzierjes, puna është edhe ça po merr, ku po e merr. Po si ja bën  se duket gati e pamundur?

Alfred Marku: Mjafton të kesh besim te njerëzit. Dhe fillon të shpërndash dhe detyrat. Nuk e harroj në 2006, kur u ktheva nga Italia,  i thash babait, që do hap kooperativë. Mos biro më tha na more më qafë. (qesh). I thash do hap edhe një sallë lopësh.

Rudina Xhunga: I hyri frika nga komunizmi.

Alfred Marku: Unë erdha me idenë të hap kooperative dhe kam dy të tilla. Një në Zadrimë, për pjesën e bujqësisë dhe Milingonat, për blegtorinë.

Rudina Xhunga: Po pse quhet Milingonat?

Alfred Marku: Sepse në pikëpamjen time, me blegtorinë merren vetëm femrat. Dhe janë milingonat e shtëpisë. Ata merren me të gjitha punët.

Rudina Xhunga: Si e bën që prodhimi të jetë i mirë, që punëtorët nuk po ta hedhin. Si ata që na gënjejnë dhe na bëjnë që të mos i duam prodhimet Made in Albania?

Alfred Marku: Te pjesa e qumështit, kemi vendosur një laborator.

Rudina Xhunga: Për qumështin do flasim por meqë jemi te pemët më trego pak për këto. I merr këtu të gjitha produktet?

Alfred Marku: Po po të gjitha, grurin, rrushin. Plus i ble edhe fshatarëve. Por jo çdo njeriu. Ata janë partnerët e mi, që kontrollohen herë pas here nga specialistët përkatës. Edhe për lopët kam një veteriner.

Rudina Xhunga: Këtu jemi tek bahçja jote. Por që nuk mjafton për të gjitha.

Alfred Marku: Jo nuk mjafton për te gjitha. Edhe pse është goxha e madhe. Këtu kemi veshtën e ullinjve, vreshtat me rrush. Sepse jam munduar t’i kem të gjitha gjërat e mia. Që të jem i sigurt. Që të kenë një shije të mirë.

Rudina Xhunga: Një gjë nuk kuptoj unë! Pse nuk ke bërë një agroturizëm këtu?

Alfred Marku: Të gjithë ma kanë thënë. Po unë shumë shpejt do të bëj edhe një fermë me dhi.

Rudina Xhunga: Që vetëm të prodhosh?

Alfred Marku: Po si fillim vetëm për të prodhuar. Pastaj të vijë gradualisht. Sepse unë e kam një agroturizëm. Që është Rapsodia. Po ku ka më bukur se një agroturizëm që të çon te shtëpia?

Rudina Xhunga: Kush kujdeset për të gjithë këtë?

Alfred Marku: Babai bashkë me dy punëtorë.

Rudina Xhunga: Edhe verën e keni tuajën?

Alfred Marku: Një pjesë të rrushit e përdorim për uthullën por edhe për rakinë. Ndërsa me rrushin me erë bëjmë vetëm reçelin. Për aromën që ka.

Rudina Xhunga: E di çfarë më bën përshtypje, si t’i nxisësh të tjerët të punojnë!

Alfred Marku: Kam pasur një diskutim që sapo fillonte shkollën e lartë. Dhe kishte vendosur të ikte jashtë. Po pse do ikësh i thash. Po mu përgjigj se do të bënte disa lekë dhe pastaj të hapte një biznes të vetin këtu. E pyeta se çfarë mendon se kush është diferenca sot mes një pronari dhe një profesionisti? Se di tha. Ja po ta them unë i thash. Ti si profesionist ke mundësi te bëhesh ortak me pronarin që ka lekët, pra 50 me 50. Por duhet të jesh i afte në punën tënde. Ti mund të bësh pafund lekë jashtë vendit por nëse nuk je profesionist ti nuk mund të bësh asgjë.

Rudina Xhunga: Po nuk investove në anën profesionale dhe po nuk investove në optimizëm ti nuk ia del kurrë dot të bëhesh. Unë prandaj e zgjodha Fredin. Të më mësojë e të më tregojë që t’ju ngacmoj ju që më dëgjoni se disa gjëra bëhen.

 

Rudina Xhunga: Unë blej djathë dhie gjithë kohës, më krijon idenë që nuk më shëndosh. Por ka kaq shumë djathë dhie në shtëpi, apo gënjejnë njerëzit?

Alfred Marku: Po, po ka. Është rritur interesi tani te bujqësia dhe ka shumë njerëz që kanë krijuar ferma. Ferma më e mirë në Shqipëri është në Balldren, ferma e lopëve.

Rudina Xhunga: Pse është më e mira është më e besueshme?

Alfred Marku: Është më e mira sepse ka standarde. Po hapen  edhe ferma dhish. Kjo zona e Zadrimës ka dhi pa fund, sepse është zonë kodrinore.

Rudina Xhunga: Kush ta sjell qumështin?

Alfred Marku: Unë kam dy furgonë,  që shkojnë e grumbullojnë nëpër të gjithë fermerët e zonës. Kam afërsisht 150-170 fermerë që u grumbulloj qumështin.

Rudina Xhunga: Domethënë  ka shumë njerëz në këtë zonë që punojnë.

Alfred Marku: Po, sepse në fund të fundit krijojnë të ardhura.

Rudina Xhunga: Pse nuk flitet kaq shumë për këta njerëzit që punojnë me ty?

Alfred Marku: Sepse merremi shumë me politikë. Njerëzit që punojnë nuk kanë kohë të merren me politikë dhe po nuk  u more me të, nuk flet kush.

Rudina Xhunga: Po nuk u more me politikë dhe po nuk i përkite një partie politike nuk merren me ty. E pra Fred Marku është nga ata shqiptarët e mrekullueshëm që bën politikat e këtij vendi. Sepse të bësh djathë të mirë, ti ke bërë një: “Blej shqip!” të mrekullueshëm. Unë të falënderoj që më bërë të provoj një eksperiencë të pazakontë këtu me ty. Pse nuk e kthen në tur këtë? Një njeri që atë bukën që provova unë te restorant Rapsodia, e provon te baxhoja.

Alfred Marku: Ne kemi bërë një projekt të vogël. Duam ta bëjmë një korridor të gjithë me xham në mënyrë që të presim të gjithë vizitorët, por edhe brezin e ri. Të vijnë të na vizitojnë sepse ka vlera, ta shikosh si bëhet. Edhe sistemin e baxhos  e kemi, hyrjen e kemi nga ana teknologjike, pjesa përfundimtare është çdo gjë artizanale, që bëhet me dorë

Rudina Xhunga: Faleminderit! Shihemi në një tjetër episod të Shqiptarëve të Mrekullueshëm./dritare.net

Ps: Për të ndarë dhe ju historinë tuaj me ne, dërgoni mail në: [email protected] ose na shkruani ne Instagram: shqiptaretemrekullueshem.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Dritare.net" mjafton të klikoni: JOIN GROUP

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.