Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Fluks i të lënduarve në Spitalin e Traumës, Spahiu thirrje prindërve: Flisni me fëmijët

Fluks i të lënduarve në Spitalin e Traumës, Spahiu thirrje

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, ka reaguar pas fluksit të shtuar të të lënduarve që prej disa ditësh po përballon Spitali Universitar i Traumës. Në një mesazh nga spitali, Spahiu falënderoi stafet mjekësore për përkushtimin, ndërsa u bëri thirrje prindërve dhe profesionistëve të flasin me fëmijët dhe të rinjtë. Ajo paralajmëroi gjithashtu për përhapjen e lajmeve të rreme dhe të pamjeve të manipuluara, duke ftuar qytetarët t’u referohen burimeve zyrtare.

Mesazhi i plotë:

"Prej disa ditësh, Spitali Universitar i Traumës po përballon një fluks të shtuar të të lënduarve. Në këto momente të vështira, dua të falënderoj nga zemra ekipet e Qendrës Kombëtare të Urgjencës, stafet shëndetësore në të gjithë vendin, për përkushtimin, profesionalizmin dhe gatishmërinë e tyre, pa ndërprerje, për t’i ardhur në ndihmë çdo personi që ka pasur nevojë për kujdes.

U bëj thirrje prindërve, kujdestarëve, punonjësve socialë dhe të gjithë profesionistëve që të flasin me fëmijët dhe të rinjtë, t’i dëgjojnë dhe të kuptojnë shqetësimet e tyre. Fëmijët kanë të drejtë të shprehin mendimin e tyre, por kanë nevojë edhe për praninë, kujdesin dhe mbrojtjen tonë.

Asnjë nuk duhet të mbetet i pambrojtur në situata që rrezikojnë sigurinë e tij. Shërbimet sociale dhe psikologët janë të angazhuar për të mbështetur të miturit që kanë nevojë për ndihmë. Por përgjegjësia për t’i mbrojtur është e përbashkët.

Një shqetësim tjetër është përhapja e lajmeve të rreme dhe e pamjeve të manipuluara ose të nxjerra jashtë kontekstit. Ju ftoj të verifikoni informacionin përpara se ta shpërndani dhe t’u referoheni burimeve zyrtare. Në momente të tilla, informacioni i përgjegjshëm është thelbësor për të mos shtuar frikën dhe tensionin.

Dua t’i siguroj qytetarët se strukturat shëndetësore dhe sociale vijojnë detyrën e tyre, duke ofruar kujdes dhe mbështetje për këdo që ka nevojë.

E di që këto ditë janë të vështira. Por siguria e fëmijëve, shëndeti dhe jeta e çdo qytetari duhet të jenë mbi çdo ndarje dhe kundërshti.

Le t’i mbrojmë fëmijët nga rreziqet që mund të parandalojmë. Le të mos lejojmë që frika, zemërimi apo informacioni i pavërtetë të na largojnë nga përgjegjësia që kemi ndaj tyre.

T’i dëgjojmë. T’i kuptojmë. T’i mbrojmë.

Fëmijët janë të parët!"