Flet shqiptari që i del kundër historisë/ A i ndërtuan piramidat UFO-t dhe mesazhi i rëndësishëm që fshehin për planetin sot

Intervistoi: Jonida Hitoveizi

Fehmi Krasniqi, filmi i të cilit po korr mjaft sukses në Francë, tregon ekskluzivisht në dritare.net gjithë procesin e kësaj pune që i ka marrë mbi gjashtë vite, ndërsa studimi më shumë se një dekadë.

Filmi i Krasniqit, thuhet se paraqet prova të pakundërshtueshme, ndërsa ai vet na sjell një shembull të thjeshtë, atë të Pi-së, numrit kyç të zbuluar nga Arkimedi, i cili sipas tij del në të gjitha matjet në piramidën e Keopsit ndërtuar mbi 2000 vjet para “zbulimit” të Arkimedit.

“Piramida e Madhe K 2019” na bën të reflektojmë për historinë dhe për zhvillimin e civilizimit tonë, për të cilin Fehmi ndryshe nga sa mund të prisni thotë se nuk është alien, apo i zbritur nga “yjet” siç theksojnë shumë konspiracionist e ata të apasionuar pas mistereve.

Në fakt ai pohon dhe sjell prova të pakundërshtueshme se gjithçka ka qenë evolucion dhe beson tek inteligjenca universale.

Bota jonë me siguri ka shumë mistere, e shumë prej tyre ndoshta s’do t’i marrim vesh kurrë sa jemi në jetë, megjithatë shqiptari Fehmi Krasniqi hedh pakëz dritë mbi to.

Filmi dokumentar Grande Pyramide K 2019 e pati premierën e tij në Paris në 28 shtator dhe daljen e dytë në 4 tetor. Për shkak të kuriozitetit dhe interesit të jashtëzakonshëm që ka shkaktuar, vazhdon të shfaqet ende në Francë, ndërsa do shfaqet edhe në internet falas në 4 dhjetor, ora 20:00.

dritare.net- Fehmi, sa kohë keni punuar për projektin tuaj që zbërthen misterin e ndërtimit të piramidave?

Produksioni i filmit ka filluar që prej 6 vitesh në konfidencialitet të plotë. Gjithçka ka nisur me një ekip shumë të reduktuar, sepse s’kemi pasur asnjë financim. Janë bërë me qindra filma për misterin e piramidave pa e zbërthyer enigmën e tyre dhe kuptohet që nuk ka dëshirë asnjë të finacojë një film më tepër nga sa janë bërë.

Puna shkencore, kërkimet, për Egjiptin dhe piramidat etj kanë filluar më herët, prej 15 viteve.

 dritare.net – Sa ka kushtuar projekti për “Piramida e Madhe K 2019”

Vështirësia ka qenë e jashtëzakonshme, sepse e thashë që filma për Egjiptin janë bërë me qindra-mijëra. Pyetja që bëhet është çfarë sjell ti të re. Kur i thua që është dhe një histori tjetër e madhe e njerëzimit, atëherë investitori nuk beson, se ti nuk je shkencëtar, nuk ke diplomë egjiptologjie dhe asnjë nuk të përkrah. Ky film është bërë i gjithi me financimin tim dhe të dy bashkëproducentëve të tjerë, të cilët investuan në mënyrë financiare me sa kanë mundur dhe me punë gjithashtu.

dritare.net- Ju vetë çfarë keni studiuar?

Unë kam bërë shkollë për pikturë dhe skulpturë në Tiranë dhe Prishtinë dhe kam ikur në Francë në vitin 1996. Në Francë kam kryer Universitetin Lumiere në Lyon, Master dhe Licencë për Shkencat e Komunikacionit.

Më pas krijova një firmë “4D Univers” dhe një tjetër së fundmi “3D Studio EDA”. Firma që janë të lidhura me arkiteturën, animacionet 3D etj.

dritare.net -Përse e bëtë këtë film, cila ishte shysa juaj?

E kalura antike e njerëzimit, ashtu siç është e shkruar nëper libra është e gabuar. Që të kuptojmë të tashmen dhe të dimë ku shkojmë në të ardhmen, duhet te dimë të kaluarën tone.

dritare.net -Çfarë i bën teoritë që ju keni sjellë në film të pakundërshtueshme?

Teoritë janë të pakundërshtueshme si nga ana logjike, vizuale po dhe nga ana shkencore, matjet që janë bërë etj. Është pak e vështirë për ta shpejguar pa e parë filmin. Provat janë të padiskutueshme, janë prova matematike, shkencore, janë bërë matje me lazer etj.

dritare.net- Ju keni bashkëpunuar për filmin me Olsa Vilan, çfarë ju bashkoi në këtë projekt?

Olsa Vila, e cila është bashkëpunëtore në këtë projekt është edhe bashkëshortja ime. Ajo ka mbaruar studimet për Histori dhe Gjeografi në Tiranë. Olsa ka punuar me arkivat, një punë kolosale me pjesën e arkivit. Ndoshta do e zhvillojmë më tutje. Gjithashtu kolegët e tjerë, Benoit Brard, Faten Marion kanë qenë shtylla kryesore e krijimit të këtij filmi.

dritare.net- Mund të na zbërtheni për publikun tonë një prej enigmave?

LEXO DHE :  Spiropali: Meta iu kundërvu SHBA dhe BE duke dekretuar një gjykatëse mbrapa liste

Do bëj një video për ju ku do të shpjegoj një pjesë të enigmave.

dritare.net -Përse jeni marrë me sekretet e piramidave?

Kur nisa të studiojë mbi to kishte disa probleme me piramidat, sepse disa arkeologë në bazë të matjeve gjetën të dhëna arkitekturale shumë të rëndësishme. Psh. Ne në shkollë kemi mësuar që Arkimedi ka zbuluar Pi=3.14, që është konstancë universale, në vitin 280 para erës sonë. Në fakt ky numër, është një njësi që del tek piramida e Keopsit. Do të thotë që ka një problem, ata që kanë ndërtuar piramidën e Keposit e dinin numrin Pi 3.14, 2000 vjet para Arkimedit. Dhe këtu fillon problemi me historinë zyrtare që na mësohet ne.

dritare.net – Mund të na thoni se ku qëndron sekreti i piramidave?

Duhet parë filmi që të shpjegohet sekreti. Duhet parë rrjedha për të kuptuar çfarë tregon kjo piramidë. Ajo çfarë vijon më tutje është se këto dije janë shpërndarë nëpër botë. Pyetja është kur dhe si janë shpërndarë këto dije. Ne gjejmë në vende të tjera, në Amerikën e Jugut ndërtime dhe Amerikën Qëndrore piramida. Ndërtime të tilla, si në ishullin e Pakëve gjejmë statuja magjepsëse dhe thua si ka mundësi që teknologjia e përdorur është e njëllojtë. Filmi tregon se çfarë ka ndodhur.  Filmi shpjegon në mënyrë shkencore ndërtimin e piramidave dhe çfarë ndodhi më tutje me këto dije.

dritare.net -Besoni që piramidat janë krijuar nga njerëzit?

Po janë krijuar nga njerëzit. Këta njerëz kanë emra, fytyrën e tyre, nuk janë njerëz pa imazhe. Nuk janë UFO.

dritare.net-A ka ardhur civilizimi ynë nga diku tjetër?

Jo. Civilizimi human është një evolucion gradual.

dritare.net  -Përse ka kaq rëndësi historia e piramidave?

Historia e piramidave kur e shohim nga larg duket sikur nuk i intereson shumë njeriu. Historia e disa gurëve që janë bërë 4-5 mijë vjet përpara. Është komplet e kundërta dhe ka një interes sidomos për këtë piramidë, e cila është më shumë se kurrë aktualitet sot. Sot ne kemi probleme me planetin, me energjinë, probleme të  ardhura, me shkatërrimin e mjedisit, etj. Kemi shumë, shumë probleme. Për këtë arsye kjo piramidë është sot më shumë se kurrë aktualitet, sepse tregon një tjetër vizazh të njerëzimit se cili ka qenë, tregon një pasqyrë tjetër të njerëzimit tonë. Nuk është vetëm një mister si është ndërtuar një piramidë, si janë vendosur gurët, nuk është vetëm kaq. Përgjigja është më e thellë, tek mesazhi që na sjellë kjo piramidë në ditët e sotme dhe e përsëris është më  shumë se kurrë aktualitet sepse sjell mesazhe humaniteti, mesazhe sesi njerëzimi të avancojë.

dritare.net – Një nga pikëpyetjet më të mëdha të njeriut sot është “nga kemi ardhur dhe cili është qëllimi ynë në tokë”. Ju çfarë mendoni rreth këtyre dy pyetjeve? A keni mundur dot ta zbërtheni dhe këtë mister?

Ky film i tregon njerëzimit nga kemi ardhur dhe kush jemi. Pyetja si lindi civilizimi ynë, fillimi pa këtë zhvillim, pa këto ngjarje që kanë ndodhur në Egjipt sot nuk do të kishim këtë zhvillim që kemi sot. Kjo është një pyetje që nuk mund ta shterojmë me dy minuta.

dritare.net -Po ju vetë, ku besoni?

Besimi im është spiritualiteti, harmonia e njeriut me natyrën. Nuk them që Zoti nuk ekziston. Ka nje frymë inteligjence që kapërcen kufijtë e konceptimit tonë.

dritare.net –Kur keni shkuar në Egjipt, tek piramidat cila ka qenë gjëja e parë që ju ka bërë përshtypje?

Nuk kam qenë në Egjipt, por e njoh po aq mirë sikur kam jetuar prej vitesh. Dhe po të rrimë 2 muaj ose 1 vit në Egjipt, nuk arrijmë të bëjmë asgjë. Kam punuar me qindra materiale dhe dokumenta të historianëve dhe arkeologëve. Në prill të vitit 2018 dërgova ekipin tim për të bërë disa reportazhe dhe verifikime në vend për një subjekt preciz. Dhe zbulimi ishte shumë i rëndësishëm. Është tek filmi dhe do e shpjegoj në videon shqip që do të vijojë këtë intervistë./ dritare.net 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Dritare.net" mjafton të klikoni: JOIN GROUP

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.