Na ndiqni edhe në

Shqiptar

Ermal Meta, fituesi i parë i Sanremos, me cover-in "Amara Terra mia"

Ermal Meta, fituesi i parë i Sanremos, me cover-in "Amara Terra
Dje, mbrëmja e tretë e Festivalit të Sanremos i ishte kushtuar këngëve Cover, 16 të kualifikuarit e kategorisë Big sillnin një këngë të njohur italiane në vite. Në fund të mbrëmjes u ndanë tre çmime për fituesit e asaj nate. Vendi i treti Marco Masini. Vendi i dytë Laura Turci. Vendi i parë…Ermal Meta. Jo, nuk të bëjnë sytë. Shqiptari me këngën e Domenico Modugno-s, Amara Terra mia, fitoi vendin e parë pas interpretimit të ngarkuar vokalisht dhe emocionalisht të kësaj pjese, me të cilën mesa duket ia doli të prekë zemrat e shikuesëve. “Kisha frikë mos Italia nuk të meritonte…Jam mrekullisht i befasuar”, është një prej dhjetëra e qindra komenteve të një djali italian në faqen e Ermal Metës.

“Nuk më kujtohet kur ka qenë hera e parë që e kam dëgjuar këtë këngë, por e kam shumë të kthjellët që më dha menjëherë një emocion shumë të fortë, -ka thënë ai për Spettakolo.it.-Ndoshta nuk është një nga këngët më të njohura të Modugno-s, por për mendimin tim është një nga më të bukurat. E kam zgjedhur sepse flet për shkëputje, largësi, tregon vuajtjen e kujt është detyruar të ikë dhe ka dëshirën për t’u kthyer. Është një ndjesi shumë e ngjashme me dashurinë, kur ndihet një shkëputje me të dashurën”, shpjegon ai.

Kënga kushtuar tokës së hidhur, por të bukur, nga e cila njeriu ikën i trishtuar, kujtdo mund t’i kujtonte historinë e Ermalit që në moshën 13 vjeçare, bashkë me të ëmën dhe të motrën është larguar nga Fieri për të mbërritur në Bari të Italisë me një anije. Megjithatë ai nuk e thotë për asnjë çast këtë. Duket gati e pabesueshme sesi nuk përmend as edhe një herë këtë përputhje që gjithë të tjerët e mendojnë. Megjithatë Ermali dhe për këngët e tij nuk ka thënë më shumë fjalë sesa thotë kënga.

E Ermali e interpretoi atë këngë në mënyrë kaq prekëse sa i magjepsi të gjithë. U duartrokit në Ariston dhe në sallën e shtypit, meritoi urimet e bashkëshortes së Modugno-s që i telefonoi pas konkurrimit dhe mori aq shumë vlerësime dhe urime në rrjetet sociale gjatë gjithë mbrëmjes, sa #ErmalMeta ishte për disa orë një nga 10 temat më të ndjekura në Twitter.