Juristi Alibali: Kushtetuesja do t’i heqë mandatin Xhaçkës, siç bëri me Kokëdhimën në 2016-ën!
Dritare.net
Juristi Agron Alibali i ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV thotë se çështja e Olta Xhaçkës është e ngjashme me rastin e Koço Kokëdhimës që iu hoq mandati i deputetit në vitin 2016-të nga Gjykata Kushtetuese, për shkak se në një periudhë në fillim të mandatit të tij si deputet, kompania e tij, pati kontrata të furnizimit me internet të institucioneve të ndryshme publike. Juristi thotë se në 2016-ën, Kushtetuesja i dha vetes kompetenca që nuk i kishte që finalizoi heqjen e mandatit të Kokëdhimës. Edhe sot thotë zoti Alibali, kërkon të bëjë të njëjtën gjë me Xhaçkën, por po përballet me kundërshtimin e Kuvendit.
“Pika 3 e nenit 77-të të Kushtetutës thotë që deputetët nuk mund të zbatojnë aktivitete fitimprurëse që rrjedhin nga pasuria shtetërore dhe nuk mund të përfitojnë pasuri. Pastaj është pika 4 këtij neni, që thotë se kur shkelet neni 3, me mocion të kryetarit ose 1/10 së anëtarëve, Kuvendi vendos për ta dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese e cila shqyrton në themel çështjen dhe konstaton papajtueshmërinë. Rasti i Olta Xhaçkës është i ngjashëm me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Koço Kokëdhimën në 2016-ën. Gjykata Kushtetuese mori vendim për interpretimin përfundimtar të nenit 70, pika 4 të Kushtetutës së Shqipërisë, duke i dhënë vetes kompetencat që ky nen nuk ia jepte.
Gjykata mori vendimin për t’ia hequr mandatin Kokëdhimës, për shkak të papajtueshmërisë së funksionit të deputetit për shkak të angazhimeve të pretenduara në veprimtari fitimprurëse ndërkohë që ai ishte deputet.
Interpretimi përfundimtar i nenit 70-të, pika 4 e Kushtetutës në 2016-ën ishte: “Në rast se Kuvendi i Shqipërisë vihet në lëvizje me mocion të kryetarit të Kuvendit ose 1/10 së anëtarëve të tij në kuptim të pikës 3 të nenit 70 të Kushtetutës, ai duhet të vendosë dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese që është organi i vetëm që ka kompetencën të shqyrtojë në themel çështjen dhe të vendosë mbi papajtueshmërinë e mandatit të deputetit.” Pra ai term konstatim është interpretuar nga GJK-ja si vendimmarrje. GJK-ja e ka marrë këtë kompetencë që në vitin 2016-të, por nuk e ka sipas Kushtetutës. Kuvendi në atë moment nuk e ka kundërshtuar atë vendim për çështjen Kokëdhima. Pra është përdorur rasti Kokëdhima për të pasur një vendim të ngjashëm edhe për Xhaçkën. GJK-ja duke u bazuar në këtë jurisprudencë e detyron Kuvendin që bëjë dërgimin e çështjes pranë saj që ajo të vendosë për papajtueshmërinë. Këtu qëndron përplasja e Kuvendit. Sepse ai ka thënë se Kuvendi dhe deputetët nuk kanë mandat detyrues, nuk mund t’i detyrojë askush për të vendosur në një drejtim apo një tjetër.”, thotë zoti Alibali në DritareTV./K.C/dritare.net