Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Shqipëria është Republikë Parlamentare, jo Republikë Gjykatësish. Flet juristi Alibali!

Shqipëria është Republikë Parlamentare, jo Republikë

Juristi Agron Alibali i ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV analizoi deri në detaje opinionin e Komisionit të Venecias për mandatin e deputetes Olta Xhaçka që solli një përplasje mes opozitës dhe mazhorancës për shkak të interpretimeve të ndryshme. Alibali thotë se Komisioni i Venecias e parashtron qartë se nuk duhet të kemi një Republikë të Gjyqtarëve pasi Shqipëria është një Republikë Parlamentare dhe sovraniteti i përket popullit.



“Komisioni i Venecias ka funksion të japë opinione për çështje që i paraqiten në formë pyetjesh. Nuk ka fuqi detyruese, zbatuese, por thjesht këshillimore. Vetë ata shprehen specifikisht që nuk e marrin përsipër rolin e arbitrit dhe çdo shtet anëtar i Këshillit të Evropës ka pjesëtarë në këtë komision që ndihmojnë herë pas here në opinione të ndryshme. Në çështjen konkrete, qofte në pikën 8 dhe atë 55, shpallet qartë që analiza që Komisioni i Venecias paraqet është në dritën e standardeve evropiane ndërkombëtare dhe nuk ndërhyn në diskutimin politik.

Në çështjen e zonjës Xhaçka, Komisioni i Venecias thotë që nuk ndërhyn në diskutimin politik. Pra nuk mund të interpretohet sikur Komisioni i Venecias anon nga njëra anë apo tjetra. Komisionit të Venecias i janë bërë 5 pyetje. Në pyetjen 1 dhe 3 mendimi i Komisionit të Venecias është që vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhen zbatuar. Është një opinion që bazohet në standardet evropiane. Këtu mund të bëhet një diskutim edhe për opinionin.

Pika 3 e nenit 77-të të Kushtetutës thotë që deputetët nuk mund të zbatojnë aktivitete fitimprurëse që rrjedhin nga pasuria shtetërore dhe nuk mund të përfitojnë pasuri. Pastaj është pika 4 këtij neni, që thotë se kur shkelet neni 3, me mocion të kryetarit ose 1/10 së anëtarëve, Kuvendi vendos për ta dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese e cila shqyrton në themel çështjen dhe konstaton papajtueshmërinë.

Komisioni i Venecias e thotë në paragrafin 52 që nuk duhet të kemi një Republikë të Gjyqtarëve; Shqipëria është një Republikë Parlamentare dhe sovraniteti i përket popullit.

Pra ky paragraf shmang perceptimin e një qeverie të gjykatësve. Gjithë kjo ideja e kontrollit dhe balancimit të pushteteve, thotë komisioni, është një nga themelet e sistemit republikan dhe kushtetutave të vendeve demokratike. Pra gjithsecili pushtet duhet të qëndrojë në vend të vet. Pjesëtarët e çdo pushteti duhet të kenë sa më pak kompetenca në caktimin e pjesëtarëve të pushtetit tjetër.
E thonë edhe vetë mendimtarët e mëdhenj të doktrinës së ndarjes së pushteteve: në një qeverisje republikane autoriteti legjislativ dominon. Nga kjo pikëpamje sovraniteti i popullit ushtrohet te Kuvendi. Në asnjë mënyrë nuk mund të kemi një qeverisje të gjykatësve.”, tha zoti Alibali në DritareTV./K.C/dritare.net