
Si ligji 7501 vuri themelet e padrejtësisë me pronat në Shqipëri
Dritare.net
Në emisionin “Shqip” nga Rudina Xhunga në Dritare TV, ish-deputeti Bardhyl Reso riktheu kujtimet e tij nga votimi i ligjit 7501 në korrik të vitit 1991, duke e quajtur atë fillesën e “zallamahisë së madhe me pronat” që vijon ende sot.
Sipas Resos, ligji 7501, i cili përcaktonte ndarjen e tokës bujqësore pas rënies së sistemit komunist, u propozua nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, që në atë kohë kishte shumicën në Kuvend.
“Ky ligj erdhi si propozim nga socialistët. PD vendosi ta mbështesë, për të mos humbur votat e fshatarëve”, tha Reso.
Ai kujtoi se një pjesë e vogël e deputetëve demokratë, përfshirë edhe vetë atë, votuan kundër.
“Kam qenë ndër ata që votuan kundër, sepse e pashë që ky ligj cenonte pronën. Ne erdhëm si parti që mbronim të drejtën e pronës, një nga parimet bazë të demokracisë. Më vonë u pa se ky ligj hapi rrugën për shumë probleme pronësore”, theksoi ai.
Reso shtoi se në atë kohë ligji parashikonte që toka t’u jepej familjeve në përdorim, pa të drejtë shitblerjeje, por amendamentet e mëvonshme, gjatë viteve ’93-’95, e kthyen në një proces të çrregullt dhe abuziv.
“Me sytë e mbyllur, u lejua shitblerja e tokës, dhe aty filloi masakra me pronat,” deklaroi ish-deputeti.
Ai e cilësoi ligjin 7501 si një vendim të domosdoshëm për kohën, por me pasoja të mëdha për dekadat që pasuan.
“Në atë kohë 70% e popullsisë jetonte në fshat dhe duhej gjetur një zgjidhje për tokën, pas shpërbërjes së kooperativave. Por mënyra si u zbatua e shkatërroi sistemin e pronësisë në Shqipëri,” tha Reso./L.F-dritare.net

















