Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Tragjedi në Perugia: Vritet me thikë 23-vjeçari shqiptar Hekuran Cumani. Si ndodhi ngjarja!

Tragjedi në Perugia: Vritet me thikë 23-vjeçari shqiptar

Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin universitar të Perugias në orët e para të mëngjesit të së shtunës. Një 23-vjeçar me origjinë shqiptare, Hekuran Cumani, u vra me thikë në parkingun e departamentit të Matematikës dhe Informatikës të Universitetit të Perugias, në rrugën Via Luigi Vanvitelli.

Sipas raportimeve të mediave italiane, ngjarja ndodhi rreth orës 04:30 të mëngjesit, pas një sherri mes dy grupe të rinjsh. Cumani u godit disa herë me thikë në gjoks dhe në qafë, duke ndërruar jetë në vend, pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të ambulancës.

Prokuroria e Perugias ka nisur hetimet për vrasjen, ndërsa policia italiane po punon për të rindërtuar ngjarjen dhe për të identifikuar autorin. Dyshohet se konflikti ka nisur për motive banale, ndoshta pas një përplasjeje verbale në një lokal të afërt. Hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që vrasja të ketë qenë akt hakmarrjeje pas një zënke të mëparshme.

Sipas dëshmive të mbledhura deri më tani, Hekurani kishte shkuar në Perugia me disa miq për të kaluar mbrëmjen. Pas një nate në disa lokale, grupi i tij u takua me një tjetër grup të rinjsh, dhe debati verbal degjeneroi në përleshje fizike, që përfundoi tragjikisht.

Miqtë e viktimës janë marrë në pyetje nga hetuesit, ndërsa autoritetet italiane dyshojnë se në ngjarje mund të jenë përfshirë më shumë se një person.

Kush ishte Hekuran Cumani
23-vjeçari jetonte në Fabriano, në rajonin e Markes, dhe ishte me origjinë italo-shqiptare. Sipas të afërmve, ai ishte një djalë i qetë, sportiv dhe i përkushtuar ndaj familjes.

“Ishte një mik i madh, me zemër të artë, që e donte familjen dhe kafshët. Nuk kërkonte kurrë telashe,” – ka thënë kushëriri i tij për mediat italiane.
Kryetari i bashkisë dhe Këshilli Bashkiak i Perugias kanë shprehur ngushëllime të thella për familjen e të riut, duke e cilësuar ngjarjen si një “tragjedi që ka prekur gjithë komunitetin”.

“Është e vështirë të pranohet që një jetë kaq e re të ndërpritet në mënyrë kaq të dhunshme. Perugia qëndron pranë familjes së tij në këto orë dhimbjeje,” thuhet në deklaratën zyrtare të bashkisë.
Ngjarja ka tronditur banorët e qytetit dhe komunitetin shqiptar në Itali, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve të vrasjes./L.F-dritare.net