Ema Andrea, kundër tufës së telenovelave turke
Dritare.net
“Meqë ka dalë moda e censurës! Unë mendoj të censurojmë telenovelat turke e indiane e çdo telenovelë që dëmton shëndetin mendor të fëmijëve që rrinë me gjyshërit (pasi këto telenovela transmetohen pa orare të kontrolluara dhe pa titra shpjeguese)." Edhe pse e ngarkuar me rolin në “Equus” që po shfaqet prej dy javësh në Teatrin Kombëtar, Andrea, e cila shprehet shpesh publikisht për çështjet që prekin gruan, thotë se sa të jetë gjallë, do të ngrejë zërin kundër ideve seksiste që përçojnë këto “vepra të dobëta artistike”. “Dëmtojnë gjithashtu edhe figurën e femrës! Besoj se shumë nene në legjislacion do ta lejonin censurën për shkaqet që thashë më lart! Unë jam gjallë dhe nuk lejoj që ideologjia maskiliste e këtyre veprave të dobëta artistike të më lëndojë apo të drejtojë edukimin e brezit të ri kundër femrës! Madje, do bëj një shoqatë dhe do marr ca fonde për këtë fushatë. E deklaroj të hapur!” Ema Andrea u bë e njohur në Shqipëri në fund të viteve ’80. Parapëlqeu t’i përkushtohet teatrit, ndonëse publiku e mban mend edhe për filmin “Një djalë dhe një vajzë” (1990). Është hera e parë që ajo shprehet publikisht, ndonëse jo drejtpërdrejtë, në vazhdën e debatit për çështjen e ndalimit të transmetimit të filmave shqiptarë të komunizmit.
Propozimi erdhi nga Agron Tufa, pedagog në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Tiranë dhe drejtor i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit. Dje Tufa dorëzoi propozimin e tij në kuvend, ku kërkon që këto filma të transmetohen me logon “Kujdes!” ose “PPSH”. Sipas Tufës, është i domosdoshëm censurimi i këtyre filmave propagandistikë, sepse mund të ndikojnë tek shqiptarët që, siç theksoi, janë ende nostalgjikë për periudhën e komunizmit./anabel.al