Na ndiqni edhe në

Editorial

Pse qeveria i shpalli luftë Andi Bushatit?

Pse qeveria i shpalli luftë Andi Bushatit?

Nga Dritan Hila

Sot qoftë kryeministri Rama, sikurse edhe ministresha e transporteve Balluku, nuk kanë nguruar të merren me një gazetar i cili nuk ka asnjë post publik, Andi Bushatin. Ky i fundit, pasi i kishte ardhur në majë të hundës pritja në rrugë mes dëborës, kishte bërë një status përtej normës etike, por që sigurisht nuk do ta zbatonte, ku ankohej se propaganda të shtyn deri në vrasje. Ndërkohë qeveria i është kthyer me artileri të rëndë dhe formacion të plotë, duke i cituar mungesën e zinxhirëve si shkak subjektiv të bllokimit të tij, megjithëse në rastin në fjalë Bushatit për të shpëtuar nga radha do t' i duheshin helika.

Tani, gjithë ky nervozizëm shpjegon në një farë mënyre që Bushati i kishte prekur në nerv. Bushati ndoshta e kishte gabim që nuk kishte zinxhirë, nisur nga Kodi Rrugor. Por zinxhirët vlejnë më shumë për zonat malore dhe jo ultësirat kënetore, ku ndodhej ai. Gjithashtu muaji shkurt nuk është i shquar për bllokime bore, ndaj është e falshme mungesa e tyre. Ashtu sikurse asnjë qeveri nuk mban pastrues dëbore në zona ku reshje të dendura ndodhin një here në 30 vite, sikurse zona e Lezhës.

Por ajo që e ka bërë reaktiv reagimin kryeministror, kishte lidhje me citimin që Bushati i bënte shfaqjes mediatike të Belinda Ballukut në maje të borëpastrueses.

Në botë, ministri i sektorit që mbulon Balluku, zakonisht është një inxhinier i spikatur transporti ose ndërtimi. Ndërsa eksperienca e Ballukut, përjashto “Kafazin e Artë”, një biçim Big Brother autokton i News 24, dhe një periudhe emigracioni në Greqi për të cilën nuk ka informacion, nuk ka lidhje fare me këtë sektor. Nuk po përmendim gropat që ka bërë si përshembull tenderat dhe projektet me kosto stratosferike.

Gjithsesi është zgjedhja e Ramës me kë do të qeverisë. Por do ishte më produktive për Ramën që nëse nuk e ndërron dot këtë ministre me një të hajrit, mos të hynte në luftë për çdo gafë të Ballukut apo status të Andi Bushatit. Se Bushati atë punë ka, ndërsa Qeveria ka boll punë të tjera./dritare.net