
Replikat Rama-Bushati dhe ministrja Balluku!
Dritare.net
Sot kryeministri Rama në një replikë me kreun e opozitës,Lulzim Basham permendte edhe botuesin e Lapsi.al, Andi Bushati, duke thënë: Politika me fatkeqësitë është si ajo makina që ngec në rrugë se s'ka zinxhirë për rrotat në rast dëbore dhe s'ka qytetar normal, sado i pakënaqur me qeverinë, që të bëhet rrotë me zinxhirë si Andi Bushati, për të të besuar ty rrugën e të ardhmes së Shqipërisë për inat të qeverisë”. Kjo përgjigje vjen pas statusit të analistit në faqen e tij në “Facebook” , ku ai shkruante pas përvojës personale në rrugën e bllokuar të aksit Lezhë-Tiranë.
“Pasi kam kaluar me orë të tëra i bllokuar pranë Lezhës bashkë me qindra të tjerë, pasi nuk pashë për be asnjë borëpastruese, asnjë kripëhedhëse apo qoftë dhe makinë policie që të jepte informacion elementar, sa mbërrij në shtëpi, falë një aventurieri që çau rrugë pa rrugë mes fshatrave, shoh ministren që jep shfaqje pasi ia ka hypur një borëpastrueseje.Do e kuptoja po të thoshte që jemi një shtet shkërdhat, që kështu kemi qenë dhe kështu do mbetemi, kaq fuqi kemi përballë situatave të tilla etj... Por ama me këto inskenimet e shpifura ku e vetmja makinë që mund të vihej në punë përdorej për xhirime, këta edhe njeriun më të duruar mund ta shndërrojnë në vrasës... I imagjinoj fytyrat e atyre që pata me orë pranë kur të shohin në ekran Belindën sapo të futen në shtëpi”, ka shkruar Bushati.
Ditën e sotme, në një prononcim zyrtar mbi gjendjen në vend, ka mbajtur qëndrimin e saj edhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
"Shumë e turpshme që disa persona publikë, dhe njërit prej tyre ku thoshte me urrejtje si njerëzit mund të bëhen vrasës. Si mund të bësh thirrje për urrejtje. Nuk e di nëse do e bënte më mirë detyrën. I bëj thirrje qytetarëve dhe i mirëkuptoj për reagimet njerëzore. Mos i përdorni akset e rrezikshme. Nuk është situatë normale, është mot ektresm që do të vijojë deri të premten në mesditë. Presim ulje të temperaturave, në veri mund të shkojë deri në -24 gradë", ka thënë ministrja.
Ministrja Balluku shkaktoi dje shumë reagime me daljen e saj "live", ndërsa kush ishte bllokurar ne aksin e rrezikshëm po kërkonte borëpastruesen, jo ministren./M.M-dritare.net

















