Nga Rudina Xhunga
Idriz Çelmeta nuk është më. Fjala nuk je më, është relative. Sepse nuk je më, kur pas ke lënë asgjë.
Ose emër nga ata që paguan t’i heqësh nga Google.
Ata janë aq shumë dhe ne flasim përditë për ta, sa kemi normalizuar mungesen e dijenisë sonë, për burrat shtetndërtues. Për ata që lënë pas kujtime dhe mësime. Kur ikin, lënë pas keqardhje dhe nevojën për ta thënë zëlartë: Sa mirë, që e njoha!
***
Unë e njoha, kur ende punonte në Kinë. Më ofroi ndihmë për të përkthyer dhe botuar librin që nxora aso kohe. Nuk e kuptova pse donte të më ndihmonte, sepse nuk e njihja. Kohë më pas, kur u kthye në Shqipëri, e njoha dhe e kuptova. Janë ca njerëz kaq të mirë, kaq të mençur, që të zgjasin dorën, që të hapin shtigje, që të ndihmojnë pa kushte.
Jam kaq e kënaqur që ia thashë në të gjallë, çfarë kisha ndërmend për të e nuk i ruajta, në këtë shkrim pas vdekjes.
Që në fakt nuk po e bëj për Idrizin, se ai me atë buzëqeshjen modeste, nuk i do lavdet.
E bëj për t’i thënë Lindës dhe Holtës: Jini krenare për babin tuaj!
***
Kafja ime e fundit me të, në Bllok. Fliste për Holtën, gazetare e gjeneratës së re dhe një sistemi të ri, ende të panjohur për ne. Lindën ma kishte prezantuar vite më parë, kur nisi ëndrrën Montessori në Tiranë.
Ëndrrat e të tjerëve nuk i kupton, nëse nuk ëndërron dhe ti.
Kur ime bijë u rrit, unë vendosa ta çoj në shkollën që hapi Idrizi në Shqipëri.
Kam pasur dilema dhe kam ende, por besimi vinte nga dita e parë, kur më foli bashkë me Lindën, për një shkollë, një sistem, një mënyrë arsimimi që ai e besonte.
Ky burrë që ka edukuar kaq mirë dy vajza, e di, i thashë vetes kur besova vajzën e vetme, në një sistem të panjohur për mua.
Ka njerëz që ngrenë sisteme, të dijes dhe edukimit. Ata nuk janë vetëm të huaj, ose vetëm në libra e filma. Ka mes nesh. I tillë qe Idrizi.
Vjen një moment që njerëzit ikin. Kështu është jeta. Me ardhje dhe ikje. Por paramendoni sa shumë njerëz harxhojnë çdo ditë, duke bërë gjërat keq, duke vjedhur dijen e shqiptarëve dhe pasurinë e tyre publike. Njerëz që pas lënë vetëm para të pista dhe emër të zi.
Ky është një 30-vjeçar pa vija të bardha dhe semaforë moralë.
Edhe sepse për njerëzit si Idrizi shkruhet pas vdekjes. Për njerëz që lënë pas rrugë të shtruar me mençuri, mirësi dhe sidomos vizion. Trashëgimia e tij është e paçmueshme.
Është shkolla, është dija, është besimi te njeriu që nxë, që jep, që di, që ndryshon, që krijon, që lë pas njerëz të tjerë dhe sisteme që ndërthuren me një botë në lëvizje.
Botën e madhe të dijeve. Idriz Çelmeta ishte dijetar. Sot unë i përulem njeriut që njoha 20 vite më parë dhe më dha dorën, për të hyrë në një botë shkëmbimi dijesh. Dhe i them faleminderit. Që besoi se nga dija vijmë, dije lëmë pas. Të qoftë dheu i lehtë Idriz Çelmeta!
P.S
Idriz Çelmeta u nda nga jeta, më 17 gusht 2023.
I lindur në Pezë, në 1946-ën, Idrizi vazhdon në drejtimin ushtarak në Shkollën e Bashkuar, mbaroi studimet e larta në fakultetin Histori - Gjeografi.
Ka bërë studimet në Kinë nga ‘73-shi-‘77-ën, dërguar nga Ministria e Mbrojtjes. Më pas punoi në Ministrinë e Mbrojtjes për disa vjet. Në ‘85-ën filloi punë si diplomat në ambasadën tonë në Kinë. Ishte koha kur marrëdhëniet mes dy vendeve tona kishin pësuar çarje dhe komunikimi pothuaj ishte ndërprerë. Idrizi si diplomat dhe si njohës i gjuhës dhe kulturës e historisë kineze, ka ndihmuar në rivendosjen e kontakteve duke punuar fort si me qeverinë shqiptare, si me atë kineze, që miqësia tradicionale midis dy vendeve të kthehet në një marrëdhënie efikase në të mirë të të dyja palëve.
Ka dhënë kontribut të veçantë për normalizimin dhe thellimin e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Kinës. Më tej i është përkushtuar sipërmarrjes private duke çelur për herë të parë, dy shkolla me dy programe ndërkombëtare të njohura në të gjithë botën.
World Academy of Tirana- ËAT themeluar në 2010-ën) dhe International Montessori School of Albania (2007), tashmë vlerë në edukimin në Shqipëri, janë produkt i vizionit të tij dhe dashurisë për arsimin.
Idrizi la pas dy vajzat, Mirlindën dhe Holtën, të shoqen Luaneshën, nipërit, mbesën, vëllezër, motra e plot miq që e vlerësonin për vlerat e tij./dritare.net