E kemi fajin ne që bëmë foton, apo Basha që merr shtëpi tek oligarkët?!
Dritare.net
Në një editorial të tijin portali anti-Rama “Lapsi.al” kishte marrë në analizë lajmin për vilën e re të Bashës në kompleksin "Long Hill" të ndërtuar nga miku i Ramës, biznesmeni Agron Papuli dhe akuzonte se dhe portali ynë, “Dritare.net” e kishte marrë këtë lajm nga zyrat e Rilindjes dhe e kishte përpunuar që të sulmonte Bashën. Domethënë i bie që Rama nëpërmjet Papulit e ka ndjellë Bashën që të banojë në kompleksin e vet dhe pastaj i ka vërsulur medien pranë tij, ku bëkemi pjesë edhe ne, për ta diskretituar Bashën.
Në fakt duke e njohur Ramën nuk është çudi një makinacion i tillë, dhe bravo i qoftë nëse Basha e ha. Gjithsesi është një teori e cila ngjan më shumë me histori romanesh policore dhe kolegët e Lapsit i kanë dhënë goxha shfrim fantazisë. Të paktën në pikën e pjesëmarrjes së Dritare.net në këtë komplot.
E vërteta është më e thjeshtë. Nuk është e vështirë të mësosh se ku fle një politikan i rëndësishëm; pastaj aty të stacionosh një gazetar me një celular e ta fotografosh; e pastaj të pyesësh njerëz rreth e rrotull (jo banorë pasi janë shumë diskretë, por punonjës shërbimi), dhe të ndërtosh puzzle.
Me pas të vjen në ndihmë kujtesa, se kur ke qenë në panele pikërisht te "Të Paekspozuarit" me prani edhe të një nga bashkëpronarët e Lapsit, ku përfaqësuesi i PD-së Ogert Bylykbashi akuzonte me dokumente projektin e qeverisë për blerjen e makinave Jaguar me leasing për qeverinë, dhe shuma e shpenzuar shkonte përtej asaj që mund të blihej. Duke ardhur pas në kohë tashmë çdokush e konstaton që policia, shëndetësia dhe pothuaj çdo institucion shtetëror është i pajisur me vetura e furgonë Hyundai, që e ka në pronësi pikërisht Agron Papulit. Dhe ndërkohë heshtja nga ana e PD-së, të ngre veç dyshime. Dyshime që janë hedhur nga ana jonë. Dhe për këtë nuk është e thënë të jesh pjesë e Rilindjes së Ramës. Madje të vjen çudi si mund të quhesh pjesë e rRlindjes vetëm se kërkon transparencë nga opozita, si garanci që oligarkët mos rrinë duke pritur në paradhomën e kryeministrit, pa çarë kokë se kush është ai dhe kë votojnë shqiptarët.
Me këtë logjikë kontraversiale që kanë përdorur kolegët e Lapsit për të na bërë pjesë të Rilindjes, i bie që me këshillat për intrasigjencë që i dhanë Lulit, duke e nxjerrë në rrugë, i kanë bërë shërbimin më të mirë Ramës duke e lënë vendin pa opozitë institucionale. Ç’ka as që e mendojmë, por në vend të aludimeve për kolegët, përpiqemi të bëjmë në kushte jo fort të lehta, profesionin e gazetarit./dritare.net