Dje u zhvillua mbrëmja in memoriam për të nderuar kujtimin e Ardian Klosit. Përveç prezantimit të librit "Për Ardian Klosin, gjermanin nga Shqipëria”, përgatitur nga Oliver Jems Schmitt, u shpall edhe Çmimi “Ardian Klosi”, financuar nga fondacioni S. Fischer. Juria e përbërë nga Piro Misha, Ardian Vehbiu, Besnik Mustafai, Alda Bardhyli dhe Beti Njuma, vendosi që çmimi t’i shkonte librit: “Ambasadori i Melkizedekut”, nga Veton Surroi, me motivacionin:
Për mprehtësinë e vëzhgimit dhe të gjykimit, këndvështrimin gjithnjë të freskët, njohjen e shkëlqyer të kontekstit historik dhe social, erudicionin, humorin e hollë, distancën filozofike dhe guximin moral të pashembullt në trajtimin e një teme të vështirë dhe delikate si ajo e institucioneve dhe identitetit të Kosovës sot.
Çmimi iu dorëzua autorit nga e bija e Ardian Klosit, Katharina Klosi. /dritare.net