
Ndoshta dikush mund të mos e njohë menjëherë emrin e Erand Sojlit, por të Xhixh Merimangës, nuk ka dyshim që po. Apo të Naqes. Aktori i madh i Portokallisë, që u bë i njohur me këto role, prej 7 vjetësh jeton në Amerikë.
Në një intervistë për emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në Dritare TV Sojli flet për karrierën e tij që në Shqipëri pati një sukses të jashtëzakonshëm në Portokalli, ndërsa tani është në teatrin që ai vetë ndërtoi. Sërish për shqiptarët, por këtë herë për ata të diasporës. Ndaj e quajti Teatri i Diasporës.
“Karriera ime televizive nisi me Rudina Xhungën. Me Niki Vavaculën, përkthyesja greke për shqiptarët e Greqisë që nuk dinte shqip. Pas interpretimit në Portokalli, shumë emisione lindën nga kjo histori. Top Show ishte një ndër to, sepse kishte satirë dhe seriozitet bashkë.
Tashmë u bënë 7 vjet në Amerikë. Unë mbeta rastësisht këtu pas një projekti në Nju-Jork.
Vendosëm edhe për shkak të dëshirës së madhe të vajzave të nisim një jetë të re këtu. Nëse nuk do të na ecë, shtëpinë në Shqipëri e kemi, vendin nuk do të na e marrë kush, do të kthehemi. Pse të mos guxojmë kur jemi mirë?
Edhe këtu nuk bëj tjetër gjë veç artit e argëtimit. Puna e parë që bëra ishte krijimi i një kompanie për teatër dhe produksione filmi.
Sepse këtu ka shumë shqiptarë, prej të gjithë trevave shqipfolëse. Kështu nisi ëndrra për teatrin e diasporës. Teatri për mua është shumë i rëndësishëm, është një alternativë shpirtërore. Sepse një këngë e një valle të gjithë dimë ta këndojmë e kërcejmë. Por kjo nuk mjafton. Duke qenë se kjo gjë nuk ekzistonte këtu, me shumë dëshirë unë e nisa.
Është një teatër i lëvizshëm, në shkojmë kudo. Marjana Kondi është aktorja e parë e teatrit të diasporës, që na u bashkua sepse ajo i besoi ëndrrës sime. Në shfaqjen Femrat e Mia, Marjana luan rolin e nënës, ndërsa Kieda Budini, e cila luan rolin e nuses, është një aktore që jeton në Vjenë, por vjen herë pas herë këtu.”, u shpreh Sojli në Dritare TV./L.F-dritare.net

















