

Disa prej jush më gjykuan për faktin që e krahasova sheshin në Tiranë me marketin e Krishtlindjeve në Vienë.
Sa për informacion, doja t’u shpjegoja që dhe në Tiranë ka goxha atmosferë për festa. Kjo nuk do të thotë që po krahasoj Vienën me Tiranën, sepse janë dy qytete komplet të ndryshme. Dhe unë vdes fare për të dyja.
Sot më në fund jam në Vienë!
Me padurim e prisja të shikoja tregun dhe çdo gjë përreth. Është hera e dytë që vij, pas 3 vitesh.
Kësaj here me sa duket kam zgjedhur periudhën më të duhur. Rrugët janë ploooot me njerëz që ndjekin shfaqjet e festave. Kudo hahet, pihet, festohet e gëzohet. Tek bashkia e Vienës vizituam një prej tregjeve, pasi qenkan shumë. Një orkestër simfonike po luante muzikë dhe unë isha e vetmja që këndoja me zë të lartë. Kushërira ime më thotë: “Ule zërin se i bezdise njerëzit.” O goc jemi në periudhë festash,-i them unë.
Do këndoj e gëzoj sa të më dojë zemra.
Këtu ndjehet jashtë mase shumë atmosfera festive. Përvec zbukurimeve ka dhe aktivitete për të gjithë. Nuk mund të mungojë vera e ngrohtë sigurisht, vetëm se këtu e servirin me gota porcelani. Paguan 7€ për të dyja, e më pas kur kthen gotën merr 4€ mbrapsht. Nëse nuk e kthen është e jotja.
Unë mbahem si ters zakonisht, por këtu më buzëqeshi koha. Për çudi është ditë me diell, ndryshe nga zakonisht. Bën pak ftohtë, por gjëra të përballueshme. Gjithsesi të jem brenda, poshtë pantallonave kam veshur një palë geta që mos të ngrij.
Për të ngrënë ka lloj-lloj ushqimesh. Fillohet nga buka me sallam deri tek patatet e hapura, të servirura me perime, proshutë, djathë e çfarë të dojë nepsi yt. Blemë 8€ një patate. “Mos e vrit mendjen për lekët-ma kthen kushërira ime- kemi punuar për këtë ditë”.
Edhe kur je turist s’para e vret mendjen për çmimet.
Shyqyr Zotit që njoh b... e dreqit dhe gjeta një super guidë në Vienë. Alisa jeton këtu e për më tepër është vajzë e lexuar që i di historitë e qytetit e vendit. Më shpjegonte me detaje ato që dinte. Sa me fat që jam për njerëzit që më rrethojnë. Ika tani, ta shijoj dhe një herë ndriçimin e këtij qyteti. Mos xhelozoni që jam këtu, por punoni çik, mos rrini duke më lexuar mua. Bëni lekët dhe ejani në Vjene, se ia vlen./Dritare.net

















