Na ndiqni edhe në

Editorial

Cikli në News 24/ Mullixhiu, një shqiptar i mrekullueshëm

Cikli në News 24/ Mullixhiu, një shqiptar i mrekullueshëm
Ky është emisioni i parë i ciklit "Shqiptarët e Mrekullueshëm", një bashkëpunim i youtube "Dritare me Rudinën" dhe Abi Bank. Që nga sot, çdo të diel ora 12:00 do t'i ndiqni episodet e shqiptarëve të mrekullueshëm, edhe në News 24. E nisim këtë emision me një shqiptar që beson se Shqipëria do të bëhet, por nuk beson te fjala 'kismet'. E ku ka më mirë sesa ta nisësh kështu, me besimin se Shqipëria bëhet dhe s'ka pse mos bëhet me shqiptarë si Bledar Kola.

Intervistoi Rudina Xhunga

Rudina Xhunga: Jam te Mullixhiu. E nisim ciklin e "Shqiptarëve të Mrekullueshëm" te Mullixhiu, me Bledar Kolën, sepse nuk ka më shumë shqiptar të mrekullueshëm sa ai, që ka shkruar këtu në ballë që Shqipëria do të bëhet. Shqipëria do të bëhet, po kismet. (qesh)

Bledar Kola: Me kismet nuk bëhet Shqipëria. Por në qoftë se ndalojmë kismetin dhe vazhdojmë të luftojmë çdo ditë, ka shpresë se diçka do të ndryshojë.

Rudina Xhunga: Në fakt, fabula e këtij edicioni të "Shqiptarëve të Mrekullueshëm", një bashkëpunim mes "Dritare me Rudinën" në youtube, me Abi Bank, është kismeti. Stop kismetit! Mjaft së thëni kismet.  Si themi ne Bledi? Do të takohemi nesër? Kismet.

Bledar Kola: Kjo ishte një nga fjalët që më rëndonte më shumë, pesha më e madhe kur u ktheva nga Londra. Sepse nëse dëshiroja të takoja dikë, më thoshte kismet. Takohemi nesër? Kismet. Po si kismet? Duket sikur jemi të varur nga diçka që nuk është në dorën tonë.

Rudina Xhunga: Në fakt është. Vendi ku jemi nuk ka fare lidhje me "kismetin". Sepse këtu dikur ka qenë një qoshe e harrur, buzë liqenit, që askush nuk vinte. Derisa erdhi befas Mullixhiu. E di si më duket këto ditë që kam ardhur shpesh në mëngjes që të kuptoj më shumë se çfarë ndodh këtu, më duket si një agjenci turistike.  Këtu vijnë kontrollojnë, shohin libra, pyesin për kuzhinën dhe ti je gjithmonë në pritje të përgjigjesh.  Madje më duket sikur po të mbaj unë tani tek intervista, sepse e ke mendjen te celulari.

Bledar Kola: Në fakt qëllimi ynë si restorant është për të ndryshuar disi atë imazhin e Shqipërisë në botë. D.m.th, kur ti të dëgjosh Shqipëri, mos të mendosh vetëm për ato gjërat e këqija që njihet Shqipëria, por të shikosh diçka krejt ndryshe. Dhe duke  u bazuar te shprehja, që themi ne “Dashuria vjen nga stomaku”, ne jemi duke ecur me këtë ritëm, që nëpërmjet stomakut t’i kthejmë, të huajve dashurinë për Shqipërinë.

Rudina Xhunga: Të na njohin nga stomaku, pastaj të arrijnë te zemra.

Bledar Kola: Ky është qëllimi afatgjatë i restorantit “Mullixhiu”, për të qenë një kartëvizitë dinjitoze, e Shqipërisë nëpër botë.

Rudina Xhunga: Dhe ia ke dalë. Po shikoja, “Mullixhiu”,  në gjermanisht, librin tënd që sapo është botuar në Gjermani. Ta kërkuan? Ishte një gazetare, që e kërkoi këtë gjë?

 

Bledar Kola: Shtëpia botuese, është gjermane “Suhrkapm”. Më shkruan  në 2017-ën, që: “Ne jemi të interesuar, për të bërë një libër, për restorantin.” Mua m’u duk si ëndërr. Vëllai mbante emaile-t, i thashë: “Shiko mos na e kanë nisur gabimisht.” Jo tha ka ardhur në emrin tënd. Pastaj i kontaktuam, erdhën në 2018-ën, në shtator. Në 2019-ën në shkurt, filluam  duke bërë recetat dhe duke praktikuar. Janë 60 receta, të Mullixhiut.

Rudina Xhunga: 60 recetat tuaja. Qenka dhe flija. Gatuan dhe fli këtu, apo thjesht e ke përfshirë?

Bledar Kola: Jo bëjmë edhe fli këtu. Por me saç elektrik.

Rudina Xhunga: Ndërkohë është Shqipëria, nuk është vetëm gatimi yt këtu, është gjithçka.

Bledar Kola: Manuel Kruger është fotografi, Ursula Henzellmen është autorja. Ndërsa recetat janë Mullixhiu dhe historia e Mullixhiut. Është diçka krejt e thjeshtë, janë receta krejt të thjeshta që mund t'i bësh për mëngjes, hap frigoriferin dhe mund të bësh një nga këto recetat.

Rudina Xhunga: Por ndërkohë  kur kjo kartëvizitë shkon në Gjermani dhe këtë e marrin ata në dorë është tjetër gjë nga ndjesia që ke këtu, ku je brenda dhe thua ky restorant e ka një libër. Të marrin në telefon?

Bledar Kola: Ne kemi shumë shqiptarë, që na shkruajnë në Gjermani, Zvicër dhe në Austri që gjejnë librin dhe ndihen krenarë. Ka ardhur ajo kohë që, është e tepruar krenaria me Skënderbeun dhe Nënë Terezën. Shumë bukur që janë, por në qoftë se ne bëjmë tatuazh Skënderbeun, Nënë Terezën, nuk e ndihmojmë ekonominë e vendit.

Rudina Xhunga: E bën tatuazhin dhe shkon e bën hashash pastaj atje.

Bledar Kola: Nëse ne promovojnë Shqipërinë, promovojmë kuzhinën  eksportojmë produkte që  janë të veçanta shqiptare dhe njerëzit e lexojnë “Shqipëria” nëpër restorante, shikojnë produkte vetëm në këtë mënyrë rrisim ekonominë. Nëse ne kemi një varëse që ka shqiponjën, edhe bëjmë kuzhinën e një vendi tjetër, nuk është patriotizëm. Patriotizëm duhet të jetë pjesa e hoteleri-turizmit, ushqimi. Sepse ne nuk prodhojmë as ora, as makina, nuk kemi industri tjetër të zhvilluar përveç saj. E kemi të vetmen që na ka ngelur për ta shfrytëzuar dhe kthyer në avantazhin tonë.

Rudina Xhunga: Mua kjo më ka ngacmuar. Në fakt te Shqiptarët e Mrekullueshëm, jam fokusuar tek ata që na bëjnë të ndihemi krenarë. Dhe më beson apo jo, vetvetiu po shkohet te kuzhina. Isha te Fredi i Rapsodisë, që me siguri është mik i yti, dhe nga Lezha, sepse jeni të gjithë nga Lezha, ju artistët, mjeshtrat e kuzhinës. Pse ka kaq shumë artistë nga Lezha, në  kuzhinë, kaq shumë gatuanit ju në fëmijëri?

Bledar Kola: Ne nuk kemi pasur mundësi tjetër, kemi qenë më pak të privilegjuar nga vendet e tjera. Edhe duke pasur këtë lloj  disavantazhi ne e kthyem në avantazh. Unë kam ndihmuar, mamin, s’po e bëj si Moxarti që 5 vjeç duke i rënë pianos, por kam bërë bukën në darkë, qysh në klasë të dytë, a të tretë.

Rudina Xhunga: E shikonte që e bënte ajo dhe i shkojë nga pas?

Bledar Kola: Jo e zija unë bukën çdo natë. Sitja miellin, zija bukën,  bëja ato pak perime që kishim atëherë shkoja te toka, punoja domatet, kujdesesha për kafshët e imta që kishim në shtëpi, madje milja dhe delet, dhitë, lopën. Kisha qejf të bëja djathin. Nuk ishim në qytet, kam lindur në fshat, kam krijuar atë kontaktin me natyrën. Kjo eksperiencë e jetës, deri në moshën 15-vjeçare që jam larguar, më shpërben  në profesionin tim që kam zgjedhur.

 

Rudina Xhunga: Ti kur ike, ishte i qartë që po veje për të mësuar kuzhinën, apo nuk e dije?

Bledar Kola: Realisht, kam ikur në moshë të vogël. Nuk  thashë se do të bëhem kuzhinier. Kisha dy zgjedhje,  të punoja pjatalarës në një vend  që ishte shumë i mirë, dhe të punoja te “Fish and chips”, që kishte kontakt me njerëzit dhe ishte më interesante për mua.

Rudina Xhunga: Cilën zgjodhe ti?

Bledar Kola: Fish and Chips.  Pastaj më thotë burri i tezes: “Shiko ti s’do punosh këtu, do të punosh  në kuzhinë, do të lash pjata.” Pas një debati të fuqishëm me të, më vendosin me dhunë në kuzhinë, për të larë pjata. Pas nja gjashtë muajsh  duke larë pjata, qëroja patatet, bëja ndonjë sandviç. Restoranti ishte japonez dhe laja orizin. Për dy vjet e gjysmë  kam larë orizin për të bërë sushi. Nuk e bëja unë sushin. Pastroja bizelet  që janë japoneze, bëja të gjitha punët e rëndomta, që një anglez nuk i bënte.

Pas disa kohësh më thotë një austriak që e njihja: “Ti do të shkosh të bësh shkollën e kuzhinës dhe do të fillosh punë në kuzhinë!”  “Jo”, i thashë unë, “nuk dua të bëhem i çmendur si ti.” Sepse kuzhinierët në përgjithësi janë pak si njerëz jonormalë. Kanë shumë presion. Për dy orë do të vijnë të gjithë aty, ti kalon shumë stres. Pas doktorit, profesioni tjetër më stresues është kuzhinieri.  Dhe i thosha që si ti nuk do të bëhem, ose do të bëhem avokat, si çdo njeri që sheh filma Hollivudi. Çdo ditë më dhunonte psikologjikisht, në sensin për të më futur te pjesa e kuzhinës. Një ditë gjetën një shqiptar, që e kishin vrarë dhe e kishin hedhur në koshin e mbeturinave. Mori gazetën “The  Sun”, e hodhi aty para meje dhe më tha: “Kështu do të përfundosh dhe ti,  po nuk më dëgjove mua.”  Dhe aty thashë: “Ky nuk është aq i çmendur sa duket." Fillova, po bëja dhe shkollën dhe punën. Në fillim ishte një punë e lodhshme, por gradualisht pa e kuptuar,  e gjeta veten në librari, duke ndenjur nga 3-4 orë duke lexuar libra. Në atë kohë nuk kishte internet, youtube e gjera të tjera, por ishin vetëm librat. Shkoja në bibliotekë, rrija 3-4 orë duke lexuar libra të ndryshëm që ishin hapur, libra kuzhine. Ose në një moment, ku isha pushim nja dy-tre ditë shkoja punoja në një restorant që ishte pa lekë. E gjeta veten, nga një urrejtje, me diçka që m’u fut në gjak. Isha  i fiksuar keq. Bile një francez që kishte punuar në një restorant shumë të mirë në Francë, më tha mua: “Ti je i çmendur, ti do të bëhesh dikush, por mundohu t’i  balancosh pak.” Sepse nuk kisha as shoqëri.

Shkoja punë, shtëpi. Dhe kur shkoja në shtëpi, shikoja ndonjë libër. Kurseja ndonjë lekë, pjesën që do t'ia çoja shtëpisë e blija libra. Ose shkoja haja në një restorant  për të provuar shije të reja. Pra ishte një periudhë kohe, nga 2003-shi, në 2007-ën, që nuk mbaj mend gjë, nga jeta në Angli, vetëm pjesën e kuzhinës.  Punoja me shumë pak lekë, doja eksperiencë. Ti e di shumë mirë si është, kur shkon në  një vend, që ka një brand  të fuqishëm duhet të punosh derisa të fitosh eksperiencë dhe pastaj mund të drejtosh, të jesh lider, me atë standard që ke krijuar ti. Dhe  më thoshin njerëzit: “Jo ke për të bërë  shtëpinë, jo ke për t’i çuar lekë babait. Hajde këtu puno me ne në ndërtim. Jo tetë orë këtu, jo tetë orë atje.” U thashë se nuk dua. Ishte kohë jo shumë e artë, kjo te pjesa financiare. Por m’u fiksua që duhet ta bëja këtë gjë, dhe nuk e luante topi. S’kisha as mamanë, as babanë, as vëllanë aty afër që të më ndikonin më shumë se shokë e mi dhe shoqëria shqiptare që ishin dy-tre. Se dhe atje nuk merresha shumë me shoqërinë shqiptare, sepse thashë: “Ç’kuptim ka të jetosh në Londër dhe të rrish me shqiptarë?”  Duke luajtur bilardo, letra. Shoqërinë që zgjodha atje ishin vetëm kuzhinierë dhe të huaj. Jo se nuk i doja shqiptarët.

Rudina Xhunga: D.m.th këtë kisemtin ti nuk e ke me të thënë? E ke me të provuar. Dhe prandaj thua: "Stop kismet! Përcakto fatin tënd!”, është diçka që e bërë ti prandaj po e thua.

Bledar Kola: Me atë eksperiencën tim. Kur shkoja për të punuar thosha kismet. Vija standarde, bëja To do list, dhe organizoja planet.

Rudina Xhunga: Pse e bëjë atë To do list?

Bledar Kola: Po, po. Normalisht koha është e shkurtër atje, intensive.

Rudina Xhunga: Mësove dhe organizimin atje, përveç kuzhinës,

Bledar Kola: Bëja organizimin edhe në shkollë, edhe në shoqëri.

Rudina Xhunga: Aty befas i gjete të gjitha, edhe paratë do të vinin. Si erdhe pastaj. Është momenti kur ti do të kthehesh. Se ka shqiptarë që thonë: “U kthye, nuk i eci!”

Bledar Kola: Në 2007-ën erdhi një kohë që më lodhi Anglia. Koha e zymtë, po ndjeja mungesën e shtëpisë dhe thashë që do të kthehem. Piva një kafe më një mikun tim, pa i thënë gjë askujt. Vetëm ambasadën kisha lajmëruar që do të kthehem. Por kisha edhe unë ato problemet e shqiptarëve, si të gjithë në Angli, me emër kosovar.

Rudina Xhunga: I kishe edhe ti këto probleme?

Bledar Kola: Është pjesë e “brandit” për të qenë në Angli. (qesh)

Inshallah s’më arreston policia. Më pas i thashë  shokut tim. Nesër do të iki. Po ku do të ikësh më tha? Në Shqipëri i thashë. U habit, sepse kam pasur shumë vështirësi kur kam ikur në Angli. Nën rrotat e kamionit me gomone. Si të gjithë shqiptarët. Edhe më tha po ti ke rrezikuar jetën. Sepse më ka tërhequr kamioni për 15 metra.  Dhe duke pasur parasysh sesi kisha shkuar në Angli, sa shumë kisha rrezikuar, u habit që unë dëshiroja të kthehesha me qejf në Shqipëri. Por i thash se unë ashtu e ndjeja. U ktheva dhe familjarët ishin ata që më mbështetën më së shumti. Ata më thanë se nëse kisha përftuar eksperiencë atje, duhet ta përdorja këtu. Më thonshin që jetesa është më mirë, gjërat kanë ndryshuar. Kështu u ktheva në 2007-ën. U hasa me shumë probleme.

Rudina Xhunga: Nuk është se të erdhi menjëherë fati.

Bledar Kola: Absolutisht jo.

Rudina Xhunga: E pra, ky është problemi. Të shohin ty, shohin edhe këtë kismet hiqe, dhe thosha ja mbaroi, ja si bëhesh. Por jo, nuk bëhesh kështu. Se iku poshtë një kamioni, se kur erdhi se gjeti shtruar, se nuk po e prisnin me lule. Po prapë, stop kismet se bëhet. Këtë sigurinë që Shqipëria do të bëhet ku e more?

Bledar Kola: Nuk e kam të qartë se në cilin vit e mora këtë entuziazëm të tepërt. (qesh)

Rudina Xhunga: Që s’të ka ikur apo jo ? Apo ndonjëherë thua ta heq këtë tabelën.(qesh)

Bledar Kola: Nuk është se më ka ikur kjo ndjenjë. Ka sfida, por kjo sfida është e bukura. Se ti nuk je i përfshirë me një shoqëri që i ke gjërat e shtruara. Unë mendoj që ti humb ekzistencën tënde si njeri, nëse i ke gjërat të shtruara gati në perfeksion. Atëherë ti thjesht je pjesë e sistemit, por nuk ndjen adrenalinë.

Rudina Xhunga: Unë i thash vajzës, që lëngu ishte pak i hidhur. Por më tha se është shegë. Prit sa t’i them Bledit, m'u drejtua, të krijojë diçka. Dhe kjo është ideja e të gjithëve, që t'i krijon diçka në moment. Je si magjistari i tyre.

Bledar Kola: Jo magjistar, por eksperienca. Sepse nga 16 vjeç deri sot nuk kam bërë punë tjetër përveç kuzhinierit. Po kam punuar dy muaj, kur kam shkuar në Itali te motra. Por nuk më pëlqeu Italia.

Rudina Xhunga: Nuk të tërhoqi Italia? Si ka mundësi, vendi i kuzhinës  së artë. Apo nuk është kuzhina që ti pëlqen ?

Bledar Kola: Në atë moment nuk isha në kuzhinë. Punoja në ndërtim. Ushqimi ishte shumë i mirë. Në orarin e pushimit, shkonim në restorant. Por si vend dikur nuk më tërhiqte, ndërsa sot po. Pastaj ka pasur vende në Shqipëri që më kanë thënë t'i nuk bën si kuzhinier.

Rudina Xhunga: Jo, s'ka mundësi

Bledar Kola: Po, më kanë hequr nga puna 5 herë.

Rudina Xhunga: Po na trego një vend!

Bledar Kola: Jo nuk do ta them. Por ishte një rast afër aeroportit, aplikova me anë të një gazete. Më thanë hajde nesër. Shkova. Me furgona, se nuk kisha bërë aq shumë lekë sa për të blerë një makinë. Kur shkova ishin tre veta, por pronari jo. Ndjenja tre orë në kuzhinë. E pyeta nëse kisha mbaruar provën, por më tha që jo. Më pas më tha që të bëja një rizoto. E pyeta me çfarë e donin, me perime? I thashë një ndihmësi të më jepte, perimet orizin, m’i bëri gati. Por ai oriz që më solli ai nuk bënte për rizoto. Por më tha që kështu e donte pronari. I thash se prova është si gatuaj unë, jo si do ta hajë pronari. E bëra ashtu siç e kisha mësuar në Angli. Ia dhashë. Pronari më tha nëse e kisha bërë unë këtë rizoto. I thash që po. Nuk bën më tha. E para rizoto duhet të jetë e thatë. E dyta duhet të ketë më shumë kripë.

I kërkoja të dija, për pagesën. Se i thashë, mirë që po shesim shpirtin te ty, po të paktën na jep lekun. Tha është 250 mijë lekë të vjetër në muaj. Dhe më tha se duhet të punoja 4 muaj pas kuzhinierëve të tij, pastaj mund të më jepte 400 mijë lekë të vjetër. Pastaj ika dhe i thashë se nuk do të punoja për aq lekë. Nëse do të më jepte 2 milionë lekë, po.

Rudina Xhunga: Ti vije nga Anglia, praktikisht pa lekë. Çfarë të bënte t'i thoshe jo pronarëve? Sepse e ke parasysh në çfarë vendi jetojmë. Në një vend shumë të përulur, që të gjithë thonë 'po' për disa para.

Bledar Kola: Unë jetoja në fshat te shtëpia e nënës dhe babait. Lekë për të ngrënë e pirë kisha, kështu që pasioni ishte më i madh se dëshira për lekët. Nuk kisha ardhur me aq lekë sa për të blerë një shtëpi në Tiranë, 100 mijë euro. Lekë për të suportuar pasionin  tim kisha.

Rudina Xhunga: Kur erdhi eksperienca e Nomës? Se Noma është logoja jote. Kaq shumë mësove ti atje?

Bledar Kola: Kur u ktheva nga Anglia kisha dy vjet eksperiencë për kuzhinë franceze. Dhe isha pak i zbuluar me atë që doja të bëja me kuzhinën shqiptare. Kur i thashë edhe shokëve që doja të rikrijoja kuzhinën e re shqiptare, në 2007-ën, më thanë: " Ti je i çmenduar!"Kur erdha këtej, kishin të drejtë sepse, isha në Shqipëri dhe pa Nomën isha pak si peshku pa ujë.

Rudina Xhunga: Bledi e ke vënë dhe ti re këtë se, ne kemi merak të kemi suportin e një të huaji. Që të jemi të sinqertë, përtej faktit çfarë ti bën, ty të ndihmon shumë arsyeja që je në çdo medie  të huaj. Bledar Kola është një logo fantastike për botën.

 

Bledar Kola: Kanë shkruar 34 medie deri më sot për Mullixhiun. Qysh në 2016-ën.

Rudina Xhunga: Çfarë bën ti, si i gjen gjithë këta njerëz që shkruajnë për ty?

Bledar Kola: Lodhen gazetarët dhe vijnë te Bledi (qesh).

Rudina Xhunga: Po Nomën?

Bledar Kola: Në 2010-ën, i shkrova Renesë.

Rudina Xhunga: E ke sjellë Renenë ndonjëherë këtu?

Bledar Kola: Po në 2012-ën, te "La Boheme". Pra në 2010-ën  i shkrova Renesë: "Jam një shqiptar. Periudhën që jam pushim dua të vi te ty,  për të marrë eksperiencë." Më ktheu menjëherë email,  për 3-4 orë. Më shkroi: "Unë e kam babanë shqiptar, kam gjak shqiptar. Të lutem kontakto me filanin që ta ndjekë pjesën tënde." Dhe ika atje. Isha ai shqiptari me flokë të shkurtër,  i nxirë nga dielli i gushtit, me atë vranësirën e fuqishme të Ballkanit. Futem brenda, midis suedezëve, danezëve, njerëz nga 16 vende të botës, dhe stonova direkt. Isha pak në siklet për pjesën e paragjykimit, që ne shqiptarët e kemi shumë. Pa ardhur Reneja, po pastroja tërfil, në kat të dytë, ku ishte dhoma e parapërgatitjes. Për një moment shoh personin që kisha parë tre herë në ditë në youtube, kisha posterin e tij te restoranti, që zakonisht të tjerët mbajnë ndonjë vajzë, unë kisha posterin e Renesë. Vjen aty, isha i emocionuar, më prek te krahu dhe thashë me vete: "Lëre se nuk e ka me mua, s'po i flas." Dhe më ra prapë, ktheva kokën e pashë, nuk mundesha të flisja. Më dha dorën dhe më tha: "Unë jam Rene Rexhepi." Po thosha me vete: "T'u prezantua ty Rene, që vetëm 'R' të shkruash në Google, të del direkt!" Me gjysmë zëri i them: "Jam Bledar Kola nga Tirana". E thashë me zë të ulët që mos e dëgjonin të tjerët emrin tim. Pastaj më tha: "Ngrije zërin se nuk të dëgjoj. S'të kuptova."  Ia përsërita. U çudit! Të gjithë të tjerët  shihnin nga ne, kush është ky që po përqafon Reneja, se të gjithëve u jepte dorën.  Mua më përqafoi, më falënderoi që kisha shkuar atje. Kur bëmë prezantimin poshtë, ishim  60 veta personel, Rene tha: "Ju e dini që unë e kam babanë shqiptar,  prandaj dua që të kujdeseni për këtë, sepse është gjaku im." Aty isha si fëmija i Renesë,  nuk më linin të bija në tokq. Sepse zakonisht kur shkon atje, të vënë në një dhomë, ku ti pastron vetëm diçka dhe nuk ke lidhje me ata. Ndërsa mua më zbritën direkt te sektori i pastiçerisë dhe më thanë të vazhdoja të punoja.

Pastaj ika prapë në 2011-ën. Fillova të ftillohesha pak, se çfarë doja të bëja me kuzhinën shqiptare. Kisha më shumë garanci profesionale. Në 2012-ën, bashkë me Artur Çanin, e ftuam Renenë, te "La Boheme". Me rastin e  100-Vjetorit të Pavarësisë,  i bëra nja ftesë jozyrtare Renesë,  dhe më tha që do të vinte.  E ftuam më 28 nëntor, bëmë një darkë.

Rudina Xhunga: Ka ardhur koha ta ftosh te Mullixhiu.

Bledar Kola: Tani është shumë i zënë. Por kam një suport, direkt nga Reneja. Sepse çdo gazetar që e merr  për referencë Renenë për në Shqipëri, i thotë: "Shko te Bledi"  Kur bëmë një intervistë me mediet në 2012-ën, e pyetën gazetarët Renenë: "Ke gatuar ti për drekën sot? "Jo, sepse ju keni një nga kuzhinierët më të talentuar  në Evropë. Bledi është një nga mastershefat e Evropës.",- tha Rene. Pastaj zbritën të gjithë gazetarët poshtë ...(Qesh)

Rudina Xhunga: Ju kuzhinierët nuk jeni vetëm pak të çmendur, por jeni dhe shumë të mirë. Sepse mua më ka bërë përshtypje marrëdhënia që keni me njëri-tjetrin . Nuk e kam dëgjuar kurrë Fredin, të flasë keq për Altinin, apo Altini për ty. Përkundrazi keni një bashkëpunim të paparë me njëri-tjetrin. Dhe ju jeni një grup çunash të pazakonshëm. Kështu që faleminderit që ju kemi!/dritare.net

https://www.youtube.com/watch?v=iN1U93DCk9M

Ps: Për të ndarë dhe ju historinë tuaj me ne, dërgoni mail në: [email protected] ose na shkruani ne Instagram: shqiptaretemrekullueshem