Na ndiqni edhe në

Shkruaj në Dritare

Çfarë është Krishtlindja!

Çfarë është Krishtlindja!

Nga Ardian Nokaj, teolog

“Tani në po atë krahinë ishin disa barinj që rrinin jashtë, në fusha, dhe natën ruanin kopenë e tyre. Dhe ja, një engjëll i Zotit iu paraqit atyre dhe lavdia e Zotit shkëlqeu rreth tyre e ata i zuri një frikë e madhe. Por engjëlli u tha atyre: “Mos druani, sepse unë po ju lajmëroj një gëzim të madh për të gjithë popullin; sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti. Dhe kjo do t’ju vlejë si shenjë: ju do të gjeni një fëmijë të mbështjellë me pelena, të shtrirë në një grazhd” (Luka 2:8-12).

Shumica e njerëzve e dinë se ç’kuptim ka festa e Krishtlindjeve, por a e kuptojnë ata vërtet se kush ishte dhe se kush është ajo foshnjë, që barinjtë e gjetën të shtrirë në grazhd? Shumica e kartolinave të Krishtlindjeve as që nuk e përmendin fare faktin se ky fëmijë u lind prej Maries. Këngët, zbukurimet dhe dhuratat e shumta nuk arrijnë ta dëshmojnë dot siç duhet faktin se kjo foshnjë është Yeshuah(që ka kuptimin Zoti shpëton) , Shpëtimtari i njerëzimit. Por Bibla na thotë se Biri i Perëndisë zbriti nga Qielli si Njeri, për të kaluar kohë me ne. Në ditën e lindjes së Jezusit, engjëjt u gëzuan pa masë nga kjo ngjarje e mrekullueshme.

Pavarësisht se ç’mund të mendojnë njerëzit për Krishtlindjet, ajo natë e lindjes së Jezusit ishte nata kur Perëndia u shfaq në formë njerëzore. “Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi. Ai (fjala) ishte në fillim me Perëndinë… Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne” (Gjoni 1:1-2, 14). Le t’iu hedhim një sy titujve, që engjëjt i dhanë emrit të Jezusit, nga vargjet e Luka 2:8-12. Shpëtimtar “Sepse Biri i njeriut erdhi të kërkojë dhe të shpëtojë atë që kishte humbur” (Luka 19:10). Ky varg na tregon pikërisht se kë erdhi të shpëtojë Jezusi. Nuk erdhi për njerëzit fetarë, që e konsideronin veten të drejtë në sytë e Perëndisë, prandaj edhe e mohonin Shpëtimtarin. Përkundrazi, Ai erdhi për të çliruar mëkatarët. “Unë nuk erdha t’i thërres të pendohen të drejtit, por mëkatarët” (Luka 5:32). Erdhi për t’i çliruar të pashpresët, të dobëtit dhe ata që nuk i donte kush. “Nuk janë të shëndoshet që kanë nevojë për mjekun, por të sëmurët; unë nuk erdha për të thirrur të drejtët, por mëkatarët për pendim” (Marku 2:17).

Jezusi është Shpëtimtari ynë sot, po aq shumë sa ç’ishte Shpëtimtar edhe për barinjtë, që e panë për herë të parë në grazhd. Ata e dinin se Perëndia iu kishte dhënë privilegjin e mrekullueshëm, që të qëndronin përpara Shpëtimtarit të botës. Një bekim i tillë është i vlefshëm edhe për secilin prej nesh sot, sepse, nëpërmjet Jezusit, e dimë se jemi të pranuar nga Perëndia. “Për lëvdim të lavdisë së hirit të tij, me të cilin na bëri të pëlqyer në të dashurin Birin e tij” (Efesianëve 1:6). Fakti që Ai është Shpëtimtari ynë, na tregon se Ai na çliron prej fuqisë së mëkatit, d.m.th. mëkati nuk ka më autoritet mbi ata që besojnë. “Atij që na deshi dhe na lau nga mëkatet tona në gjakun e tij” (Zbulesa 1:6)…

“Duke ditur se jo me anë gjërash që prishen, si argjendi ose ari, jeni shpenguar nga mënyra e kotë e të jetuarit të trashëguar nga etërit, por nga gjaku i çmuar i Krishtit, si të Qengjit të patëmetë dhe të panjollë” (1 Pjetrit 1:18-19).

Ky Shpëtimtar i ruan të gjithë ata, që e ndjekin, që i besojnë dhe që i binden. “Gjithçka që më jep Ati do të vijë tek unë; dhe atë që vjen tek unë, unë nuk do ta nxjerr jashtë kurrë” (Gjoni 6:37). Tek vazhdojmë t’i besojmë Atij, Ai na mban të sigurt. Krishti Krishti, Mesia është Kryeprifti ynë, d.m.th. me besim mund t’i kërkojmë Atij gjithçka, duke e ditur se Perëndia na i dëgjon lutjet dhe se Ai iu përgjigjet atyre sipas vullnetit të Tij. “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se çdo gjë që t’i kërkoni Atit në emrin tim, ai do t’jua japë” (Gjoni 16:23). Është një bekim i mrekullueshëm ta dish se Krishti lutet për të gjithë ata që i besojnë, prandaj, ngaqë jemi në Të, Ai ka për të na përfaqësuar përpara fronit të lavdisë. “Prandaj edhe mund të shpëtojë plotësisht ata që me anë të tij i afrohen Perëndisë, sepse gjithmonë rron që të ndërmjetësojë për ta” (Hebrenjve 7:25)… “Kemi një avokat te Ati, Jezu Krishtin të drejtin” (1 Gjonit 2:1). Zoti Engjëlli e kuptoi se ajo foshnjë në grazh ishte vetë Zoti, ndaj edhe i inkurajoi barinjtë që ta besonin të njëjtin fakt. Ai fëmijë që dukej si një foshnjë e dobët, ishte, në fakt, Zoti Sovran i të gjithëve. Tek Zbulesa 1:8, Jezusi na thotë: “Unë jam Alfa dhe Omega, fillimi dhe mbarimi”, thotë Zoti “që është dhe që ishte dhe që vjen, i Plotfuqishmi”. Le të mos e harrojmë se Jezusi duhet të jetë Zot i gjithçkaje, ose përndryshe, Ai nuk është Zot i asgjëje!

“Mbreti i mbretërve dhe Zoti i Zotërve” (Zbulesa 19:16)…

“Jezu Krishtit, që është Zoti i të gjithëve” (Veprat e Apostujve 10:36). Fjala “Zot” është një titull i përshtatshëm për Shpëtimtarin tonë, por a e kemi bërë ne vërtet Atë, Zot të jetëve tona? A i kemi dhënë Atij leje, që të ketë autoritet të plotë dhe absolut në jetën tonë? Ta quash Atë “Zot” me fjalë nuk është njëlloj si ta quash Atë “Zot” me vepra! Duhet të jemi të gatshëm për t’ia dorëzuar gjithçka Atij si një ofertë dashurie. “O vëllezër, po ju bëj thirrje, nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë, ta paraqisni trupin tuaj si fli të gjallë, të shenjtëruar, të pëlqyer te Perëndia, që është shërbesa juaj e mençur. Dhe mos u konfrontoni me këtë botë, por transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, që të provoni cili është i miri, i pëlqyeri dhe i përsosuri vullnet i Perëndisë” (Romakëve 12:1-2). A është një urdhër i tillë aq i kushtueshëm? Barinjtë ishin të parët, që e panë Zotin, por pavarësisht se kush jemi, Ai, prapëseprapë, duhet të jetë Zoti ynë, nëse duam që të hyjmë vërtet në Mbretërinë e Tij. “Jo çdo njeri që më thotë: “Zot, Zot” do të hyjë në mbretërinë e qiejve; por do të hyjë ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiej” (Mateu 7:21).

“Shpëtimtari, Krishti, Zoti”

Si përfundim ky ishte identiteti i vërtetë i foshnjës së Betlehemit, i shpallur prej engjëllit. Ai fëmijë, i lindur më shumë se 2000 vjet më parë, iu ofroi të gjithë atyre që besonin, një përvojë jetë-ndryshuese. Fatkeqësisht, të paktë janë ata, që e kuptojmë vërtet rëndësinë e ardhjes së Tij. E hedhin poshtë faktin se ky fëmijë i vogël ishte Ai, që do të vdiste në kryq për mëkatarët, ndaj edhe Ai nuk mund të jetë Krishti i tyre, po qe se ata vetë nuk e bëjnë Atë Zot të tyren. Dhurata më e madhe na u dha atë ditë të parë të Krishtlindjeve. “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme” (Gjoni 3:16)./Dritare.net