Trump në Davos: Evropa nuk është në drejtimin e duhur
Dritare.net

Presidenti amerikan Donald Trump në fjalimin e tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, kritikoi fort Europën për politikat e saj të emigracionit, ekonomisë dhe energjisë.
Trump e cilësoi vitin e parë të presidencës së tij si një “mrekulli ekonomike” për SHBA-në, duke pretenduar se tarifat tregtare dhe shkurtimet në administratën federale kanë sjellë një transformim historik të ekonomisë amerikane. Ai tha se kritikat ndaj këtyre politikave janë hedhur poshtë dhe se deficiti tregtar po ulet ndjeshëm.
Gjatë fjalimit, Trump fajësoi Europën për shpenzime të larta qeveritare, emigracion masiv dhe importe të pakontrolluara, duke theksuar se kontinenti “nuk po ecën në drejtimin e duhur”. Ai shtoi se i do vendet europiane, por paralajmëroi se politikat aktuale po sjellin pasoja katastrofike.
Presidenti amerikan mbrojti politikat e tij tarifore, pavarësisht shqetësimeve për rritjen e çmimeve, dhe pretendoi se punonjësit federalë të shkarkuar po gjejnë vende pune më të paguara në sektorin privat.
Trump sulmoi gjithashtu politikat mjedisore, duke u shprehur kundër energjisë së erës dhe duke e quajtur tranzicionin e gjelbër një “mashtrim”, ndërsa u bëri thirrje vendeve europiane të ndjekin modelin ekonomik amerikan./L.F-dritare.net