
Irani do të mbyllë ngushticën e Hormuzit. Çfarë do të thotë kjo për tregtinë ndërkombëtare
Dritare.net
Tensionet në Gjirin Persik po përshkallëzohen ndjeshëm, pasi Parlamenti iranian ka miratuar në parim një projektligj që parashikon mbylljen e ngushticës strategjike të Hormuzit, një kanal detar nga ku kalon rreth 20% e tregtisë globale të naftës dhe gazit natyror. Vendimi përfundimtar do të merret nga Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare të Iranit.
Sipas agjencisë Reuters, ky zhvillim vjen në një moment të lartë tensioni, pas sulmeve ajrore të kryera nga Shtetet e Bashkuara ndaj objekteve bërthamore iraniane. Kriza po zhvendoset nga një përplasje ushtarake drejt një përplasjeje ekonomike dhe energjetike.
Ngushtica e Hormuzit lidh Gjirin Persik me Gjirin e Omanit dhe Detin Arabik, dhe është një arterie kyçe për eksportet e naftës nga vende si Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Irani dhe Iraku.
Deputeti iranian dhe komandanti i lartë i Gardës Revolucionare, Esmail Kosari, deklaroi për “Young Journalist Club” se:
“Mbyllja e ngushticës së Hormuzit është në agjendën tonë dhe do të ndodhë kurdoherë që ne e konsiderojmë të nevojshme.”
Ndërkohë, autoritetet perëndimore janë vënë në gjendje alarmi. Operacioni i Tregtisë Detare i Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO), krahu operativ i Marinës Britanike për mbikëqyrjen e anijeve tregtare, paralajmëroi për “rrezik të lartë” për anijet amerikane dhe të aleatëve të tyre në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit.
Analistët paralajmërojnë se një vendim i tillë nga Irani për të mbyllur ngushticën do të përbënte një nga aktet më të rënda të presionit strategjik në dekadat e fundit, me pasoja të mundshme në rritjen e çmimeve të energjisë në tregjet globale, si dhe në përshkallëzimin e krizës ekonomike dhe gjeopolitike në Lindjen e Mesme./K.C/dritare.net

















