Birra falas dhe iftarë elektoralë: lufta me çdo mjet e të vegjëlve për Shkodrën

“Njerëzve u ka ardhur politika në majë të hundës,”thotë Romeo Gurakuqi ende pa u ulur mirë në njërën prej kafeneve të pedonales kryesore të Shkodrës. Përballë duket selia e Partisë Demokratike dhe një varg flamujsh blu të varur në ballkon- të vetmit që të rrok syri rrugëve të qytetit.

“Po punojmë fort që të kthejmë besimin”!

Një muaj pasi u kap në befasi nga lajmi se do të kryesonte listën e PD për Shkodrën, Gurakuqi, profesor i historisë moderne dhe akademik prej dy dekadash është përfshirë kokë e këmbë në fushatë për të motivuar qytetarët e Shkodrës që tú drejtohen kutive të votimit më 25 Qershor.

Ambicia e PD-së në këto zgjedhje është rikthimi i Shkodrës në shtratin natyral të bastionit të djathtë. Por ky objektiv përballet me vështirësi; mbështetësit e partisë po shkojnë të ndarë drejt kutive të votimit, ndërsa një përqindje më e ulët se në vitin 2013 do ta penalizonte PD-në më shumë se partitë e tjera.

Në kampin kundërshtar, strategjia është disi e ndryshme. Më shumë se sa nxitja për të rritur përqindjen e votuesve, Partisë Socialiste i shkon për shtat bindja e votuesit të majtë që të zgjedhin vetëm numrin 2.

“Mesazhi ynë është i qartë; çdo votë për partitë e vogla është votë e çuar dëm,” thotë Senida Mesi, një eksperte e sistemit bankar dhe e treta e listës së Partisë Socialiste në Shkodër.

Nën shembullin e liderëve të tyre, Romeo Gurakuqi dhe Ditmir Bushati e nisën garën me një shtrëngim publik duarsh dhe përgjatë 4 javëve, secili ka lëvizur në korsinë e votuesve të vet tradicionalë.

Pakti Rama-Basha ç’tensionoi situatën në nivel lokal, ku ndryshe nga fushatat e mëparshme mungojnë flamujt elektoralë dhe retorika agresive. Megjithatë, makina të blindura shfaqen hera-herës në rrugët e Shkodrës, ndërsa një betejë e ashpër po zhvillohet nën hijen e dy partive të mëdha.

Përfaqësues të shoqërisë civile dhe gazetarë lokalë i thanë BIRN se lajmi i këtyre zgjedhjeve është “lufta e të vegjëlve për të ndarë së paku dy mandate deputetësh”. Pretendentët janë Lëvizja Socialiste për Integrim, Tom Doshi-deputeti kontrovers i mënjanuar nga Partia Socialiste dhe Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, e cila përfaqësohet nga biznesmeni Sait Fishta.

Në betejën mes tre partive konkurrente po përdoret çdo mjet-nga ofertat për punësime e deri tek kurdisja e ndjeshmërisë fetare.  BIRN mësoi gjithashtu nga disa burime që preferuan të mos identifikoheshin se numërimi mbrapsht drejt ditës së zgjedhjeve ka zgjuar tentativat për blerje vote për komunitetet në vështirësi si dhe ka hapur banaqet e lokaleve për birra dhe vakte falas.

Partitë janë vënë gjithashtu në radhë për iftarë elektoralë me imamë e besimtarë myslimanë –një garë e cila dominohet dukshëm nga kandidati i PDIU-së për Shkodrën.

LSI, sandwitch mes PS dhe PD

Me 264 mijë votues në listë, por vetëm gjysmat aktivë, Shkodra do të çojë në Parlament 11 deputetë. Në vitin 2013, koalicioni i majtë PS-LSI i ndihmuar nga Doshi dhe partia e vogël e Mark Frrokut-tashmë i burgosur mori 6 mandate, ndërsa koalicioni i djathtë zbriti në minorancë për herë të parë pas dy dekadash.

Në mungesë të satelitëve të saj, Partia Socialiste duket se i ka kthyer projektorët nga votuesit e katërfishuar të Lëvizjes Socialiste për Integrim përgjatë viteve 2009-2013.

Drejtuesit politikë të LSI në Shkodër ankohen për shkarkime të padrejta nga puna të njerëzve të saj apo për shantazhe që vijnë më së shumti nga ish-aleatët socialistë. Dritan Ylli, i renditur i dyti në listën e LSI i tha BIRN se ndryshe nga PS dhe PD, drejtuesit lokalë të partisë së tij janë të vetmit që po penalizohen për të mos marrë pjesë në fushatë.

“Është krejt i dukshëm agresiviteti deri në kufinjtë e shantazhit ndaj LSI…Presione gojë më gojë apo vesh më vesh bëhen edhe ndaj votuesve tanë,”tha Ylli për BIRN.

Vija e zjarrit me LSI lidhet me njerëzit e punësuar në administratë. Disa drejtues lokalë të partisë së themeluar nga Ilir Meta janë pezulluar apo shkarkuar nga puna gjatë javëve të fundit me gjasë për të demoralizuar të tjerët.

LSI duket se është kundërpërgjigjur me premtime të reja! BIRN raportoi mbi hapjen e procedurave për punësime në burgun ende të papërfunduar të Reçit nga përfaqësues të LSI. Kjo skemë u kallëzua në Prokurori edhe nga ministri teknik i PD, ndërkohë që Ylli e cilësoi akuzën si “sajesë të turpshme dhe spekulim”.

E pyetur mbi ankesat e LSI, kandidatja socialiste Senida Mesi i tha BIRN se nervozizmi i ka rrënjët tek mungesa e koalicioneve- ç’ka sipas saj shkakton një presion më të madh për partitë e vogla.

“Po mundohen me të gjitha mënyrat për t’u përfaqësuar në parlament. Me mekanizmat e tyre me punësimet, punësimet nepotike apo premtimet për punësime të ardhshme,” tha Mesi, pa përjashtuar edhe tentativat për blerje vote.

“Ky nuk është rasti i dy partive të mëdha, PS dhe PD,” shtoi ajo.

Pavarësisht etiketimit si parti e vogël, Dritan Ylli përsëriti shprehjen e përdorur edhe në qendër se “LSI do të jetë forcë e parë në Shkodër”.

“Kemi një organizim të jashtëzakonshëm kapilar dhe horizontal, ka të rinj dhe të reja që bashkë me strukturat mbulojnë çdo qendër dhe cep të qytetit në shërbim dhe në komunikim me qytetarët,” tha Ylli.

“Të rinjtë nuk shantazhohen dhe nuk tremben karshi asnjë presioni,” shtoi ai.

Faktori Doshi dhe PDIU   

Ndryshe nga qyteti i Shkodrës, siglat e PSD dhe LSI konkurrojnë për hapësirë në rrugën kryesore të fshatit Trush-një ndër më të mëdhenjtë e qarkut dhe vendlindja e Tom Doshit. Dy qendrat elektorale ndodhen përkrah njëra-tjetrës.

LEXO DHE :  Video/ Ja sesi makineritë e rënda, shqetësojnë pushuesit në plazhin Durrësit!

Një mbështetës i Partisë Demokratike, që po shtyn drekën në krahun tjetër të rrugës ironizon megjithatë me zellin e shfaqur prej tyre.

“Malli që s’shitet kërkon reklamë,” bën humor ai.

Trushi, pjesë e njësisë administrative të Bërdicës ka 2700 votues, por verifikimet në terren tregojnë se rreth 1 mijë prej tyre kanë emigruar jashtë shtetit. Papunësia është problemi kryesor i zonës-veçanërisht për brezin e ri.

Shtabi elektoral është i mbushur me fotografitë  e tij dhe sloganin e goditur:  “Partia jeme asht elektorati”. Flamuj të vegjël të Partisë Socialdemokrate-subjekt inekzistent deri më tash në Shkodër rreshtohet në shkallët e pjerrëta që të çojnë në godinë.

Deputet i Partisë Socialiste prej vitit 2005, Tom Doshi bëri disa pirueta derisa u shfaq në krah të partisë së Gjinushit për zgjedhjet e 2017.  Në vitin 2013, pronari i kompanisë më të madhe farmaceutike në vend përmendet si një faktor i rëndësishëm i fitores së Ramës në Shkodër, por ai u përjashtua nga Partia Socialiste në vitin 2015, pasi denoncoi “një skenar për vrasjen e tij me porosi të Metës”.

Fushata e Doshit në Trush po bëhet nga një grup të rinjsh 25-30 vjeçarë, të gjithë të papunë.

“Partitë e tjera vijnë e ikin dhe populli asht lodhë me ta. Ne u themi të mos shohin partitë por individin-Tom Doshi është njeriu ynë dhe është kujtuar gjithmonë për Trushin,” thotë njëri nga vullnetarët, i cili kërkon më pas që të mos i përmendet emri.

“Presim të marrim 500 vota në këtë fshat,” shton ai.

Pa një parti të fortë nga pas, Doshi po lufton të kapë kuorumin e votave në zonën e Nënshkodrës, por edhe në territorin që 4 vjet më parë i dha mandatin Mark Frrokut.

Profili i tij në Facebook pasqyron takime elektorale në Vaun e Dejës, Fushë-Arrëz dhe Pukë, së bashku me aktivitetet në Shkodër dhe rrethinat e saj.

Në qendrën elektorale të Trushit, djemtë që i bëjnë fushatën janë të bindur se ai do të jetë sërish në Kuvend. Në fushatën derë më derë, ata bëjnë thirrje për votimin e Tom Doshit dhe programit të Partisë Socialiste,  pasi sipas tyre janë në një koalicion.

Vullnetarët e fushatës së Doshit i quajnë qesharake diskutimet për shitjen e votës, ndërsa thonë se askush nuk ka mbetur për 5 mijë lekë. Në të kundërt, ata thonë se Doshi ka ndihmuar personalisht dhjetra njerëz me probleme shëndetësore, jo vetëm në Shkodër.

“Ka bërë bamirësi për shumë njerëz…Askush nuk mund ta pengojë atë të bëjë bamirësi,” thotë njëri prej tyre.

Ndryshe nga Doshi që po e kërkon mandatin e tij në zonat periferike, kandidati i PDIU-së për Shkodrën, Sait Fishta, edhe ky biznesmen po shpreson që të fitojë avantazh përmes angazhimit të  komunitetit mysliman të Shkodrës.

Profili i tij në Facebook tregon se Fishta ka organizuar disa iftare radhazi, ndërkohë që mitingu i PDIU-së përballë pallatit Migjeni në Shkodër kishte mbledhur besimtarë të shumtë dhe gra të komunitetit mysliman, të mbuluara me shami.

PDIU është partia kryesore, por jo e vetmja që përmes iftarëve synon të miklojë besimtarët myslimanë.

Në Pukë-një tjetër bashki e qarkut të Shkodrës, Myftiu Gëzim Kopani deklaroi se do të bojkotojë të gjithë iftarët që organizohen nga partitë politike.

“Më mirë një iftar se sa shumë dhe me politikën nëpër këmbë. Është e shëmtuar të lejosh përdorimin e sofrës së iftarit nga njerëz që…e përdorin fenë, iftarin apo diçka tjetër në këmbim të votës,” deklaroi ai.

Shans i humbur

Fushata për zgjedhjet e 25 qershorit është atipike jo vetëm në formë. Mes tre partive kryesore politike dhe retorikës së tyre, është e vështirë të dallosh se kush ka qenë në qeveri dhe kush në opozitë.

Në intervista të veçanta për BIRN, Romeo Gurakuqi kritikoi qeverinë qendrore për lënien e Shkodrës në harresë, ndërsa Senida Mesi e PS e vuri theksin tek mungesa e menaxhimit dhe e vizionit të bashkisë në dy vitet e drejtuara nga Voltana Ademi i PD.

“Shkodra e vitit 2017 ka ngrirë në 2013-ën. Ajo ka marrë fonde sa bashkia e Roskovecit nga qeveria qendrore, ndërsa xhepat e varfërisë janë shumë të mëdhenj. Zbutja e pabarazisë është në zemër të programit tonë,” tha Gurakuqi për BIRN.

“Shkodra po amortizohet çdo ditë, ndërsa bashkia ka mungesë të theksuar vizioni për të menaxhuar qytetin. Kam parë projektet e qyteteve më të vogla si Tropoja apo Kukësi që janë ku e ku më të mira se ato të bashkisë së Shkodrës,” tha Mesi.

Programi i Lëvizjes Socialiste për Integrim premton gjithashtu të kurojë plagët e varfërisë dhe papunësisë përmes uljes së taksave për biznesin dhe gjenerimit të vendeve të punës. Ajo shfaqet në oponencë me Partinë Socialiste për shtrëngimin e qytetarëve për të paguar njëherazi faturat e energjisë elektrike, por edhe për fenomene në nivel kombëtar si kanabizimi i vendit apo koncesionet e pastudiuara.

Qytetarët e pavarur dhe aktivistët e shoqërisë civile kanë qëndruar larg retorikës së partive, duke e quajtur këtë fushatë “një shans të humbur  për Shkodrën”.

Mirsad Basha, drejtues i organizatës Eko Mendje i tha BIRN se fushata vërtet nuk është e zjarrtë, por nuk është as e bukur.

“Në këtë fushatë nuk ka pasur asnjë debat, asnjë diskutim me grupet e interesit për problematikat e Shkodrës. Kemi kërkuar që marrim pjesë në debate me të gjitha krahët, por askush nuk na ka ftuar deri më tani,” thotë Basha.

“Të mërzitur e të lodhur, qytetarët po qëndrojnë larg takimeve elektorale,” përfundon ai.

Aleksandra Bogdani/ Birn

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.