Na ndiqni edhe në

Shkruaj në Dritare

Biblioteka e Tiranias

Biblioteka e Tiranias

Nga Xhafer Rakipllari

Biblioteka e së ardhmes do të jetë një vend ku frymorët nuk do të guxojnë të hyjnë. Për shkak të mallkimit të një profani, biblioteka do të shndërrohet në një kullë ferri. Në të do të jetësohen personazhe romanesh, të cilët në emër të hakmarrjes që njerëzit i burgosën ndër libra, do të shkaktojnë kaos e përhapin dëshpërim. Njëherë e në ca kohë një krijesë hakmarrëse mbushur me urrejtje do të dalë jashtë bibliotekës dhe do të sulmojë njerëzit. Banorët e Tiranias do ta mbajnë të fshehtë këtë vend për të mos përhapur panik dhe vetëm disa syresh do të mund të futen brenda për të kyçur personazhet letrare të radhës. Fatkeqësisht ata që futen nuk do të dalin jashtë kurrë.

Biblioteka do të përbëhet nga tre seksione të mëdha: letërsia e sendërgjuar (fiction-krijimtaria), “jo-fiction” dhe poezia. Njerëzit që mbahen mbyllur në këto seksione do të jenë gjithmonë në kërkim të daljes.

Në letërsinë e trillit do të ketë do të ketë tiranosaurë, monstra e vampirë. Edhe personazhet e kësaj letërsie do të jenë bajagi të rrezikshëm. Getsbi do të presë pas një rafti të zbrazur librash me thikë në dorë. Mos u gënjeni nga kaçurrelat e Gorit. Ai do t’ju ndjekë pas me një pisqollë dygrykëshe për t’ju thënë “Hasta la Vista”.

Pjesa e “jo-fiction” do të përfshijë biografitë, autobiografitë dhe do nënndarje të tjera informative. Megjithëse kjo pjesë e bibliotekës nuk do të jetë aq kërcënuese sa pjesa “fiction”, ajo do të mbetet një vend i pështirë. Rafte të thyer librash si të ketë ndodhur një përleshje me dema. Do të shquhen rëndom personazhe që shoshitin çështje sociale dhe politike. Bie fjala, Martin Luteri do të debatojë me Fidel Kastron, ndërsa politikani i zëshëm shqiptar Filan Fisteku me një gjirafë çmendurake.

Seksioni i poezisë do të jetë më mizori. Atje nuk do të ketë personazhe të etur për gjak, por një labirint pinkflojdian tullash. S’do të ketë çati. Lart veç qielli i terrtë, pa hënë, që s’ndryshon kurrë. Atmosfera do të ngjallë emocione (a krupë) që ndryshojnë vazhdimisht, si dhe “mejtime” rreth çështjesh si jeta dhe vdekja, kuptimi i së mirës dhe së keqes, e bukura, padrejtësia, dhuna, bota matanë…

Bash në këtë terr një vogëlushe do t’ia thotë ninullës gjersa njeriu që ndodhet në labirint të arrijë pikun e çmendurisë. Ç’është më e keqja, në këtë vend koha do të fluturojë pa asnjë ngjashmim me botën jashtë. Pa e ditur kush, një minutë në botën e jashtme do të jetë e barabartë me 100 vite në seksionin e poezisë në bibliotekë.

Biblioteka e Tiranias do të jetë një hon ferri. Në “buzët” e tij honxhobonxhot do të derdhin rrëke “dollish”./ Dritare.net