Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

BE siguron shqiptarët: Nuk ka kthim vizash

BE siguron shqiptarët: Nuk ka kthim vizash
Është përfolur shumë se disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian do të kërkojnë kthimin e regjimit të vizave për Shqipërinë, por këto deklarata i ka hedhur poshtë ditën e sotme Komisioni Evropian i cili po raporton sot për funksionimin e regjimit pa viza me vendet e Ballkanit Perëndimor si dhe me vendet e Partneritetit Lindor.

Komisioneri për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitris Avramopoulos tha se është i përkushtuar për ta ruajtur udhëtimin pa viza për qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndërsa ka përshëndetur përpjekjet e Shqipërisë për forcimin e masave për emigrantët e parregullt. Ai tha se duhet luftë ndaj krimit të organizuar.

“Ne jemi plotësisht të përkushtuar për ta ruajtur udhëtimin pa viza për qytetarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të Partneritetit Lindor. Por kjo shoqërohet me përgjegjësi, si për qytetarët ashtu dhe për autoritetet përkatëse. Unë përshëndes përpjekjet e bëra nga autoritetet shqiptare për forcimin e masave për trajtimin e migrimit të parregullt dhe përmirësimin e bashkëpunimit me Shtetet Anëtare më të prekura deri tani.

Megjithatë, tani përpjekjet duhen mbështetur më tej për të siguruar që progresi të vazhdojë i pandërprerë, veçanërisht fushatat e ndërgjegjësimit mbi detyrimet dhe kushtet e udhëtimit pa viza dhe përmirësimi i kontrollit të kufijve, si dhe shtimi i hetimeve dhe ndjekjes penale të grupeve të krimit të organizuar”- tha Dimitris Avramopoulos./ I.M-Dritare.net