
Basha nga Divjaka: Shteti i trajton shqiptarët si lopë, për t’i mjelë
Dritare.net

Basha tha se, me vijimin e këtyre takimeve ka zgjedhur ta shohë krizën e vendit me sy, dhe jo të qëndrojë në Tiranë. Kryedemokrati u shpreh se, shteti i trajton shqiptarët si lopë për t’u mjelë.
“Ju do pyesni mos është më mirë që kryetari i opozitës të rrijë në Tiranë e të merret me krizën politike! Unë kam zgjedhur ta shoh këtë krizë me sytë tuaj. Kam ardhur të ju dëgjoj e të shtrojmë së bashku zgjidhjet për hallet që i kanë vënë përfund familjet shqiptare, veçanërisht në zonat rurale. Blegtoria është totalisht e braktisur duke nxitur më shumë braktisjen e zonave rurale. Fshatrat tona zbrazen që të nxitet importi i produkteve nga jashtë sepse kontrollohet nga 4-5 oligarkë të kalçetos dhe kjo bie në kurrizin tuaj. Dixhitalizimi i bujqësisë është jetësor. Me një çip shmang burokratët dhe hajdutët, duke ofruar subvencionet direkte. Është fare e thjeshtë, sepse çipi nuk kërkon kafe. Mendja e këtij shteti është të nxjerrë edhe kacidhet nga xhepi juaj. Ka nxjerrë lloj-lloj mënyrash për ta bërë këtë. Ne ofrojmë liri për të punuar dhe për të fituar. Liria dhe çlirimi nga frika e shtetit është gjëja e parë që do të bëjmë. Nuk do të shikoni më inspektorë si grerëza pas mjaltit që vijnë t’ju marrin ju gjithçka. Zgjidhja e duhur për fermerët që të punojë rehat është zerimi i kostos së prodhimit dhe kjo bëhet vetëm me skemën e subvencioneve direkte. Sot shtetin e keni kundër dhe ju shikon nga xhepi se si t’ju marrë edhe kacidhen e fundit. Shteti nuk është për t’ju ndihmuar. Ky shtet është një kalçeto hajdutërie e korrupsioni. Ky shtet ju sheh vetëm si lopë për t’ju mjelë. Që nga 1912, Edi Rama është i vetmi që ka arritur rekordin që Shqipëria të jetë e treta në botë më e korruptuar. Zgjidhja është që paratë që shkojnë tek ata oligarkë të kalçetos të shkojnë tek fermeri. Koncensionet dhe PPP-të do të anulohen dhe paratë do të kthehen në shërbim të njerëzve. Për fermerët do të kthehen në një buxhet 100 milion euro për mbështetje direkte për fermerin.”,- tha Basha/K.C/dritare.net

















