Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Avokatët bojkotojnë pa afat GJKKO-në! Edhe Gjykata e Tiranës në bojkot për pagat

Sistemi i drejtësisë vijon të përballet me një situatë të pazakontë, me bojkotet që kanë prekur disa prej institucioneve gjyqësore në vend.

Nga sot, avokatët kanë nisur bojkotin pa afat të seancave në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), në kundërshtim të rregullores së re të gjykatës, veçanërisht për ndalimin e mbajtjes së celularëve në sallat e gjyqit.

Vendimi është marrë nga Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës së Avokatisë dhe do të vijojë deri në pezullimin e rregullores. Avokatët argumentojnë se disa prej kufizimeve pengojnë ushtrimin e profesionit dhe cenojnë përdorimin e mjeteve të punës gjatë proceseve gjyqësore.

Përjashtim bëjnë vetëm seancat për masat e sigurisë, në mënyrë që të mos penalizohen personat e arrestuar dhe të respektohen afatet ligjore për vlerësimin e masave të sigurisë.

Ndërkohë, paralelisht me bojkotin e avokatëve në GJKKO, administrata e Gjykatës së Tiranës ka hyrë në ditën e dytë të bojkotit, për shkak të mosmarrjes së pagave të muajit gusht. Punonjësit dhe sekretarët gjyqësorë të Dhomës Civile dhe Penale kanë ndërprerë shërbimet administrative dhe kërkojnë zgjidhjen e ngërçit të krijuar.

Në Gjykatën e Tiranës, për të mos penalizuar personat e arrestuar, vijojnë të zhvillohen vetëm seancat që lidhen me caktimin e masave të sigurisë. Një ditë më parë, bojkotit për shkak të pagave iu bashkua edhe administrata e Gjykatës së Apelit.

Kriza e pagave ka përfshirë gjyqtarë, prokurorë dhe administratën e sistemit të drejtësisë, pas mosmarrëveshjeve mbi zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për formulën e re të pagave.

Në këtë situatë, kryetarët e gjykatave janë mbledhur në Gjykatën e Lartë dhe kanë vendosur që më 10 shtator të zhvillohet një mbledhje e jashtëzakonshme e Përgjithshme e Gjyqtarëve, ku pritet të diskutohet situata dhe hapat e mëtejshëm.

Ndërkohë, Dhoma e Avokatisë kërkon pezullimin e rregullores së GJKKO-së, ndërsa mediat dhe organizatat ndërkombëtare të gazetarëve kanë kundërshtuar gjithashtu disa prej kufizimeve të vendosura për raportimin nga Gjykata e Posaçme.