

“-Duhet të hetosh mbi një histori të vjetër familjare: një histori që ka të bëjë me stërgjyshen tënde, gjyshen time.
Nuk dija ç’të thosha. Stërgjyshja ishte një argument tabu në familje. Nuk flitej kurrë për të. Dhe unë me kushërinjtë e mi, nuk ia kishim dalë të zbulonim pothuaj asgjë për atë personazh misterioz, në lidhje me të cilën ishte e ndaluar të bëje pyetje dhe për të cilën nuk ekzistonte as edhe një fotografi”.
***
Ajo quhet Amelia Garajoa, epiqendra e librit për të cilin do t’ju rrëfej. Në shtëpi nuk është folur kurrë për të. Në fillim ka heshtur i shoqi. Pastaj edhe i biri s’ka folur kurrë për të ëmën me askënd. I vogël as që e ka ditur se pikërisht ajo është nëna e tij dhe jo gruaja që e ka rritur. Por edhe pasi e ka marrë vesh, asgjë s’u ka thënë fëmijëve. Ndoshta ngaqë s’e fali kurrë që e braktisi. E pastaj, edhe fëmijët e tij asgjë s’u kanë thënë fëmijëve të tyre. Ç’mund t’u thoshin? Një nënë, një gjyshe e më pas stërgjyshe misterioze. Hapësirë e zbrazur. Por boshllëku është i mundimshëm. Mesa duket, vjen një moment dhe ne ndjejmë nevojën të lidhim fijet e këputura të jetës sonë. Duam të dijmë të shkuarën, duan të njohim vetveten. Mbesat duan të njohin gjyshen. Guliermo, është gazetar, ai di të hetojë. Dhe kështu merr detyrën për të gjetur gjurmët e stërgjyshes së tij, për ta njohur për t’ia mësuar hapat që ka hedhur në jetë, gjithnjë larg prej tyre, pa e ditur se edhe ai vetë po i hyn një aventure të paimagjinueshme…
E kam fjalën për librin MË THUAJ KUSH JAM të shkrimtares spanjolle JULIA NAVARRO, një libër, nuk e dyshoj aspak, që do të mbushë orët tuaja të leximit me padurimin për t’i shkuar deri në fund të historisë. Dhe është jo pak por një histori 700 faqëshe.
Libri bën bashkë historinë me H të madhe dhe letërsinë. Është historia e një gruaje që ka jetuar një aventurë të pangjashme, të papritur, magnetizuese, por është edhe historia e botës për një kohë të gjatë të saj, pothuaj një shekullore… një histori luftrash që turbullon jetë e shpirtra njerëzish.
***
Kush është Amelia Garajoa?
Cila është historia e saj?
Me dy fjalë mund të them se është historia e një gruaje tragjike që rasti por edhe prirja e brendshme e çoi të ishte e pranishme në momentet më kulmore të historisë moderne të botës.
Fëmijëria e Amelia Garajoas është ajo e një vajze që lind në një familje pasanikësh. Por, mesa duket nuk ka lindur në një moment të përshtatshëm. Përkundrazi ka lindur në një kohë përmbysjesh të mëdha. E para është lufta civile e Spanjës që i trondit themelet e një fëmijërie që përndryshe do të ishte e qetë dhe pa drama. Amelia është vajza e brishtë edhe në karakter sikurse në pamje ama, aventura është joshje e parezistueshme për të.
Santiago, pasanik edhe ai e bën për vete vajzën e re, të dy vendosin të martohen. Porse për bukuroshen e brishtë nuk është e mjaftueshme që të jetë e përkëdhelura e fatit. As edhe kur bëhet nëna e një fëmije që natyrshëm shndërrohet në qendër të vëmendjes së saj. Ngjarjet e zhurmshme që ndodhin përreth e tërheqin si magnet. Fillon të ndjekë takimet politike në qytet ku njihet me një komunist. Pjeri është një burrë i bukur, joshës. Por jo vetëm pamja e tij i bën përshtypje Amelias. Bindjet politike e ngacmojnë më shumë. Aq sa kur Pjeri i propozon t’ia mbathin së bashku, nuk i reziston dot. Dhe ikën Amelia, arratiset me të dashurin.
Gjithsecila grua do ta gjykonte pa hezitim Amelian. Gjithsecila grua do të kundërshtonte haptas vendimin e saj. Sepse ajo, duke ndjekur pas Pjerin nuk po braktis thjesht burrin (që mund të ketë mëkatet e tij) me të cilin ka krijuar familje. Më shumë se kaq, Amelia, braktis, edhe pse me dhimbje të madhe, fëmijën e sapolindur.
Është shumë e re, e papërgjegjshme, e papjekur, porse ndjenja e nënës natyrshëm brenda gjithsecilës grua duhej ta ndalonte për të marrë një vendim ekstrem. E megjithatë ikën. I shkon pas Pjerit. E lë djalin në duart e dados. Dhe nuk është duke shkuar diku aty afër. Nuk po shkon në lagjen tjetër duke shpresuar se djalin do të ketë rastin ta shohë gjithsesi duke u rritur. Ajo ikën larg, në Francë e prej andej, akoma më larg, kapërcen oqeanin dhe fillon me të dashurin një jetë tjetër, në Argjentinë…
***
Arratisja e Amelias është vetëm fillimi i një aventure të madhe. I një aventure që zgjat pothuaj një shekull, aq sa vijon jeta e gjatë e një njeriu që për më tepër fati, rrethanat, historia e botës por edhe nxitja individuale e çon të përshkojë globin e tërë.
Pas luftës së Spanjës, fillon Lufta e dytë botërore, e pas Luftës së dytë botërore vijon Lufta e ftohtë. Kurse Amelia Garajoa është në çdo çast e përfshirë, mu në zemër të luftës e të historisë së madhe.
Sakaq, marrëdhëniet e saj me burrat i japin një ton të jashtëzakonshëm historisë, apo historive që përshkruhen në 700 faqet e librit. Pra, aventurë, tension, të papritura, ankth. Është krejt e pamundur të parashikohet se çfarë do të ndodhë. Amelia Garajoa është një Mata Harri. Sepse jeta e saj vijon ngjashëm me një nga spiunet më të mëdha të kohërave e që ka mbetur në histori. Pra, Amelia e bukur, imcake dhe e brishtë, shndërrohet në një spiune. Një spiune me pistoletë në brez, që vret pa iu dridhur qerpiku; hidhet në aksione vështirë të imagjinueshme edhe për burrat; torturohet nga Gestapoja; burgoset, e sheh vdekjen me sy; mbijeton e në fund, sa herë heq dorë e vendos t’i kthehet jetës së qetë, ndryshon vendim e i ekspozohet e riekspozohet rrezikut. Pra, rreziku është ai që e magnetizon, e papritura, e panjohura. Ama, thellë brenda saj e mban besimi dhe bindja se diçka të mirë është duke bërë. Diçka që i tejkalon përmasat e saj prej njeriu të zakonshëm.
***
Pasi ka braktisur të shoqin dhe djalin, pasi ka ikur me Pjerin, dhe është vendosur në Argjentinë, Amelia zbulon thellësinë e dramës së saj. NUK PASKËSH QENË DASHURIA QË E KA NXITUR PJERIN DREJT SAJ. Nuk ka qenë dashuria që e ka bërë djaloshin e bukur komunist që t’i propozojë Amelias të arratisen së bashku. Jo. Ai qenkësh spiun dhe ka vendosur ta marrë Amelian me vete për t’u maskuar, për të fshehur gjurmët, për t’ia bërë vetes më të lehtë punën prej spiuni. Ka dashur ta përdorë pra. Por Amelia e zbulon me vonesë këtë dhe krejt rastësisht. Tashmë nuk ka kthim prapa. Jo vetëm ka ikur nga shtëpia, jo vetëm ka braktisur burrin e mbi të gjitha djalin, por prej një kohe të gjatë jeton përtej oqeanit. Si mund të kthehet? S’ka as para, nuk ka punuar kurrë. E sikur të mos mjaftonin të gjitha, ajo është ndarë përfundimisht nga i biri: nuk do ta takojë kurrë më, nuk do të mund ta shohë tek rritet, nuk do të mundet ta përkëdhelë qoftë dhe herë pas here, nuk do të mund t’i thotë as që është e ëma. Familja e të shoqit nuk do ta lejojë, ndërsa i biri do të rritet me mendimin se tjetërkush është e ëma e tij.
Por kjo është vetëm një copëz e dramës së fuqishme të Amelias.
***
Skenat ndryshojnë vazhdimisht, edhe protagonistët. Amelia gjithnjë në qendër. Përballë saj, veç rrezikut dhe luftës, burra të tjerë. Pas Pjerit është Maksi. Djaloshi joshës gjerman, teksa lufta e dytë botërore ka plasur, është oficer ushtrie. Ai shkon në luftë si mjek dhe është i dashuri i radhës i Amelias. Nuk është një histori kaq e thjeshtë. Sepse destin i Amelias nuk janë historitë e thjeshta. Ai është i martuar dhe lidhja e tyre nuk mund të jetë një lidhje e paqtë e dy njerëzve që dashurohen e më pas martohen për të jetuar së bashku. Akoma më shumë, ndërsa Maksi dhe Amelia jetojnë historinë e tyre të dashurisë, gruaja e Maksit sjell në jetë djalin e shumëpritur. Ndërkaq, bota e tërë është e pështjelluar, lufta i ka vënë zjarrin gjithë globit.
Por ka akoma: ndërsa në raportin e Amelias me Pjerin ishte ky i fundit spiuni që mashtronte të parën, në lidhjen me Maksin është Amelia që mashtron ndërsa ka pranuar të bëhet spiune e britanikëve. Që ndryshe do të thotë, Amelia spiunon Maksin. Ajo po e përdor Maksin, po përdor dashurinë që ai i ofron duke e besuar pa dyshimin më të vogël. Ajo është e dashuruar me Maksin. Nuk i pëlqen që e mashtron, e megjithatë e mashtron. Fotografon dokumentet e tij në çantë, i transmeton të gjitha informacionet të cilat me dinakëri i nxjerr prej tij. E turbullon kjo gjë por përpiqet të qetësohet me idenë se është duke bërë një gjë të madhe: PO PUNON QË TË SHPËTOJË BOTËN nga një përbindësh sikurse HITLERI. Edhe vetë Maksi, tek e fundit, edhe pse pjesë e ushtrisë gjermane, është kundër Hitlerit, nuk i miraton vendimet dhe veprimet e fyhrerit.
Por ajo që nuk di Amelia është se me veprimet e saj po rrezikon vetë Maksin. Dhe e rrezikon seriozisht: një bombë shpërthen mbi makinën e tij. Fitilin ka të ngjarë ta ketë ndezur Amelia me dorën e saj. Ajo ka vrarë edhe më parë, por me Maksin është tjetër gjë…
***
Deri tani, kam zbuluar pak, fare pak nga libri MË THUAJ KUSH JAM. Sigurisht sepse është e pamundur që një libër i tillë të zbulohet me një shkrim. Sepse historitë e këtij libri janë të pafundme. Shumë dramë, shumë burra, shumë të papritura… Sepse jeta e Amelias është një minierë e jashtëzakonshme në errësirën e të cilës përpiqet të depërtojë tashmë Guliermi, stërnipi që kërkon ta njohë stërgjyshen, dhe sa më shumë ecën nëpër tunel aq më shumë magjepset dhe kureshtja nuk e lë të ndalet e aq më pak të kthehet pas…
Por, siç e thashë më lart, një nga vlerat e jashtëzakonshme të librit është zbulimi i historisë. I historisë me H të madhe, historisë së globit. Sigurisht protagonistja është e trilluar nga një shkrimtare ama tek ajo protagoniste janë bashkuar në një, histori të vërteta protagonistësh të vërtetë.
Gjejmë në librin e Julia Navarros: Luftën e Spanjës, Luftën e dytë botërore, copëza jete e mbijetese të vendit të Hitlerit apo të Duçes, të Polonisë së getos së parë të hebrejve; të kampeve të përqendrimit, të qelive të Gestapos, të Egjiptit ku u arratisën pas luftës shumë hitlerianë, të Berlinit të luftës por edhe të Berlinit lindor të luftës së ftohtë…. Edhe në Rusi, padyshim, shkon Amelia. Sepse nuk mund të mos zhvillohet në zemër të Moskës një pjesë e rëndësishme e librit ku njihemi me tmerret e Lubjankës së famshme por edhe të njerëzve të thjeshtë të kohës së llahtarshme të Stalinit.
Si një kurorë qëndrojnë përmbi, historitë e dashurisë së një vajze të bukur që bëhet grua fatale e që trondit jo pak meshkuj, me dhe pa pushtet, të një spiuneje gjithashtu.
Guliermo e zbulon rrugëtimin e stërgjyshes, e shkruan atë në një libër, që është një libër magjepsës jo vetëm për të dhe familjen, por për çdo lexues, tashmë nën titullin MË THUAJ KUSH JAM./dritare.net

















