Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ambasadori i ri amerikan Eric Wendt zhvillon takimin e parë me Edi Ramën

Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Eric Wendt, ka zhvilluar takimin e parë të mirëseardhjes me kryeministrin Edi Rama, pas nisjes zyrtare të misionit të tij diplomatik në vendin tonë.

Takimi vjen pak ditë pasi, më 26 shtator, Wendt i dorëzoi letrat kredenciale Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, duke nisur zyrtarisht detyrën e tij si përfaqësues diplomatik i SHBA-së në Shqipëri.

Kryeministri Rama ka ndarë në rrjetet sociale një fotografi nga takimi me ambasadorin e ri, të cilën e ka shoqëruar me mesazhin: “Mirë se erdhe”.

Eric Wendt është ambasadori i 11-të i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri që prej vitit 1991, kur u rivendosën marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve.

Wendt pason në këtë detyrë Yuri Kim, ndërsa prej vitit 2023 Ambasada e SHBA-së në Tiranë është drejtuar nga Nancy VanHorn, e cila ka shërbyer si e ngarkuar me punë.

Me marrjen e detyrës së re, Wendt pritet të fokusohet në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, në një periudhë kur bashkëpunimi në fushën e sigurisë, mbrojtjes, ekonomisë dhe integrimit euroatlantik mbetet në qendër të agjendës së dy vendeve./L.F-dritare.net