

Duke qenë kështu rrëfimi i tij sot në DITA hedh më shumë dritë mbi karakterin e ish-Kryeministrit deri në fundin e tij tragjik në natën e 17-18 dhjetorit të 35 viteve më parë.
Sipas ish-Presidentit ka pasur një skenar të qartë për eliminimin e Mehmetit dhe kjo me qëllimin e vetëm që Mehmetit të mos dilte në krye pas vdekjes së Enverit.
– Zoti President, ju e kini njohur nga afër Mehmet Shehun dhe kini punuar me të. Çfarë kujtimesh ruani nga ai?
– Po, unë e kam pasur Mehmet Shehun Ministër të Mbrojtjes, ndaj do të jap disa mendime, duke u përqendruar në cilësitë e tij personale si drejtues, administrator dhe burrë shteti, në vitet 1974- 1979 dhe më pas deri në vitin 1981, kur ai kreu vetëvrasje, periudha në të cilën unë kam punuar direkt nën drejtimin e tij.
Jo vetëm sot, por e kam thënë edhe herë të tjera se ai ka qenë një drejtues shumë efikas, me ide shumë të qarta për ushtrinë dhe mbrojtjen e vendit në kushtet e asaj kohe, studiues në vazhdimësi për problemet e mbrojtjes, i rreptë dhe i drejtë në kërkesën e llogarisë, këmbëngulës për arritjen e objektivave, duke përdorur taktin e duhur, që vinte në punë vartësit deri në arritjen e rezultateve të duhura. Çuditërisht sa i rëndë dhe i rreptë ishte në paraqitjen e tij, aq dhe i komunikueshëm ishte kur punoje me të. Jo vetëm e lejonte kundërshtinë e mendimit, por edhe e kërkonte mendimin e kundërt. Mandej duke ia argumentuar, kur bindej për çka i thoje, atëherë të vlerësonte, pavarësisht se nuk ishe në të njëjtin mendim me të tijin. Për mendimin tim Shqipëria një kryeministër të dytë si ai, me cilësi të rralla drejtuese, deri tani nuk e ka patur.
I them këto mendime pozitive për të sepse më ka takuar që gjatë asaj kohe, të merrem me probleme teknike dhe ushtarake dhe jo rrallë kam pasur kundërshti mendimesh, të cilat ai i ka vlerësuar. Më gjerë dhe më konkretisht për këto probleme janë shprehur në kujtimet e mia në një nga tri librat që kam shkruar.
– Si sillej Mehmeti me bashkëpunëtorët e tij? Ju kini qenë një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të tij në fortifikimin e Shqipërisë, apo jo?
– Theksoj se fillimisht unë isha jo shumë i pranueshëm për të. Kjo jo se më njihte, por thjesht nga marrëdhëniet jo shumë të mira që kishte pasur, si gjatë luftës edhe më pas, me gjeneral Spiro Moisiun. Kur ai erdhi si Ministër i Mbrojtjes, unë isha Drejtor i Xhenios në Ministrinë e Mbrojtjes, që nga vti 1971. Pas ardhjes së tij, ajo drejtori u nda në dy, fortifikim dhe xhenio, në përbërje të Drejtorisë të Përgjithshme, me në krye Gjeneral Mendu Backën, kurse unë u emërova Drejtor i Fortifikimit. Gjatë punës, duke parë nga afër aftësitë e mia tekniko organizative, ndryshoi krejtësisht qëndrimin e tij fillestar, pavarësisht se isha djali i Spiro Moisiut, me të cilin marrëdhëniet vazhdonte të mos i kishte të mira.
Fortifikimi për të, kur erdhi në atë detyrë, ishte si kalë beteje, për të argumentuar më shumë gabimet e Beqir Ballukut dhe punën e tij “armiqësore”. Për problemin e fortifikimit kam folur edhe herë të tjera, për domosdoshmërinë, teprimet dhe mangësitë. Rrjedhimisht nuk e quaj të nevojshme të përsëris ato që i kam shprehur më përpara.
Duke cilësuar karakterin e tij të veçantë, dua të vë në dukje se në punën me kuadrot kryesore, ai donte të bindej personalisht mbi faktin sesa të saktë dhe të ndershëm ishin njerëzit me të cilët punonte. Nuk manipulohej lehtë nga mashtruesit dhe gënjeshtarët. Jo vetëm kaq, por kur e diktonte një gjë të tillë ishte i ashpër ndaj tyre. Ishte shumë korrekt për oraret dhe detyrat e caktuara, nuk falte vonesën në kryerjen e tyre dhe as shkelje të ligjeve të kohës.
Ndërkohë ishte edhe shumë i kujdesshëm, ndaj vartësve të tij. Gjatë vitit 1974, kur në ushtri u krye pastrimi, sikurse quhej atëherë, duke filluar nga kuadrot kryesore të saj, të cilët ishin njerëz me kontribute të shquara gjatë Luftës, ai u tregua shumë i rreptë. Ama brendësia e kësaj “rreptësie” ka arsyetimin e saj dhe kjo është thënë fare qartë nga një prej gjeneralëve të kohës, Gjeneral Muhamet Prodani, i cili kishte shumë afrimitet me Mehmet Shehun, të vendosur që në kohë të Luftës, gjë të cilën e përshkruan gjeneral Ramohito në kujtimet e tij. Ndër të tjera gjeneral Prodani i kishte thënë kryeministrit: “Ç’po bëni kështu, po e shkatërroni fare ushtrinë!… Ç’faj kanë bërë shokët që po i godisni kaq egër?!”. Mehmeti i kishte thënë: “Mbylle gojën, se do ta hash edhe ti! Nuk e kupton që s’kam ç’të bëj!”. Me këtë kuptohet që edhe kryeministri nuk ishte shumë i sigurt për veten e tij, se deri ku mund të shtrihej goditja. Paranoja e Komandantit të Përgjithshëm ishte e paparashikueshme.
– Flitet se në atë kohë kishte një klan të Enverit dhe një klan të Mehmetit. A është e vërtetë kjo?
– Nuk mund të thuhet për klane, por preferenca kishte. Ndryshe nga Enver Hoxha, Mehmet Shehu gjatë Luftës kishte qenë drejtues direkt, por edhe më pas duke qenë ministër dhe kryeministër kishte më shumë kontakte direkte me njerëzit. Dhe në punë e sipër, apo njohje me individë të ndjeshëm ishin krijuar edhe preferencat. Por ama këto preferenca për individë nuk i mbante të përjetshme, i ndryshonte sipas njohjes nga afër në punë. Pra për rrjedhojë, ndryshe nga Enveri, Mehmeti nuk i vlerësonte shumë njerëzit me syrin partiak, por me këndvështrimin e vlerave meritokratike. Dhe konkretisht në ushtri vlerësonte më tepër ato kuadro që kishin më tepër rezultate dhe krijimtari në ushtrimin e detyrave, shumë ndryshe nga Mehmeti, gjykoheshin nga Enveri preferencat ndaj individëve.
Më kujtohet një fillim tetori i 1974-s, kur në një pasdite u bë një mbledhje urgjente e Shtabit të Përgjithshëm, që në fakt ishte parathënie e zgjerimit të goditjes në ushtri. Ndër të tjera u pa se zbërthimin e thënies së Enverit më qartë e përsëriti Mehmet Shehu: “Beqir Balluku nuk mund ta kryente punën e tij armiqësore në ushtri i vetëm”. Kjo shprehje e thënë nga Mehmeti na befasoi të gjithëve, sepse menduam se tani kujt do t’i bjerë radha e goditjes. Për të gjithë ne qe befasuese goditja ndaj dy gjeneralëve kryesorë të ushtrisë. Petrit Dumja, njihej si i preferuari i Mehmet Shehut, kurse Hito Çako njihej si i preferuari i Hysni Kapos. Në fakt një kahje e tillë e zhvillimeve atë ditë tregoi se letrat në tryezë po ngatërroheshin keq. Kjo tregonte se përzgjedhja e viktimave kryesore përcaktohej nga Enver Hoxha dhe askush tjetër. Me këto veprime ai synonte jo vetëm të hiqte nga skena njerëz me kontribute të Luftës, por edhe mbështetjen që kishin në ushtri dy nga figurat më kryesore të asaj kohë, Mehmet Shehu dhe Hysni Kapo. Pra ishte edhe një sinjal i fortë për të lënë të kuptohej se kush e kishte çomangën në dorë, e cila mund të drejtohej ndaj kujtdo, që do të guxonte jo më të dilte kundra por dhe as të guxonte që të jepte shenjën më të vogël të pakënaqësisë. Ndoshta ky ka qenë dhe preludi i përgatitjes së skenarit që do të luhej edhe më pas për të pastruar fushën, me qëllim që Nexhmije Hoxha të mos kishte probleme pas vdekjes së të shoqit.
– Ka shumë nga ata që e kritikojnë Mehmetin se fortifikoi vendin dhe i jepte shumë rëndësi fuqizimit të ushtrisë në atë kohë. Sa qëndrojnë këto kritika?
– E kam sqaruar pse në atë kohë iu vu aq rëndësi fortifikimit. Sipas kërkesave të asaj kohe, përsa i përket ushtrisë ai bëri një revolucion të vërtetë. E parë kjo jo vetëm në sferën teorike por dhe në atë të ushtrimit të stërvitjeve të mëdha me trupa, duke filluar që nga ndryshimi në stërvitjen e vogël, që është bazë për nivelin e gatishmërisë së çdo ushtrie. Pra përgjithësisht rëndësi e veçantë iu kushtua jo vetëm rritjes së gatishmërisë luftarake në tërësi si dhe rritjes së prodhimit në vend të gjithçkaje që duhej për ato qëllime. Jo vetëm kaq por ndërkohë u forcua së tepërmi stërvitja e rezervistëve dhe përgatitja e gjithë popullit shqiptar për vetëmbrojtje. Qitja me armë luftarake si për ushtarët ashtu edhe për rezervistët mori përpjesëtim të paparë.
Është e vërtetë që jo vetëm shpenzimet e fortifikimit ishin shumë të mëdha, por edhe buxheti i mbrojtjes u rrit shumë, gjë që për pasojë e dëmtoi rëndë ekonominë shqiptare. Ama dihej se gjithçka për fortifikimin dhe për ushtrinë, më parë miratohej nga Komandanti i Përgjithshëm. Çuditërisht ndodhi që kur e arrestuan ish komandantin e ishullit të Sazanit, të gjorin e akuzuan se pse e kishte fortifikuar ishullin aq tepër!!?? U befasova kur e dëgjova, sepse e dija që ai plan, në mënyrë të veçantë, ishte porositur dhe miratuar personalisht me firmën e Enver Hoxhës.
– A ishte Mehmet Shehu armik apo poliagjent, sikurse u etiketua pas vdekjes nga Enver Hoxha?
– Këto ishin thënie të sajuara, sikurse për gjithë rastet e tjera dhe sidomos këto dolën pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut. Qesharake ishte kur dëgjoje se ai në Luftë nuk kishte qenë trim, por frikacak. Në heshtje jo vetëm unë, por askush nuk i besonte ato broçkulla që thuheshin për të, ama sikurse dihej, nuk ishte pa rrezik të dilje kundër atyre që thuheshin nga Diktatori.
Enver Hoxha e kishte bërë si metodë se kur donte ta dënonte një njeri, e shpallte armik. Aq ishte kjo e njohur sa që pas dënimit të Kadri Hazbiut, u fol se Myslim Peza kishte thënë: “More por të gjithë armiq i paska pasur kjo parti!”. Konstatim shumë i drejtë i Babë-Myslimit, pasi sikurse po zhvilloheshin ngjarjet, dalë ngadalë po dilte që Luftën e paskeshin bërë armiqtë dhe agjentët.
Por në të njëjtën kohë ishte vënë re se në disa raste ishte parë një lloj servilizmi i ekzagjeruar i Mehmet Shehut ndaj Enver Hoxhës. Më kujtohet kur në 1978–n u kremtua 35 vjetori i krijimit të Ushtrisë, në Shkollën e Bashkuar u zhvillua një ceremoni përkujtimore dhe një paradë. Pasi foli Enveri, Mehmet Shehu menjëherë mori fjalën duke i thurur Diktatorit lavde të padëgjuara ndonjë herë nga goja e tij.
Për fundin e ish-Kryeministrit në natën e 17-18 dhjetorit 1981 diskutohet edhe pasi kanë kaluar 35 vjet. Ju, zoti President besoni se Mehmet Shehu vrau veten apo e vranë?
– Jo, asnjëherë nuk e kam besuar variantin e vrasjes. Për këtë çështje jam shprehur që në vitin 2010, në librin tim të dytë të kujtimeve, ku ndër të tjera kam shkruar:
“Pas disa ditësh, kur na mblodhën në sallën kryesore të ministrisë për të dëgjuar incizimin e Mbledhjes së Byrosë Politike të datës 17 dhjetor, pas leximit të gjatë të autokritikës së Mehmet Shehut, duke filluar nga Simon Stefani, të gjithë anëtarët e Byrosë e kritikuan atë në mënyrën më të rreptë. Në fund, Enver Hoxha, me zërin e atij që vendoste jetën apo vdekjen e tjetrit, i tha Mehmetit që të reflektonte, dhe se të nesërmen e asaj dite do të jepte mendimin e tij për të. Por Mehmet Shehu, me temperamentin që kishte, me sa duket e ndjeu që mbledhja mund të merrte drejtim në thellim të akuzave të Enverit, sikurse kishte ndodhur me të tjerët më parë, ndaj dhe mori atë vendim për vetëvrasje. Ky është mendimi im i asaj kohe dhe i sotshëm. Nuk i kam besuar asnjëherë dhe nuk i besoj variantet e tjera. Vetëvrasjen e Mehmet Shehut ma konfirmoi edhe Ali Çeno, ish-komandant i eskortës së tij, të cilin e takova rastësisht në vitin 1991, para Muzeut Historik.
Pas asaj çka ndodhi, në fillim të vitit 1982 Enver Hoxha mbajti fjalën e tij të famshme “Tabloja sinoptike”, ku Mehmet Shehu cilësohej poliagjent. Kjo akuzë ishte e bazuar në një letër që kishte ardhur nëpërmjet një ambasadori nga një vend amerikano-latin, ku shkruhej që ai paskësh qenë agjent i CIA-s etj.
Mandej, pas disa kohësh, në aktivin e Partisë së Ministrisë së Mbrojtjes, u diskutua mbi fjalën e Enver Hoxhës “Tabloja sinoptike”. Të çudiste fakti që, ata individë, të cilët më parë nuk kishin lënë fjalë lavdëruese pa thënë për kryeministrin, filluan të villnin vrer për të. Unë nuk fola, jo se Mehmet Shehu gjatë punës nuk kishte bërë krime dhe faje të rënda, por për çka diskutohej, atij po i atribuoheshin gjëra të pabesueshme. Ndërsa për krimet nuk e kritikonte askush, sepse ato diheshin që ishin kryer me bekimin e Partisë. Duke parë se gjatë aktivit diskutuan shumë veta, që nuk lanë fjalë pa thënë për Mehmetin dhe e ngrinin në piedestal Enver Hoxhën, që na shpëtoi prej tij si armik e spiun i rrezikshëm, nuk e quajta të domosdoshëm prononcimin tim. Heshtja ime nuk shpëtoi pa rënë në sy të të tjerëve. Ndodhi që në nëntor të vitit 1982, kur më bënë gjyqin në Organizatën e Partisë, i deleguari i Komitetit të Partisë të Ministrisë, ndër të tjera më pyeti pse nuk kisha diskutuar në aktivin e Ministrisë për këtë çështje“. Gjë të cilën e kam sqaruar më tej në libër.
– Çfarë detaji tjetër mund të shtoni nga ajo ngjarje që përforcon bindjen tuaj për versionin e vetëvrasjes?
– Por veç atyre që përmenda më lart desha të shtoj një hollësi të vogël, por jo pa rëndësi. Më kujtohet se pasi mbaroi së lexuari Mehmet Shehu autokritikën, i pari për diskutim e mori fjalën Simon Stefani. Ende më tingëllon në vesh zëri i tij bas dhe tepër i kumbueshëm, kur me guxim të paparë tha se veprimi i Mehmet Shehut ishte “gabim i rëndë në vijë”. Ndonëse për Simonin gjatë këtyre viteve mund të jetë folur shumë, por kur kam qenë një herë prezent në një aktivitet në Frashër të Përmetit, kam parë me sytë e mi sesi qëndronte ai para Mehmet Shehut, kurse aty doli me një qëndrim shumë të guximshëm. Besoj se që këtu Mehmeti duhet ta ketë kuptuar se kjo ishte e përgatitur nga Enveri, pa shtuar më pas diskutimin e Lenka Çukos dhe të disa të tjerëve. Gjëra këto që dihen nga cili do që e ka jetuar atë kohë. Nuk ka nevojë të vazhdoj më tej.
Pra unë mendoj se ai e dinte radhën e punës së Enverit në këto raste, pavarësisht se u tha që të nesërmen i ishte lënë mundësia për të bërë një autokritikë më të thellë dhe do të ndaheshin me një masë partie.
– Pra Hoxha ishte në dijeni të plotë për atë që po ndodhte para syve të tij, në prani të tij?
– Kjo e gjitha për mua ishte e stisur nga Enveri se e shihte si pengesë të veprimeve të Nexhmijes pas vdekjes së tij. Për mendimin tim fejesa e djalit të dytë të Mehmetit me Silva Turdiun ishte preteksti. Dihet që fillimisht çifti Hoxha shkoi dhe e uroi për fejesën e Skënderit, duke bërë dhe fotot e rastit, por me sa duket, më pas filluan të mendojnë se ky do të ishte rasti më i mirë që Shehut mund t’i jepej goditja, dhe kështu bënë.
Qëllimi ishte që Mehmet Shehu të eliminohej. U veprua në atë mënyrë duke njohur edhe sedrën e tij. Por jam i bindur nëse Mehmeti nuk do kishte vrarë veten ai do ta pësonte njëlloj si të tjerët, pikërisht besoj këtë ka menduar ai, në ato çaste të marrjes të vendimit për vetëvrasje. E them këtë, sepse ndoshta Enveri ka pasur parasysh qëndrimin e Stalinit ndaj Krupskajës, pas vdekjes së Leninit. Menjëherë Stalini i tregoi asaj vendin, duke e paralajmëruar se do ta pësonte si të tjerët, nëse do të synonte për të rimarrë pozitat. Pra zonja Nexhmije e dinte fare mirë se me karakterin që kishte Mehmet Shehu, asaj nuk do t’i mbetej asnjë ndikim në pushtet dhe në parti, gjë që ajo nuk mund ta duronte.
– Sikur të mos eliminohej Mehmeti, çfarë mendoni se do të ndryshonte në Shqipëri pas vdekjes së Enverit?
– Mendoj se nëse do të ndodhte që Mehmet Shehu, do ta merrte tërësisht pushtetin pas Hoxhës, do të fillonte orientimin nga perëndimi. Mendoj kështu nga formimi dhe aftësitë që ai kishte shfaqur në të gjitha postet që ka mbajtur dhe si Kryeministër për 28 vjet me radhë. E them këtë gjithashtu sepse ai lexonte shumë libra në gjuhët perëndimore, që kishin të bënin me ekonominë, bujqësinë, ushtrinë, arkeologjinë e të tjera. Ai lexonte dhe fliste lirshëm pesë gjuhë të huaja: italisht, frëngjisht, anglisht, spanjisht dhe rusisht. Sa herë që më ka takuar të shkoj tek ai, i thirrur për probleme pune, asnjëherë nuk e kam parë pa një libër të huaj mbi tavolinë. Por nuk është vetëm kjo. Në vitin 1977, kur isha thirrur për të raportuar për disa probleme të punës, Mehmeti më pyeti;“Çfarë thonë ata?”, duke drejtuar shikimin nga ndërtesa përballë që ishte KQ i Partisë. Kur unë i tregova për nja dy vërejtje që kishte bërë aparati i KQ ndaj nesh, qeshi dhe tha: “Mos i dëgjo ata, nuk marrin vesh nga këto gjëra, vazhdoni punën!” Pra kjo tregon se aparatin e KQ-së ai e shihte si një hallkë të tepërt në problemet e shtetit. Pra ishte një njeri që mendonte ndryshe dhe në mënyrë më të përparuar në krahasim me Diktatorin dhe anëtarët e tjerë të udhëheqjes të asaj kohe.
– Si e përjetuat lajmin për vetëvrasjen e tij më 18 dhjetor 1981?
– Sigurisht për të gjithë ky lajm ra si një bombë. Por edhe autoritetet e kohës fillimisht e dhanë që ka vrarë veten si pasojë e një krize nervore, ndërsa radio dhe televizioni vazhdonin programin normalisht. Kurse varrimi iu bë tepër i zakonshëm. Këto na lanë të kuptonim që vdekja e tij do të komentohej politikisht ndryshe, por dukej që Udhëheqja e kohës kërkonte të merrte kohë, për të tatuar pulsin e njerëzve, duke pasur parasysh influencën e Mehmet Shehut në parti, ushtri, në radhët e Ministrisë së Brendshme dhe në popull. Menjëherë pas disa ditëve u bë e qartë që këtu nuk bëhej fjalë për një ndodhi të thjeshtë, sikurse u dha lajmi që pati depresion, por për një vendim të menduar mirë nga Shehu, i cili la edhe letrën përkatëse.
Së fundi dua të shtoj se pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, kur në aktivin e Ministrisë së Mbrojtjes u punuan materialet e KQ të Partisë lidhur me këtë problem, shumica e kuadrove kryesore folën çfarë të mundnin kundër tij unë, megjithëse në atë kohë isha zëvendës ministër, nuk fola, sepse nuk isha i bindur për ato që thuheshin. Kjo solli si pasojë që kur në tetor të vitit 1982 u gjykova në parti, pyetja e parë që mu bë nga i deleguari i Komitetit të Partisë së Ministrisë së Mbrojtjes ishte pse nuk kisha diskutuar në aktivin e MM. Tendenca kuptohej. Unë i dhashë një përgjigje e cila sigurisht nuk u mor parasysh, gjë që solli si pasojë edhe dënimin tim.
– Kanë kaluar 35 vjet nga fundi i Mehmetit. Si duhet ta vlerësojnë shqiptarët: Si hero apo si tradhtar?
– Nuk i heq asnjë presje akuzave të bëra ndaj Mehmet Shehut për krimet e kryera gjatë Luftës dhe më pas, duke mbajtur personalisht një qëndrim tepër kritik ndaj tij, kurse si burrë shteti besoj se fola qartë në këtë intervistë. Më shumë nuk kam se çfarë të shtoj.
– Zoti President ishte kënaqësi që biseduam bashkë mbi këtë çështje për gazetën ‘DITA‘ në këtë intervistë të gjatë. Ju faleminderit!
– Ju falënderoj edhe unë për mundësinë që më dhatë. Gjej rastin që në përfundim të uroj stafin e gazetës ‘DITA‘ dhe lexuesit e shumtë të saj për Krishtlindjet dhe Vitin e Ri. Gëzuar dhe suksese!/Intervista e plotë për gazetën Dita. Intervistoi Xhevdet Shehu

















