Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Administrativja zhbllokon pagat, Rama: Veproi me shpejtësinë e skëterrës për rrogat e veta!

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Gjykatës Administrative, e cila sipas tij i ka hapur rrugë rritjes së pagave të gjyqtarëve pa miratimin e Parlamentit. Rama e cilësoi vendimin “të paprecedentë”, ndërsa tha se bëhet fjalë për një rritje rreth 51%, që sipas tij rëndon mbi buxhetin e shtetit dhe interesin publik.

Kryeministri paralajmëroi se çështja do të trajtohet edhe nga Kuvendi, duke iu referuar vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe seancës së 17 shtatorit.

"Sikur Gjykata Administrative të kishte standard për çdo qytetar apo institucion në hall, shpejtësinë e skëterrës me të cilën paska vepruar sot për të hapur dyert e thesarit për rritjen e rrogave të veta pa miratimin e parlamentit, unë besoj se çdo shqiptar i punësuar do ishte gati t’ia falte një gjysëm rroge vrapuesve fluturakë të Gjykatës Administrative…


Por të marrësh sa hap e mbyll sytë masën e parë të sigurisë në historinë e botës, jo për të ndaluar po për të nxitur për interesin vetjak ekzekutimin e një akti që me gjasë cënon ligjin dhe interesin publik, ndërkohë që mijëra e mijëra dosje hallesh presin me vite në sirtarët e gjykatës në fjalë, kjo është diçka tejet turbulluese!

Ja edhe në tabelën bashkëngjitur çfarë kërkon Gjykata Administrative në dyert e thesarit të shtetit pa kaluar fare nga parlamenti, ndërkohë që e përsëris: Dyert e thesarit të shtetit i hap vetëm pushteti i pavarur legjislativ dhe Kuvendi i Shqipërisë do të bëjë detyrën e tij për këtë temë, në respekt të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ditën e enjte 17 shtator", shkruan Rama. /K.C/dritare.net