Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

5 gjëra që duhet të bëni, për të përfituar nga interneti!

5 gjëra që duhet të bëni, për të përfituar
Nga Xheni Hatillari

Jam e sigurt që edhe ju një herë të vetme keni dëgjuar nga brezat e mëparshëm që ne shpërdorojmë kohën online. Dhe jo se nuk e bëjmë këtë.

Në fakt, gjithnjë e më tepër, shoqëria po zhvendoset në një komunitet virtual dhe këtë me siguri s’duhet të dilja unë për t’jua pohuar. E thonë shkencëtarë e studiues antropolog sesi çdo aktivitet tonin po e zhvendosim online për t’iu larguar kështu jetës aktive e sociale. Në fakt, këtë mendoja dhe unë deri para pak viteve, teksa shijoja vitet e mia të gjimnazit me aktivitetin maksimal atë të ndonjë kafeje me shoqet apo ndonjë të dale shëtitje nga Vollga (po, ne nga Durrësi kemi pasur këtë fat! Theksoj: KEMI PASUR!). Por teksa vitet kalonin, mësova të mësoj online. Si ndodhi? Nga pasditet e mërzitshme kur s’dija ç'të bëja e pyetjeve të mia që asokohe nuk po i jepnin përgjigje as librat as familjarët vendosa t’ia bëja Google-it.

Ka akoma nga lexuesit e parë të “Nga Dritarja e Xhenit” që më shkruajnë për aplikacionet që kanë nisur të përdorin ndaj edhe ky artikull do të jetë i tillë: me shembuj praktikë sesi jetën tënde mund ta ndryshosh ONLINE:

  1. Ndiq një kurs online!

Ka disa gjëra që nuk i dini, nuk i dija as unë: ONLINE mund të studiosh! Dhe kjo në kuptimin e parë të fjalës: sot mund të ndjekësh një ëndërr tënden për të studiuar Teknologji apo Astronomi, për të ndjekur një diplomë bachelori apo masteri, për të shtuar një certifikatë në jetëshkrimin tënd.

Kjo mund të kushtojë nëse zgjedh Coursera ose falas nëse zgjedh Canvas dhe simotrat e saj. Biles mund të ndjekësh një kurs për të mësuar si të mësosh online apo diçka që të duhet për punën tënde të përditshme siç kam bërë unë. Nëse gjithnjë ke pasur dëshirë të kesh një diplomë të një niveli njësoj me atë mikeshën tënde që studio gjetiu në botë, në eDx. Mund të gjesh kurse nga Harvard dhe MIT duke qenë se ata e kanë themeluar për ta bërë më të lehtë për të gjithë. Nëse ke qenë vajza/djali në klasën tënde që matematikën e ka pasur 10 dhe ky pasion (I çuditshëm për mua!) të shoqëroi gjithë jetën, shko te Khan Academy ,ja ku e ke!

  1. Dëgjo një podcast!

Do të doja shumë t’iu thosha të lexonit një libër çdo 2-3 ditë, por do ishte e kotë sepse as unë s’e bëj. Jo prej dëshirës por prej dinamikës së jetës, të qenit në lëvizje dhe mbingarkesën e lodhjes që e shoqëron. Të gjitha këto, mua më çuan tek Podcastet, një mjet pak i njohur në Shqipëri që kur dëgjova për herë të parë që në Dritare.net nga Rudina ishte bërë një cikël i tillë, gjeta ç'të bëj për një javë të tërë me ciklin “Shkrimtarët e shekullit”. Tanimë keni dhe Pitilushen aty nëse jeni mama/baba me fëmijë të vegjël ose thjesht një njeri që i pëlqejnë përrallat fundja.

Do t’ju them një sekret: herën e parë që lexova “Përrallat e Pitilushes”, kalova të shtunën më të këndshme ndonjëherë me një gotë çaj e batanije ngrohtë-ngrohtë. Ama podcast, mund të ndiqni këtu: Podcastalley ose te aplikacioni i Podcast-it në Google apo Iphone sepse e keni të gjithë. Teksa kthehesh nga puna dhe ke ngecur në trafikun e Tiranës mund të dëgjosh “Brené Brown On How To Be Your Most Brave & Courageous Self” në The Marie Forleo Podcast për përmirësimin e vetes ose Chidera Eggerue në Ctrl Alt Delete nëse po jeton epokën e Internetit. Filloja sot!

  1. Bashkoju një komuniteti!

Unë i besoj fort shprehjes se jemi mesatarja e 5 njerëzve me të cilët shoqërohemi! E nëse vërtet është kështu, askush s’do donte të ishte mesatarja e njerëzve të cilët harxhojnë kohë duke i përgjuar jetën në Instagram përsa kohë nuk intervepron me ta. Ndaj përdorini rrjetet sociale si Twitter apo Instagram r të ndjekur persona me influencë nga të cilët mund të mësoni më shumë për një temë specifike apo të ndani me ta mendimet tuaja. Krijo sot një llogari në LinkedIN: unë dhe kolegët e mi mund të them që jemi ndër të parët bashkëmoshatarë të cilët kanë një llogari atje. Kjo të krijon një pamje profesionale duke qenë se sot të gjithë TË GOOGLE-ojnë pas një interviste pune por edhe duke qenë se të jep mundësi të kontaktosh me profesionistë të fushës me të cilët ndan pikëpamjet e tua.

  1. Fito online!

Nga punët 8-orarëshe tek ato që duhet të punosh edhe fundjavave, sot njerëzit priren gjithnjë e më tepër të punojnë “freelance” apo siç quhet ndryshe nga rehati i shtëpisë së tyre. Kjo për shkak të disa arsyeve që lidhen gjithnjë e më tepër me zhvillimet e kohëve që po jetojnë, por edhe me faktin që nëse je student, nuk e ke luksin të punosh me orare të plota. Në fakt në fillimet e mia, edhe unë vetë e kam përdorur botën virtuale për të punuar: nga punët online ku shet një aftësi të caktuar si krijim materialesh multimedia si logo, postera etj deri në ato që quhen Mystery Shopping apo sondazhe të ndryshme, bota virtuale të krijon një sërë facilitetesh edhe për të bërë disa para më shumë, fundja rri që rri online 4 orë në ditë.

  1. Mëso një aftësi të re për t’ia kaluar mirë!

I mbani mend kur ishim të vegjël e në orët e vizatimit na vinin të mësoni të bëni gjithfarë sendesh me plastelinë? Mua akoma më kujtohet që në 8-vjeçare, mësuesja e vizatimit (ndër më të dashurat për mua) na sfidonte me ca gjëra që nuk e imagjinonim asokohe që bëheshin nga fëmijë: nëse këtë pasion e ke kultivuar ndjehu i lirë që të eksplorosh Instructables ose Luminosity për të zgjeruar njohuri nëpërmjet mënyrave kreative. Zgjidh t’i eksplorosh me një mik a mikeshë, mes familjarësh duke evituar kështu qëndrimin me orë të tëra bashkë por të ndarë nga ekranet e smartfonave.

Falënderimet kthejini në “Share” për ta ndarë këtë artikull me një mik në nevojë!/dritare.net