Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

3 policë pezullohen nga detyra në Kuçovë. Çfarë ndodhi!

Tre punonjës të Komisariatit të Policisë Kuçovë janë pezulluar nga detyra pas publikimit në rrjetet sociale të një videoje ku shfaqet shoqërimi i një shtetasi nga efektivët e Policisë.

Vendimin e ka marrë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita. Të pezulluarit janë inspektorët K. M. dhe D. D., oficerë të Patrullës së Përgjithshme, si dhe inspektori A. M., ndihmësspecialist (SPZ).

Ndaj tre efektivëve ka nisur edhe hetimi disiplinor nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Ata po hetohen për shkeljet e dyshuara të “përdorimit të paligjshëm dhe të paarsyeshëm të forcës”, si dhe për “kryerjen e veprimeve që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të Policisë, institucionin apo shërbimin policor në tërësi”.

Policia sqaron ndërkohë se shtetasi D. T., i cili shfaqet në video, nuk është shoqëruar për shkak të kryerjes së punimeve të ndërtimit pa leje, siç është pretenduar, por pas një kallëzimi për kanosje të bërë ndaj tij nga kunata.

Sipas Policisë, më 20 korrik 2026, shtetasja V. T. është paraqitur në Komisariatin e Kuçovës dhe ka kallëzuar se D. T. e kishte kanosur.

Pas veprimeve procedurale dhe konsultimit me Prokurorinë e Beratit, më 3 gusht, shërbimet e Policisë kanë shkuar në fshatin Krekëz për të shoqëruar D. T., pasi ai nuk kishte pranuar të paraqitej vullnetarisht në Komisariat për t’u pyetur në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvilloheshin hetime./K.C/dritare.net