Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Zbulimi i një tjetër varri masiv në Kosovë, reagon Ministria e Jashtme e Shqipërisë

Zbulimi i një tjetër varri masiv në Kalludër të Kosovës ka sjellë reagimin e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, e cila e cilëson këtë gjetje si një tjetër dëshmi të dhimbshme të plagëve të luftës ende të pambyllura. Tirana shprehet se çdo identifikim i viktimave është një hap drejt së vërtetës dhe drejtësisë për familjet që prej më shumë se dy dekadash presin përgjigje për fatin e të zhdukurve.

“Çdo gjetje e tillë nuk është vetëm një hap drejt identifikimit të viktimave, por edhe një dëshmi që flet vetë. Eshtrat e zbuluara janë një kujtesë e fortë e krimeve të kryera dhe e nevojës që e vërteta dhe përgjegjësia të pranohen e drejtësia të vihet në vend. Për familjet që prej më shumë se dy dekadash presin të mësojnë fatin e të dashurve të tyre, çdo identifikim është një hap drejt dinjitetit, së vërtetës dhe drejtësisë. Shqipëria qëndron përkrah Kosovës në përpjekjet për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, për vendosjen e drejtësisë dhe për ruajtjen e së vërtetës historike. Pa të vërtetën nuk mund të ketë pajtim të qëndrueshëm”, shkruan Ministria në “X”.

Gërmimet në Kalludër të Zubin Potokut lidhen me një nga dosjet më të dhimbshme të personave të zhdukur gjatë luftës së Kosovës. Autoritetet dyshojnë se mbetjet e zbuluara mund t’u përkasin 23 intelektualëve shqiptarë nga Mitrovica, të zhdukur më 19 prill 1999, një rast që prej më shumë se dy dekadash ka mbetur pa një përgjigje përfundimtare për familjarët. Ekspertët mjekoligjorë po vijojnë punën për identifikimin e mbetjeve dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes./K.C/dritare.net