Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Xhevahirja e Bathores ka një dhuratë për ty

Xhevahirja e Bathores ka një dhuratë për ty
Nga Dritare.net

Xhevahire Kolgjini është një grua e rrallë, ashtu siç ka edhe emrin. Është nga ato gra ku gërshetohet pasioni, përpjekjet, vështirësitë dhe vullneti i paepur. Në panairin e bujqësisë ajo ka ardhur me kostume popullore, sa të veçanta aq dhe të rralla për t’u gjetur në ditët e sotme.

Xhevahirja ka lindur në Kukës, por prej 17 vjetësh jeton në Bathore, Tiranë. Aty ka dyqanin e saj, që në fakt është sa rrobaqepësi aq edhe ekspozim i veshjeve që qep. Prej duarve të saj nuk dalin vetëm kostume popullore, por edhe qëndisma, punime me dorë, veshje të ndryshme të përditshme apo për raste festive. Por, pasioni i saj është orientuar gjithmonë drejt veshjeve popullore.

“Në fillim e kam nisur me kostumin e djalit tim. I kam bërë një veshje me motive popullore dhe kur kam shkuar në një dasmë, i kanë bërë foto pafund. Madje një çift ka paguar 50 mijë lekë dhe e mori me qera për djalin e vet. Pastaj filluan kërkesat. Unë vazhdova të bëja kostume popullore të zonave të ndryshme. Në fillim bëra të Tiranës, pastaj të Hasit, të Tropojës, madje e kam origjinale, kam bërë të Mirditës, të Matit, të Krujës, Skraparit, Korçës, Fushë Kosovës, të Çamërisë dhe shumë zonave të tjera.”

Ajo tregon se për veshjet popullore mundohet të gjejë materialin që i përshtatet. Disa herë i gjen copat të gatshme, i ble dhe më pas i qëndis dhe herë të tjerë mundohet t’i prodhojë vetë me anë të tezgjahut. Duke qenë se sjellin traditën, kostumet mbeten shumë të kërkuara.

“Kemi bërë punime për nxënësit e shkollave dhe aktivitet që organizohen, apo për dasma. Për shkollat kemi lënë një çmim fiks, pasi zona e Bathores është probleme dhe ne iu kemi caktuar një çmim prej 5 mijë lekësh. Ndërsa për dasma i japim me qera me çmime të ndryshme, 8, 10 mijë lekë apo edhe më shumë.”

Në portret, Xhevahirja rrezaton një lloj force, mirësie, përkushtimi. Duket sa e guximshme aq edhe e talentuar në atë që bën. Nënë e 4 fëmijëve, 3 vajzave dhe një djali, është gjithashtu edhe kryefamiljare. Tashmë që vajzat i ka të martuara, sytë i ka te djali, më i voglit i fëmijëve. Me shumë krenari tregon se ai është shpallur prezantuesi më i mirë, ndërsa ajo vetë është shpallur kostumografja më e mirë.

“Një vit pasi më ka vdekur burri, unë kam filluar me punimet e dorës. Kam filluar që më përpara dhe pas fatkeqësisë, e kam shtuar edhe më shumë. E kam kthyer në një mënyrë jetese. Gjithashtu, unë punoj edhe për një ansambël privat. Sipas valleve që ata kërcejnë, unë prodhoj veshjet.”

Xhevahirja tregon se ka pasur shumë të interesuar në panair. Pyesin sidomos për kostumet e saj origjinale të Hasit dhe Mirditës, por nuk iu shpëton vëmendja as ndaj kostumeve të tjera. E teksa m’i tregon të gjitha, as unë nuk jam në gjendje të bëj diferencën. Më duken aq shumë dhe aq të vështirë për t’u bërë, me një lloj saktësie që nuk të fal as milimetrin.

Teksa e pyes se si i njeh kostumet e trevave shqiptare dhe si arrin t’i prodhojë, ajo ka vetëm një përgjigje: “Pasioni. E dua shumë këtë punë”./Dritare.net