
Gjimnazistët e Prishtinës: Brezi që punon edhe në verë
Dritare.net
Nga Rudina Xhunga
Në një lokal të vogël, të ëmbël e të ngrohtë në zemër të Prishtinës, u ula për një kafe. Ishte një vend që më pëlqeu menjëherë. Por ajo që më bëri më shumë përshtypje nuk ishte vetëm atmosfera apo shija, por njerëzit që punonin aty. Të gjithë të rinj. Të gjithë me buzëqeshje. Të gjithë në lëvizje.
E pyeta njërën prej tyre:
“Si ka mundësi kaq shumë të rinj këtu? Në çfarë shkolle jeni?”
“Jemi në gjimnaz,” më tha me siguri. “Te shkencat natyrore në Prishtinë. Unë, përveç gjimnazit, merrem edhe me sport. Ndërsa në verë, punojmë. Këtu jemi në TaiSweets. Nuk jemi vetëm ne të rinj, por shumicën e verës, janë të rinjtë që punojnë nëpër lokale. Kjo është puna më atraktive për ne.”
E dëgjova me respekt. Sepse kjo vajzë dhe të tjerë si ajo nuk presin që jeta t’u vijë gati. Ata e ndërtojnë vetë. Mësojnë gjatë vitit, punojnë gjatë verës, ndërtojnë karakterin në çdo sezon.
Në Prishtinë nuk ka vetëm ajër të freskët veror, ka edhe një energji që buron nga të rinjtë. Ata janë gjimnazistë që nuk e shohin punën si barrë, por si pjesë të rritjes së tyre.
Dhe në këtë qytet që gjithmonë frymëzon, ku ndihen ende gjurmët e historisë dhe pulsi i së ardhmes, janë ata, brezi që punon, që e bëjnë Prishtinën të jetojë me një ritëm të veçantë./dritare.net
Δείτε αυτή τη δημοσίευση στο Instagram.

















