Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Vijon debati për masakrën e Reçakut, Thaçi: Serbia ka kryer gjenocid, të kërkojë falje

Vijon debati për masakrën e Reçakut, Thaçi: Serbia ka
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç pak ditë më parë ka thënë se masakra e Reçakut është një trillim. Kjo deklaratë e Vuçiç, ka nxitur retorika të ashpra nga pala shqiptare por edhe nga faktori ndërkombëtar, që i bën thirrje Serbisë të reflektojë.

Së fundmi Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka qenë në varrezat e viktimave të masakrës të Reçakut, ku ka thënë se Serbia ka kryer në Kosovë gjenocid, ndërsa i ka bërë thirrje që të kërkojë falje për krimet e kryera.

Postimi i Hashim Thaçit:

Masakra e Reçakut është një prej krimeve më mizore që shteti i Serbisë i ka kryer kundër popullsisë civile në Kosovë. Sot dhe përgjithmonë, duke kujtuar dhe nderuar të kaluarën tonë, ne do të ecim të sigurt drejt një të ardhmeje më të mirë për të gjithë qytetarët tanë.

Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë. I ka kryer rreth 400 masakra kundër civilëve shqiptarë. I ka vrarë rreth 13 mijë civilë të pafajshëm, ku prej tyre rreth 1 mijë e treqind ishin fëmijë, si dhe i ka dhunuar rreth 20 mijë gra shqiptare. Ata që i kanë kryer këto krime ende nuk janë hetuar dhe ende nuk kanë dalë para drejtësisë vendore dhe as ndërkombëtare.

E ardhmja nuk mund ndërtohet duke i mohuar krimet dhe duke i etiketuar apo fyer civilët e vrarë, por ndërtohet duke e pranuar përgjegjësinë, kërkuar falje dhe vendosur drejtësi.

Rajoni ynë mund ta arrijë pajtimin dhe të ndërtojë një të ardhme më të mirë vetëm duke u ballafaquar me të kaluarën e hidhur dhe duke siguruar drejtësi për viktimat! HTH/ I.M-Dritare.net