Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Vetëvendosja nuk është thjesht lëvizje, është shpresa që na kthen në shtëpi

Vetëvendosja nuk është thjesht lëvizje, është
Nga Isa Myzyraj

Takimi i parë me një qytetar të Kosovës, ishte me taksistin që më mori nga stacioni i Autobusëve e më çoi në një hotel në qendër të Prishtinës, një ditë para 6 qershorit, ditës së zgjedhjeve në Kosovë.

Sapo hyn në muhabet me të ai fillon e ankohet: “Kam 35 vjet që punoj punë krahu, tani kam filluar taksist, por këtu nuk rrihet më, po vjedhin të gjithë”- thotë ai, ndërsa në duart e tij që shtërngonin timonin shihej qartë e çara e duarave nga puna disa vjeçare.

Por, siç thonë se taksistët dinë gjithçka, edhe ai më tha se “unë kaloj me qindra persona në ditë, dhe në këto zgjedhje do të fitojë Albin Kurti, sepse është koha e tij, ishalla po fiton për djalin tim, se unë kam mbaruar”-thotë ai.

I jap 2.5 euro, dhe zbres, ik në hotel dhe recepsionisti, një djalë 23-vjeç, i ardhur nga Anglia për të punuar në Kosovë, të cilin e njohja më herët, më thotë me një buzëqeshje të lehtë , e me një shqipe jo fort të mirë, sapo hyj  “Erdhi dita” .

Edhe sanitarja e hotelit, me të cilën bëmë muhabet në darkë, thoshte se : “Në këtë vend ka humbur shpresa, vetëm fitorja e Vetëvendosjes, mund të rregullojë ndonjë gjë, të tjerët i kemi provuar të gjithë”.

Nga ana tjetër, disa të rinj që ende nuk kishin mbushur moshën për të votuar, po bënin disa piktura në muret e hotelit, ndërsa shprehen se vijnë nga Gjilani për 5-10 euro për të punuar në Prishtinë, me artin e tyre.

“Ne nuk merremi me politikë, pasi jemi artistë, por ne mendojmë që duhet të fitojë Vetëvendosje”-thonë ata, që edhe pse të vegjël në moshë, e shohin dhe e prekin çdo ditë realitetin në Kosovë, dhe dinë ku ka ngecur sistemi.

Në darkë, takoj disa miq, të shkolluar e të përgatitur, ndërsa njëri nga ta më thotë: “Pas këtyre zgjedhjeve do të shkoj një javë me pushime, nëse fiton Vetëvendosje do të kthehem përsëri këtu. Nëse nuk fiton Vetëvendosje, përsëri do të marr pushime, e sa të kthehem do të nis përgatitjen e letrave për të ikur nga këtu”.

Kjo ishte gjëja më e rëndë që kisha dëgjuar kohët e fundit, sepse ai ishte një shok që e njoh më shumë prej facebookut, por e di përgatitjen e tij, dhe kur ai artikulonte se nuk ka mbetur asnjë arsye për të jetuar në Kosovë, më dhimbsej çdo pëllëmbë e atij vendi, e çdo person i atij populli, më dhimbseshin 3 nipërit e mij që kanë lindur e jetojnë në Kosovë, më dhimbesej motra ime që është e martuar në Kosovë, dhe me dhimbsej e ardhmja e tyre, por edhe e tashmja.

Por, në mesnatën e 6 tetorit, pasi u mësua se Vetëvendosje ka fituar zgjedhjet, rrugët e Prishtinës nuk ishin më të njëjta.

Burra, gra, emigrantë, të rinj, e të reja, ulërisnin dhe prisnin e padurim ardhjen e Albin Kurtit, tanimë më shumë se fitimtar, si shpresëdhënës, që edhe në atë vend, në atë orë të mesnatës, erdhi dita për të besuar se lindi një diell që ndoshta nuk do të përfundojë kurrë.

Gjatë gjithë ditëve të qëndrimit tim në Kosovë, mësova se Vetëvendosja nuk është thjesht një parti politike, është një frymë, është një shpresë, nga taksisti, tek sanitarja, e të rinjtë, e deri tek nipi im më i vogël që është 5 muajsh./ Dritare.net