Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

"Venecia" përpiqet të zgjidhë me takime ngërçin e reformës në drejtësi

"Venecia" përpiqet të zgjidhë me takime
Delegacioni i Reporterëve të Komisionit të Venecias janë takuar sot në Tiranë me të gjithë aktorët e përfshirë në reformën e drejtësisë.

Paradite raporterët e Komisionit të Venecias zhvilluan një takim pune me ekspertët e Nivelit të Lartë të grupit të punës. Këta të fundit kanë hartuar projektin e ndryshimeve kushtetuese. Njëkohësisht ata kanë prezantuar projektin dhe ndryshimet e bëra prej tyre në reflektim të raportit paraprak të Komisionit të Venecias të muajit dhjetor.

Në mesditë Komisionerët janë takuar me trupin diplomatik të akredituar në Tiranë.

Më vonë janë takuar me Ministrin e Drejtësisë, Ylli Manjanin. Ata kanë diskutuar çështje me mjaft rëndësi që lidhen me reformën në drejtësi, sikurse ishin roli i Ministrit të Drejtësisë në raport me sistemin gjyqësor si dhe rolin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë.

Takimi i radhës ka qenë ai me përfaqsuesit e opozitës ku u diskutua për vërejtjet e saj ndaj reformës së drejtësisë. Eduart Halimi u shpreh për mediat se palët politike duhet të bashkëpunojnë dhe të jenë në përputhje me rekomandimet e Venecias.

"PD ka shprehur qëndrimi e saj për një konsensus dhe dialog që do të ishte në përputhje edhe me rekomandimet e Venecias. Por nëse mazhoranca është e vendosur për t’i qëndruar qëllimit të saj të keq për të kapur sistemin e drejtësisë, atëherë do të duhet më shumë punë e përpjekje”, u shpreh deputeti Halimi.

Pas takimeve, ekspertët e Venecias do dalin në një konferencë, ndërsa opinionin e plotë do ta japin në muajin mars.