U dënua me burgim të përjetshëm, lirohet Indrit Dokle, anëtari i bandës së Durrësit
E Martë 14 Janar 2020, 15:03
Dritare.net
Është liruar nga burgu Indrit Dokle, anëtar i bandës së Durrësit dhe i dënuar më parë me burgim të përjetshëm.
Gazetarja Anila Hoxha raportoi gjatë edicionit informativ të orës 15:00 në Top Channel se ka qenë gjyqtarja Enkeleda Hoxha, në Gjykatën e Krujës, që ka marrë vendimin për lirmin e Doklës.
Avokati i Doklës ka deklaruar gjatë seancës se klienti i tij “ka kryer 25 vite burgim dhe është sjellë mirë”. Ai gjithashtu deklaroi se Dokle nuk është në gjendje të mirë shëndetësore.
Indrit Dokle kishte kërkuar më parë rrëzimin e dënimit me burgim të përjetshëm, por kërkesa nuk u pranua nga Gjykata Kushtetuese. Ndërkohë që Gjykata e Krujës ka vendosur tani për lirmin e tij.
Përveç burgimit të përjetshëm si anëtar i bandës së Durrësit, ku akuzohej për dhjetëra vrasje, plagosje dhe krime të tjera, Doke ishte dënuar edhe me 16 vite të tjera heqje lirie për shkak se drejtonte trafikun e drogës nga burgu./Top Channel