
Tregimi hungarez i dashurisë fiton çmimin kryesor në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin
Dritare.net

“Ky film është vetëm për ata me zemër bujare”, ka thënë regjisori Ildiko Enyedi para audiencës në ceremoninë përmbyllëse që i dha fund Berlinales 10 ditëshe, ku u shfaqën 18 filma konkurrues dhe 403 në ekrane jashtë konkurrencës, raporton Reuters.
Presidenti i jurisë, Paul Verhoeven, regjisor dhe producent holandez, tha se paneli shtatë-anëtarësh kishte rënë në dashuri me filmin sepse i kujtonte njerëzve një diçka që shpesh harrohet në jetën e përditshme: dhembshurinë.
Drejtori i festivalit, Dieter Kosslick, i falënderoi të gjithë pjesëmarrësit përmes një fjalimi të shkurtër. “Nuk keni nevojë që unë të ju them se jo gjithçka është në rregull në botë momentalisht”, transmeton Koha.net.
Ariu i Argjendtë për aktorin më të mirë shkoi për austriakun Georg Friedrich për interpretimin e tij në “Helle Naechte” (“Netët e Ndritshme”), një dramë gjermano-norvegjeze.
Jug-koreania Kim Min-hee fitoi Ariun e Argjendtë për aktoren më të mirë për “On the Beach at Night Alone”.
Çmimi i madh i jurisë shkoi për “Felicite”, një prodhim franko-senegalezo-belg nën regjinë e Alain Gomis për një femër të krishterë që punon si këngëtare në një bar në Kinshasa dhe i jep dritë jetëve të audiencës së saj.
Aki Kaurismaki nga Finlanda fitoi Ariun e Argjendtë për regjisorin më të mirë me filmin e tij “The Other Side of Hope”. Kosslick tha se filmat e përzgjedhur për festival këtë vit janë dizajnuar që të tregojnë se diversiteti mposht monotoninë, si dhe për të atakuar çështje si persekutimi i homoseksualëve dhe diskriminimi ndaj pakicave racore.
Juria prezantoi edhe një çmim të ri – për filmin dokumentar origjinal – që shkoi për “Ghost Hunting”, për një qendër hetuese izraelite, nga regjisori palestinez Raed Andoni. “Presidenti amerikan dje e quajti median armik të popullit”, tha prodhuesja amerikane e filmave Laura Poitras duke prezantuar çmimin. “Ne prodhuesit e dokumentarëve jemi këtu për të thënë se jemi armiqtë e nacionalizmit dhe përjashtimit”.

















