Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Studimi/ Gjurmët e përrallave shqiptare, dhe ndikimi i tyre tek fëmijët

Studimi/ Gjurmët e përrallave shqiptare, dhe ndikimi  i tyre tek
Çdo njeri ka kujtime nga fëmijëria, dhe ato kujtime që janë ngulitur thellë në shpirtin dhe mendjen e tij, janë padyshim përrallat e treguara nga gjyshërit dhe prindërit.

Përgjithësisht, nuk na ka interesuar prejardhja e përrallave, origjina e tyre, domethënia e tyre.

Dr. Alma Dema, pedagoge në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës, studiuese e etnologjisë dhe antropologjisë kulturore, ka sjellë tashmë studimin e saj “Gjurmime të mendimit etnologjik në lëmin e përrallave”, një studim, i cili, hedh dritë mbi origjinën e përrallave shqipe dhe jo vetëm dhe na bën të futemi në një botë tjetër të të menduarit, dhe të të shijuarit; në botën e gjurmëve të atyre me të cilat jemi rritur.

Në një intervistë për Dritare.net. Dr. Alma Dema, ka rrëfyer për studimin e saj, përrallat, ndikimin tek fëmijët, duke dritësuar për një pasuri të madhe të kulturës shqiptare.

Intervistoi Isa Myzyraj

 “Gjurmime të mendimit etnologjik në lëmin e përrallave”, është një tillull studimi ndoshta pak i komplikuar për lexuesin e thjeshtë dhe jo të specializuar. A mund të na “përktheni” këtë titull, duke e bërë pak më të prekëshëm dhe të kuptueshëm?

Së pari, më lejoni të shpreh falenderimet e mia për ju dhe për Dritare.Net, një portal, tashmë, i klikuar dhe i lexuar anëkënd.

Së dyti, më vjen të them që, kur e prezantojmë veten e prezantojmë me emër dhe mbiemër, dhe emri dhe mbiemri, jo në të gjitha rastet, tregon diçka më shumë për identitetin, idividualitetin apo personin tonë. Pasi njihemi me njëri-tjetrin, emrin dhe mbiemrin e fiksojmë mirë. “Gjurmime të mendimit etnologjik në lëmin e përrallave” faktikisht, është një titull i gjatë për t’u mbajtur mend edhe nga një lexues i specializuar, edhe nga lexuesi i thjeshtë. Ky titull është përpjekur të mbledhë më një “gjithë punën” time, e për të futur në një lëmi,  gjurmët që kanë lënë mbledhësit e shumtë e të ndryshëm të përrallave fantastike, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, në truallin shqiptar, gjurmë të lëna më së shumti nga albanologët, më tej nga arbëreshët, dhe më pas nga studiuesit shqiptarë. Pra, titulli materializon, punën kërkuese, përmbledhëse, hulumtuese dhe krahasuese, të këtyre gjurmëve të lëna nga gjithsecili, herë me vetëdije e herë si pjesë e një pune, qëllimi a profesioni tjetër.

Meqënëse jemi tek gjurmët, cilat janë gjurmët e përrallave shqiptare, cila është zanafilla e tyre?

Gjurmët e përrallave shqiptare nuk mund të thuhet se, i kemi gjetur, sot e kësaj dite. Mund  të shprehemi se, i kemi gjurmuar gjurmët, i kemi publikuar dhe i kemi sjellë për lexuesin.

Nëse do të kërkoje të bëja një kthim prapa në kohë dhe të tregoja se ku fillojnë gjurmët, ato faktikisht jepen qartësisht në këtë studim, por atyre të cilave mund t’ua atribuojnë shikimin e parë janë albanologët, si Johan Georg fon Hahn (1811 – 1869), Carl Reinhold, August Dozon etj., të cilët, nuk ishin etnografë, në kuptimn e parë dhe të vertëtë të fjalës, por respektivisht funksionarë të shtetit a pushtetit në fuqi. Më pas, ky gjurmim, do të merret e do të çohet në stade të tjera, sepse, tashmë vetëdija është e qëllimshme, nga  etërit françeskan, nga puna e të cilëve, më pasmajmë janë “ushqyer” të gjithë studiuesit e tjerë të studimit të etnologjisë edhe të etnografisë. Më vejn ndër mend të përmend në krye të vendit,  At Donat Kurtin dhe At Bernardin Palajn. Më tej, puna e tyre, po më vetëdije dhe e qëllimshme, shpihet në stade botimi dhe krahasimi te arbreshët e Italisë, të tillë si Domenico Comparetti, Giovani Papati, Giuseppe Pitré, Carlo Tagliavani, Luca Perone etj, duke i dhënë formë dhe përmbjatje më të plotë gjendjes faktike të përrallave autoktone shqipe.

Dr. Alma Dema 

Në hyrje të studimit tuaj citoni fjalinë,” kam kuptuar se përralla mbetet ndër krijimet më të bukura të prozës gojore, por vetëm kaq, ajo nuk mund të bëhet realitet. Një studim për të? Sigurisht që po…”. A nuk mendoni se përrallat kanë ardhur si pasojë e ëndrrave të njerëzve për të realizuar “të pamundurën”, por që në vetvete bëhen realitet, princesha e gjen princin e kaltër, personazhet, gjejnë lumturinë?

Unë sugjeroj, mendoj, gjykoj, se e gjithë jeta duhet marrë si përrallë, edhe kur ka siklete, vuajtje, problematika, duhen marrë si antagonizëm, si protagonizëm, si ndihmës të antagonizmit, me mendimin se gjithmonë duhet të gjendet lumturia dhe kënaqësia në jetë.

Kur kam qenë e vogël, normalisht, kam menduar se përrallat janë të njësuara me jetën, janë pjesë e jetës dhe kjo lloj pavetëdijshmërie, që në fëmijërinë time më ka bërë mirë, sepse më ka shtuar fantazinë, më ka shtuar dëshirën për jetën, dashurinë për njerëzit, më ka bërë të mendoj gjërat më të mira të jetës, ndërsa më vonë kam kuptuar se përrallat janë thjeshtë përralla, dhe mbetin ose poshtë tavanit, ku i tregon një gjyshe erëmirë, apo ndanë krevatet ku i tregon një mami me dashuri të madhe, pra nuk bëhen realitet.

A ka ndodhur kjo? Pyetja juaj më kalon nga lëmi etnografik, në lëmin antropologjik, dhe pikërisht tek teza e Carlo Ginzburg e cila ka të bëjë me të vërtetën se midis kulturës “së lartë” dhe kulturës popullore ekziston, shpesh, një raport i tipit rrethor dhe që shndërrimi letrar dhe gjëagjëzat popullore i përkasin, në fund të fundit, të njëjtit, disponim intelektual”. Në këtë kuptim, e gjithë krijimtaria gojore, është një lloj mishërimi i ëndrrave, imazheve, shëmbëlltyrave dhe dëshirave të njerëzimit, port ë projektuara në përralla, gojëdhëna, legjenda…

Nëse do të kalonim, më pas, në antropologjinë sociale, do të mund të thonim, që janë ministruktura t një organizimi shoqëror të hershëm.

Gjetja e princit dhe e princeshës, them, se mbetet vetëm brenda magjisë, që fal përralla. Realiteti, është një lloj tjetër njësie fizike!

Në përralla hasen shpesh-herë, edhe elementë të dhunës, përpara se të flisni si studiuese, doja t’iu pyesja si nënë, a e pranoni elementin e dhunës në një përrallë për fëmijën tuaj? Por nëse jo, a duhet tu mësojmë fëmijëve vetëm për paqe, për një paqe që nuk ekziston gjerësisht sot në botë?

Dhuna fizike, por edhe psikologjike është dhe ka qenë pjesë e shoqërisë njerëzore, dhe nëse do të pranojmë se përralla sjell një shembull të shoqërisë, e diktuar kjo në miniature, ashtu si e cëkëm më lart,  apo më tej sesa kaq, në atë që u rrëfejmë fëmijëve, dashje padashje, do të jetë e përfshirë.

Kështu, një princ që lufton për princeshën e tij , me armën e tij, e cila mund të jetë një shpatë dhe prêt kokën e kuçedrës, prêt kokën e mbretit antagonist, që do të thotë që përdor, e pavarësisht se, në këtë kontekst, interpretohet si aventurë, dhe nuk interpretohet si dhunë. Nëse do të mbetemi vetëm tek konteksti i aventurës edhe fantazia që çelin tek fëmijët për të qenë të shkathët, të zhdërvjelltë, për t’ia dalë, atëherë mbetemi thjesht tek argëtimi që marrin fëmijët. Por nëse do ta marrim më pas, dhe do ta kalojmë në një formë tjetër, tek metamorfimi i përrallës, dhe e gjejmë te materialet kinematografike, ku përrallat janë marrë vetëm si element i përqasjes, por jo si element i shembullit, atëherë dhuna është dëmshme, është e paparashikueshme dhe, kjo dhune duhet të censurohet. Në lidhje me këtë, unë mendoj se duhet të ketë ekipe të veçanta redaksive të programacionit për fëmijë pranë kanaleve televizive, pranë revistave, pranë organeve botuese, që dhunën nëse nuk e censurojnë të tërën, në njëfarë mënyre, mundësisht, “t’ia sjellin”, përshtatin moshës. Më lejoni t’iu sjell një shembull, meqënëse më pyetët si nënë, e shikoj me shumë dhimbje dhe e trajtoj me po aq dhimbje pranë ekranit të vogël me fëmijët e mi, emisione të tilla, apo përralla të tilla që janë të tejmbushura me dhunë, dhe unë jam e detyruar të shikoj të gjitha programet për fëmijë, për t’ia treguar dhe sqaruar, dhe t’ua jap atyre në atë sasi që ato kanë nevojë. Kjo është edhe kënaqësi për mua, por, pjesa dërrmuese e prindërve, nuk kanë kohë dhe mundësi ta bëjnë këtë.

Fëmija është vetë jeta, nuk ka nënë, nuk ka studiues, filozof, shkrimtar e shkencëtar, që nuk e ka vëmendjen e tij tek fëmija, pavarësisht angazhimeve, fëmija mbetet dashuria më e madhe. A mendon se për edukimin e fëmijës që e duam kaq shumë, duhet bërë një kujdes i veçantë me përrallat, duhet kuptuar një herë vetë,  e pastaj t’ua themi fëmijëve, dhe pse kanë munguar deri më tani studime serioze të këtilla për përrallat?

Herderi thotë që: “Në kokën e një fëmije nuk kanë kaluar përrallat, mos pretendoni që të gjeni lule dhe bar, por vetëm ferra dhe shkurre” dhe kur themi në kokën e një fëmije, atëherë, automatikisht, përfshihet edhe shpirti i tij.

Për mua si studiuese, por, së pari, si lektore, përralla dhe letërsia për fëmijë, duhet të ketë një vend të konsiderueshëm të merituar, dhe shumë të favorizuar. Unë uroj dhe shpresoj se studime të mirëfillta për përshtatjen e përrallave në gjuhën e fëmijëve, të bëhen edhe në të ardhmen, edhe pse kjo nuk do të thotë, që nuk janë bërë në të shkuarën, por në të shkuarën i është kushtuar vëmendje katalogimit të tyre, mbedhjes në terren, përcaktimit të përrallave, duke u munduar të bëhen disa krahasime të një studiuesi me një tjetër, por rëndësia që ka përralla në edukimin dhe në rritjen e një fëmije nuk ka akoma atë vend që meriton.

Kemi dëgjuar shpesh përralla me princër dhe princesha, të pasur dhe të varfër, të mirë dhe të këqinj. Në këtë kontekst, a i hedhin përrallat themelet e modelit të së ardhmes për një fëmijë?

Bumi i madh teknologjik, ecja me hapa galopante e teknologjisë, duke lënë pas dore traditën, kulturën, duke lënë menjëanë prejadhjen tonë, atje nga ne vijmë, në njëfarë mënyre, e ka zbehur konceptin e njeriut të mirë, njeriut të zgjuar; ai duhet të jetë, vetëm i bukur dhe i suksesshëm.

Në fëmijërinë time unë jam rritur me dy modele, së pari ishte modeli i princit, i princeshës në kuptimin e njeriut që punon fort dhe është i arrirë , i cili ishte i diktuar dhe i ushqyer nga gjyshërit e mi, kurse modeli i dytë i diktuar nga edukimi im shkollor, ndahej në partizanë dhe gjermanë, parizanët ishin të mirë dhe gjermanët ishin të këqinj, dhe përralla ime dhe e brezit tim ishte ndërtuar, në këtë mënyrë, dhe sa herë që ne shikonim një film, ne e identifikonim të mirin, dhe thonim që ato janë partizanë, dhe të keqen dhe thonim se ata janë gjermanë.

Ndryshe ndodh në ditët e sotme. Gjysma e së keqes sikur të ishin vetëm gjermanë dhe partizanë! Nuk është vetëm kaq.  Në ditët e sotme, fëmijët së pari përballem me mungesën totale të dashurisë, dhe përderisa e kanë me orare, me pikatore dashurinë e prindit, për shkak të kushteve nën të cilën edhe atë, e ka vëndoasur bumi teknologjik dhe zhvillimi ekonomik, sepse duhet të punojë, duhet të jetë diku tjetër, atëherë fëmija fillon dhe krijon imazhet e tij, modelet e tij, të diktuar nga televizioni, masmedia, pajisjet e ndryshme elektronike dhe, përralla, nuk futet më këtu.

Ne të Dritare.net, kemi publikuar një video në rrjete sociale, ku në përrallën e Hirushes, Hirushja paraqitet si Hirush në versionin mashkull, dhe pyetja në fund ishte: “A do ja tregoje fëmijës tënd një përrallë me hirushin?” Pyetja ime është, se a është përdorur gjerësisht elementi i seksizmit dhe sterotipit gjinor, nëpër përrallat e së shkuarës?

Seksizmi dhe sterotipi gjinor në përralla, sigurisht, që ekziston.  Në studimin tim, këtë formë diferencimi gjinor, e bëj të kuptueshëm, ndër të tjera, si në përrallën Çika e pakund shoqe: “A mërzitesh me të lanë tri vjet të ndryme në shtëpi qyqe vetëm? – e pyet djali. M’u mërzitë, mërzitem, - u tha çika, - por në më dhaçi me hanger e me pi për tre vjet, rrij për hatër t’uaj e dilni e kërkoni…” pra, djali ka të drejtë ta përdorë dhe ta trajtojë të dashurën apo gruan e tij, si të dojë. Sterotipet gjinore shkojnë paralelisht me kuturën patriarkale që shqiptarët kanë.

E në këtë kontekst, nuk mendoj se elementët e seksizmit dhe të stereotipeve gjinore  mund t’i heqim me dorë, si të jenë një tufë bari i keq.  Jo, nuk mendoj kështu, por duhet të përpiqemi, që së paku, ta përmirësojmë përmes një kurrikule të rafinuar që në sistemin parashkollor. Të përpiqemi që fëmija, fëmijërinë ta kalojë fëmijëri. Këto element nuk është kaq e lehtë, të eleminohen, por, të mundohemi të paktën t’i zbutim. Unë personalisht nuk i tregoj djalit tim përralla me hirushin, sepse unë preferoj që djalin ta rris djalë e vajzën, vajzë.

Sa kohë keni punuar me studimin? A keni shfletuar shumë literaturë?

Realisht më është dashur shumë kohë, kam shfletuar shumë, por përsëri nuk jam e kënaqur. Asnjëherë, asnjë studiues, nuk mendon se i ka dhënë dorën e fundit punimit të tij e asnjëhrë nuk mund të thuhet se, pas meje, nuk ka më punë, për të bërë. Gjurmët dhe gjurmimi vazhdojnë!

Si nënë, por edhe si studiuese, çfarë do u sugjeroje nënave të reja, sa të kujdesshme duhet të jenë ato me përrallat që u lexojnë fëmijëve të tyre?

Nëna është gjithçka për fëmijën; është lulja e parë që mbin në ballë dhe në zemër të tij, dhe nëna është ajo që mundohet maksimalisht që fëmijës së vet, t’i japi më të mirën, në mënyrë absolute!

Studentëve të mi, të Degës së parashkollorit, të Ciklit të Ulët apo edhe të degës gjuhë – letërsi, anglisht përpiqem t’iu injektoj nevojën që kanë ata, së pari, të lexojnë vetë përralla, duke qënë se vetë atyre, u mungon kjo botë, dhe së dyti t’ua tregojnë kujt të munden,  dhe së treti të kenë shumë kujdes mënyrën se si e tregojnë përrallën, sepse rrëfimtari është shumë i rëndësishëm në përcjelljen e elemnetev diadaktikë dhe edukues. Përrallat janë shumë të rëndësishme, ato duhen tregohen në moshën parashkollore, të ilustrohen të interpretohen, e më pas t’i kërkohet fëmijës që t’i tregojë vetë.

Unë po sjell një shembull me vajzën time, me Pinokun e përshtatur për moshën e saj. Sa herë që ajo më thotë ndonjë gënjeshtër, edhe unë e kuptoj që ka thënë gënjeshtër, e lë ta thotë gënjeshtrën, pas disa minutash i them:Mosssss, qenka rritur hunda, ça ka ndodhur? Dhe ajo menjëherë më thotë: Unë të thashë një gënjeshtër! Pra, ajo pavarësisht se, është 4-vjeç, e beson përrallën me truqet e saj. Beson Pinokun! Kjo sepse kemi punuar shumë me të, në këtë drejtim.

Dua të pyes, a ka një studiues shqiptarë infrastrukturën e duhur, mbështetjen e duhur nga institucionet që të vazhdojë me punët kërkimore-shkencore?

Para dy vitesh dy kolegë të mi nga Kosova më thonë, se kanë nisur një projekt me titull: “100 rrëfyesit më të vjetër të Kosovës” dhe me certifikatën në dorë gjurmojnë në të gjithë Kosovën, dhe për mua ai ka qenë studimi dhe projekti më i mirë në 100 vite në lidhje me ruajtjen e trashëgimisë kulturore, etnicitetit, i gjurmëve, të kulturës së vërtetë shqiptare dhe përrallave.

A do doja ta bënim edhe në Shqipëri? Shumë!

A janë lënë në harresë studiuesit shqiptarë, studiuesit e mirëfilltë, pra, a është bjerrur roli i tyre në shoqëri, në botime, në studime?

Gjykoj se secili bën aq sa mundet!/ Dritare.net