Na ndiqni edhe në

Stil Jete

Të ndjerët dhe të kuptuarit!

Të ndjerët dhe të kuptuarit!

Nga Lira Gjika

Rritja e fëmijës shoqërohet nga plagë dhe kurajo. Fëmija që të rritet e të njohë e bëjë të vetën këtë botë i duhet ndërveprimi me tjetrin. Ndërveprimi me nënën dhe babain apo zëvendësues të tyre, të cilët bëjnë të mundur zhvillimin e dy mekanizmave kryesorë, atë të ndjerit dhe atë të të kuptuarit, të cilët nuk zhvillohen në të njëjtën linjë dhe si rezultat I kësaj, jo në të njëjtën kohë. Ato janë dy procese të ndryshme dhe kanë nevojë për kohë që të kombinohen së bashku, Madje gjithë jetën e tij njeriu vepron nëpërmjet këtyre dy mekanizmave të fuqishëm që e kanë shpesh shumë të vështirë të rakordojnë apo njehsohen me njëri tjetrin.

Janë këto dy mekanizma që e ndihmojnë ose e pengojnë njeriun të përfshihet ose jo në shoqëri. Këto dy mekanizma janë ato që ndikojnë në pranimin dhe besimin te vetja , natyrisht gjithnjë në “bashkëpunim” me tjetrin. Fëmija sa vjen në këtë botë përpiqet të orientohet se si po e presin dhe njëkohësisht të vendosë në punë mjetet e tij për të njohur këtë jetë ku ka ardhur. Fëmija gjithë kohën fokusohet te nëna dhe babai apo kujdestarët, për të kuptuar e mësuar si ti ndërtojë marrëdhëniet me ta, si ta përdorë trurin që të kuptojë çfarë ndjejnë ata të rriturit, po edhe ai vetë. Nëna I qesh dhe fëmija mëson të qeshë. Nëna flet e luan, dhe ai, fëmija fillon të mësojë ti përgjigjet lojës së nënës dhe kur ajo hesht ai e nxit me gugat e tij që të vazhdojë. Po kur nëna nuk përgjigjet apo flet me një tjetër dhe e përdor zërin keq fëmija stepet. Këtu fillon të zhvillohet një plagë.

Kur nëna qetësohet dhe aroma e saj është e mirë fëmija bëhet kurajoz dhe i qesh apo nxjerr ato gugat dhe nëna i përgjigjet dhe të dy rifillojnë lojën e tyre. Këtu, në këtë rikthim të nënës janë rrënjët e kurajos. Jo rastësisht thuhet sa më shumë nga nëna të zbulojë fëmija aq më i zoti bëhet në jetë, pasi njohja ndihmon në ndërtimin e marrëdhënieve dhe shmang frikën. Frika është një mekanizëm që e pengon fëmijën të njohë e mbajë mënd. Duhen përpjekje të mëdha nga ana e fëmijës për të njohur e përshtatur në këtë mjedis të ri, të thatë, gjithë zhurma e gjigandë. Pa të rriturin pranë, fjalën dhe prekjen e tij, fëmija nuk mund të ekzistojë pale të rritet si person më vete.

Ai nuk mund të kuptojë se çfarë ndjen dhe çfarë kupton dhe jo më ti ndërthurë e artikulojë. Ju të rritur pranë fëmijës kini pak durim dhe gjenduni pranë, përgjatë procesit të rritjes. Kujtohuni se sa vështirësi hasni kur nuk e dëgjoni mirë një fjalë apo kur nuk shikoni qartë dhe nuk kuptoni çfarë po ndodh apo nuk arrini të kontrolloni padurimin apo inatin edhe pse e dini që nuk keni të drejtë./dritare.net