Fenomenale në pistë. Lara Colturi siguron vendin e dytë në Kupën e Botës
Dritare.net

Skiatorja që përfaqëson Shqipërinë, Lara Colturi, u rendit e dyta në Kupën e Botës në Levi të Finlandës. Në garën e dytë të këtij sezoni, 19-vjeçarja italo-shqiptare arriti vendin e dytë me kohën 1 minutë e 50.58 sekonda, vetëm 1.66 sekonda pas fitueses, legjendës amerikane Mikaela Shiffrin.
Në lëshimin e parë në disiplinën e Slalomit, Colturi u rendit e dyta, vetëm 1.08 sekonda pas Shiffrin (56.08), ndërsa në lëshimin e dytë përfundoi e treta me 52.84 sekonda, duke mbajtur diferencën me Shiffrin në 0.58 sekonda. Ky rezultat është i veçantë, pasi Slalomi Gjigant është disiplina e preferuar e Larës, ndërsa sot ajo feston edhe 19-vjetorin e lindjes.
Pas garës, Lara nuk i fshehu emocionet:
"Jam shumë e lumtur, ky është Slalomi i parë i sezonit dhe jemi stërvitur shumë. Të ndaj podiumin me Mikaelën është një gjë e veçantë, ajo është një frymëzim për mua," tha Colturi për RTSH.
Ky podium shënon ngjitjen e katërt për Larën në karrierë. Më parë ajo kishte arritur vendin e dytë më 23 nëntor 2024 në Gurgl të Austrisë në Slalom, vendin e dytë më 4 janar 2025 në Gora të Sllovenisë në Slalom Gjigant dhe vendin e tretë më 8 mars 2025 në Are të Suedisë./dritare.net