Spas Spasov, një leksion për fake news: Mos u intereso për çfarë është e paligjshme, por çfarë është e pamoralshme!

“Gazetaria e vërtetë është ajo që bën publike atë informacion që nuk duan ta shohin të publikohet. Gjithçka tjetër është marrëdhënie me publikun,” thoshte George Orwell.

Ky është përshkrimi që i shkon më tepër për shtat  njërit prej emrave më të njohur të gazetarisë bullgare, Spas Spasov. Ai është “Njeriu i Vitit” në Bullgarinë e 2013-ës, është çmimi i kurajës, është historia e gazetarit që beson në një media me parime që deklarohet haptazi dhe në pozicione të qarta, pa frikëra balance mes të majtës dhe të djathtës, të ligjshmes dhe të paligjshmes, por vetëm mes të moralshmes dhe të pamoralshmes.

“Ekziston një parim të cilin duhet ta respektojmë të gjithë ne”, shprehet Spasov për Dritare.net. Bëhet fjalë për një citim nga baballarët e shtetit amerikan që thotë: Mos u intereso për atë që është e ligjshme dhe e paligjshme, por interesohu për atë që është e moralshme dhe jo e moralshme. Mos harro se edhe robëria dikur ishte i ligjshme.

Spasov investigoi për dy vite një grup financiar nga më të fuqishmit në Bullgari. Investigoi, tregoi dhe u kërcënua. Denoncoi dhe e gjithë bota mediatike nga “Le Monde Diplomatique” tek “Spigel”, “Corriere della Sera” e “ARD”, e bëri lajm kërcënimin e tij sepse asnjë gazetar bullgar nuk kishte ngritur zërin më parë.

Kolegët e tij besonin se të nënshtrohesh është mënyrë jetese dhe të kërcënohesh është pjesë e punës.

Ky është rrëfimi inkurajues i Spas Spasov, i atij që është model i gazetarisë  investigative ballkanase, një shembull që na mungon.

Nga Rudina Xhunga

Dritare.net: Faleminderit që erdhët në Shqipëri dhe iu përgjigjët pozitivisht ftesës sonë. Çfarë njohje keni për Shqipërinë?

Është hera e parë që vij në Shqipëri. E di që është një shtet që është shumë afër Bullgarisë por nga ana tjetër ndodhet edhe shumë larg. Them qe është shtet i afërt sepse jemi fqinj në Ballkan dhe në të njëjtën kohë jemi larg njeri-tjetrit sepse dimë pak për njeri-tjetrin. Në fakt, ne në Ballkan dimë shumë pak për njeri-tjetrin. Përshtypja e parë për Tiranën, përveç se në gjelbërim, këtu pashë një qytet i cili më kujton Bullgarinë para 10 vjetësh.  Ne po ashtu si ju, kemi njerëz që shesin libra përgjatë rrugëve të cilat i mbajnë në kuti kartoni, por vitet e fundit kjo dukuri haset shumë rrallë. Mendoj se diferenca kryesore, një përshtypje që ndjehet në ajër mund të them, është se Shqipëria ka qenë  një shtet i izoluar nga bota më shumë se ç’ka qenë Bullgaria gjatë 20 viteve të fundit të kohës së regjimit komunist dhe ndoshta për këtë arsye popullit shqiptar i nevojitet pak më shumë kohë që të dalë nga ky izolim. E di këtë sepse edhe unë pjesën më të madhe të jetës sime e kam kaluar gjatë viteve të komunizmit. Ky izolim i mbyll njerëzit, është izolim i procesit të të menduarit, e bën komunikimin me botën më të vështirë. Prandaj, duhet kohë që të përballohen të gjitha këto gjëra. Mendoj se Shqipëria ngjan shumë me Bullgarinë dhe jam i sigurt që shumë shpejt Shqipëria do të kalojë drejt rrugës për të cilën të gjithë ju ëndërroni, të arrini atë nivel jetese që vetëm ne që kemi kaluar në komunizëm e kemi ëndërruar.

Dritare.net: A flitet shumë për komunizmin në Bullgari, për dosjet etj?

Tema e komunizmit është e rëndësishme për ne. Në Bullgari ishte votuar një ligj për hapjen e dosjeve të ish sigurimit të shtetit, për policinë politike të regjimit komunist. Ishte një ligj që nuk parashikonte përjashtimin e ish agjentëve dhe njerëzve që kanë punuar në strukturat e sigurimit të shtetit. Kështu që ky proces mbeti në sferën e emocioneve dhe u bë në atë mënyrë që edhe sot e kësaj dite, në shumë prej pozicioneve në administratën publike, janë ende njerëz që kanë qenë të lidhur me këto struktura. Madje edhe për Presidenti bullgar Georgi Parvanov, që ishte deri në fund të vitit 2011, dolën të dhëna që ka qenë gjithashtu agjent i shërbimit. Sektorët kryesorë të ekonomisë bullgare ishin privatizuar nga persona të cilët ishin lidhur me shërbimin e atëhershëm, njerëz të rëndësishëm në sferën e kulturës dhe arsimit gjithashtu janë agjentë të sigurimit të shtetit. Gjithashtu, 25 vjet pas rrëzimit të regjimit, shteti është ende i rrethuar nga njerëz që kanë punuar për ruajtjen e regjimit komunist. Sa më mirë ta njohim të kaluarën tonë aq më mirë mund të ndahemi në mënyra radikale me të. Mendoj se ky ligj është i mirë dhe besoj do të ishte më keq nëse nuk do ta kishim edhe nga ky këndvështrim. Një tjetër gabim i madh, nuk jam i sigurt a ka qenë gabim apo pasojë, por gabimi ishte nga fakti se sistemi arsimor në Bullgari nuk kishte ndryshuar në mënyrë të tillë që t’i lejonte dy brezave që u rritën gjatë viteve të tranzicionit të mësonin se çfarë ka qenë regjimi komunist, sesi e kishte prekur jetesën dhe të menduarit e njerëzve dhe çfarë pasojash të rënda ka pasur për jetën e bullgarëve sot. Këto janë dy gjenerata bullgarësh të rinj të cilët janë rritur në një Bullgari të re, por ata nuk kanë motivimin, energjinë e brendshme që të vazhdojnë zhvillimin e shtetit në mënyrë të tillë që ajo të shkëputet përfundimisht me të kaluarën e saj.

Dritare.net: Ju flisni për brezin e ri të bullgarëve dhe dua t’ju pyes për brezin e ri të gazetarëve bullgarë.

Profesioni ynë ka vlerë vetëm kur në të punojnë njerëz me cilësi dhe virtyte të larta morale. Mua më pëlqen shumë një shprehje që thotë “Që të kuptosh ato që të flasin, duhet të kuptosh kush i thotë”. Që një gazetar të jetë i mirë duhet të ketë një pozicion, qëndrim të vetin, të ketë të qartë botëkuptimin e vet në mënyrë që të jetë i qartë edhe për shoqërinë. Kështu që koordinata e vlerave morale është me rëndësi të madhe për gazetarinë sidomos në vendet postkomuniste. Ajo që më mahnit gjithmonë kur udhëtoj në Evropën Perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, apo edhe në Francë, është se sistemi i medieve është pjesëtar aktiv në të gjitha debatet shoqërore. Pra, në Francë nëse merr një gazetë, sheh një stacion televiziv, apo nëse sheh ndonjë faqe interneti, secili e ka të qartë çfarë pozicioni mbahet nga kjo medie, ku ti mund të zgjedhësh atë medie që ka pozicione të ngjashme me mendimet e tua, ke mundësi të marrësh mendime nga një media e cila pavarësisht se nuk ka përputhje me mendimet e tua, ti gjithsesi merr informacion suplementar dhe mund të bësh krahasime. Problemi i madh i shtypit bullgar gjatë viteve të fundit është se nuk dihej kush ishte kush ngaqë media ndryshonte me ndryshimin e çdo qeverie madje, lindin një sentencë e cila mua nuk më pëlqen. Kjo sentencë thotë se gazetaria shkon pas fitimtarit. Ka një roman të një shkrimtari italian, ku shkruhet për ata që ecnin pas ushtarëve, dhe bëhej fjalë për prostitutat që ecnin pas ushtarëve gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore. Si një njeri që kam punuar gjithë jetën në fushën e gazetarisë, nuk dua t’i krahasoj gazetarët me ata njerëz që e shesin veten. Për këtë arsye,  kontaktet ndërmjet gazetarëve janë me rëndësi të jashtëzakonshme sepse është e dobishme të dish se mediet në Shtetet e Bashkuara mbrohen me ligjin e parë në Kushtetutë e cila ka sanksionuar se qeveria nuk mund të kufizojë lirinë e shtypit, lirinë e medieve dhe mendimit të lirë dhe kjo është arritja më e madhe e demokracisë në Amerikë. Duhet të dimë se çfarë rëndësie ka kur një gazetë në Gjermani apo në Francë mbron pozicionet e qarta dhe kriteret e larta. Të mos harrojmë se shtypi dhe mediet në përgjithësi, përveçse të informojnë, duhet të formojnë publikun e tyre. Kështu që duhet të kuptojmë se çfarë përgjegjësie të madhe mbajmë ne si gazetarë.

Dritare.net: Më ka bërë përshtypje një shkrim i juaji për një ngjarje të rëndësishme për Varnën dhe për të gjithë Bullgarinë, siç ishte ngjarja e Plamen Goranov i cili më 20 shkurt të vitit të kaluar i vuri flakën vetes në shesh ku në dorë kishte një kuti gazi dhe një flamur duke bërtitur frazën “Këshilli Bashkiak i qytetit duhet të japë dorëheqjen”, përpara se të vetëdigjej. Ai vdiq dhe u kthye në ndërgjegjen morale të qytetit, thuhet në shkrim tuaj.

Ajo që ndodhi më 20 shkurt në Varna ishte një shenjë e qartë për të treguar se në çfarë rruge pa dalje ndodhet shoqëria civile në Bullgari, tregon sesi janë ndërprerë marrëdhëniet midis popullit dhe njerëzve që drejtojnë shtetin, sesi janë privuar nga mundësia për të zgjedhur zhvillimin e tyre. Plamen Goranov kërkoi fort dorëheqjen e Këshillit Bashkiak dhe Kryetarit të Bashkisë së Varnës. Kryetari i Bashkisë, që drejtonte qytetin deri në vitin 2013, ishte një “kameleon politik”. Ai ishte një njeri që doli nga lëvizjet e reja demokratike në Bullgari, gradualisht kaloi përmes pjesës më reaksioniste të ish Partisë Komuniste për të arritur në mungesën e plotë të parimeve si Kryetar i Bashkisë. Gjatë viteve të tranzicionit ai mbështetej nga biznese të ndryshme me pozicione të dyshimta, me njerëz që e mbështetnin vetëm në lidhje me përfitimet në biznesin e tyre dhe po ashtu ai përfitonte në të njëjtën mënyrë prej këtyre bizneseve. Këshilli Bashkiak në Varna u transformua në një klub njerëzish që janë ndodheshin në politikë vetëm për interesat e tyre personale, politikanë të lindur një natë para zgjedhjeve, dhe këtë po e them në mënyrë figurative. Pra, ishin njerëz që krijonin parti politike që të hynin në pushtetin bashkiak. Pastaj bënin rigrupime të reja dhe në asnjë rast nuk mbronin votuesit e tyre dhe interesat e qytetit. Në fund të fundit, si në të gjithë Bullgarinë, Varna mbeti në një situatë ku në krye të shtetit ishte një monopol politik dhe ekonomik. Siç dihet, secili monopol shtetëzon atë që e përdor dhe ky monopol e prishi politikën dhe prishi edhe ekonominë, duke u bërë një model i të gjitha ngjarjeve që ndodhën pas kësaj në Bullgari. Sipas modelit të Varnës, në Bullgari u prish struktura e bashkimit të forcave demokratike, bashkim i cili pas ndryshimeve të viteve ’88-’89 bashkoi demokratët në Bullgari.  Pra, në Bullgari u prish totalisht struktura dhe u bë një karikaturë e vetvetes. I them të gjitha këto që të shpjegoj pse në datën 20 shkurt Plamen Goranov ngjiti shkallët përpara Bashkisë së qytetit Varna dhe kishte me vete një pankartë ku shkruhej “Dorëheqje Kryetarit të Bashkisë dhe Këshillit Bashkiak deri në orën 17:00. Nëse nuk do të pranoni, unë do të vetëdigjem”. Vdekja e Plamen Goranov është një histori me shume rëndësi gjatë 2 viteve të fundit në Bullgari. Shoqëritë vështirë se i kuptojnë këto akte, por këto akte kanë rëndësi të madhe për historinë e këtyre shoqërive. Kështu që shpresoj që historia e Plamen Goranov-it të jetë një pikënisje, një orientim në lëvizjen e Bullgarisë drejt të ardhmes së saj më të mirë.

Dritare.net: Kryetari i Bashkisë është i njëjti në Varna apo ka ndryshuar?

Jo, ai dha dorëheqjen por jo Këshilli Bashkiak dhe unë nuk di sesi këta njerëz sot kalojnë çdo ditë përpara gërmadhës së gurëve që janë vendosur përpara hyrjes së Këshillit Bashkiak. Gurët janë një traditë në historinë bullgare. Bëhet fjalë për historinë që është përshkruar në letërsinë bullgare për një fshat bullgar ku fshatarët vendosin të bëjnë një gërmadhë gurësh që të tregojnë se sa i padëshiruar është njeriu që drejton fshatin e tyre në një moment të caktuar historik. Kështu, gërmadha e gurëve në psikologjinë bullgare është kthyer në një simbol i dëshirës për të ndarë me të tjerët diçka që të rëndon, pengon dhe të tregosh nëpërmjet këtyre gurëve çfarë urrejtje të madhe ushqen ndaj dikujt. Për këtë arsye, pas vdekjes së Plamen Goranov-it, të gjithë banorët e qytetit u ngritën dhe secili prej shkoi në vendin ku Goranov u vetëflijua, dhe vendosën nga një gur, derisa u bë një gërmadhë e madhe që nuk u hoqën dhe janë edhe sot e kësaj dite atje. Këto gurë janë simbol të urrejtjes pa masë dhe nuk mund të mos rëndojnë mbi njerëzit që punojnë në këtë Këshill Bashkiak. Sa më shumë të rrinë ata gurë para derës së Kryetarit të Bashkisë, aq më shumë i paralajmëron njerëzit që punojnë aty se duhet të jenë të kujdesshëm në punët që bëjnë.

Dritare.net: Arsyeja që unë ju ftova në emision është historia juaj e investigimit, kërcënimit, denoncimit ndaj Grupit TIM. Për të kuptuar rëndësinë e saj, do të doja të ndanit me shikuesit historinë e Grupit dhe peshën e tij në ekonominë bullgare.

Dua të them si fillim se njeriu arrin aq larg sa ai ka vendosur të arrijë. Gjëja më e rrezikshme në profesionin tonë është autocensura, mendoj unë. Kështu që barrierat që vendosim përpara vetes janë më të rrezikshme se barrierat që të tjerët vendosin përpara nesh. Multikompania ekonomike TIM është simbol i pjesës së historisë së tranzicionit në Bullgari. Është një ilustrim për defektet e tranzicionit bullgar. Kjo kompani, TIM, ashtu si shumë prej biznes-strukturave të tjera në Bullgari, është një strukturë e madhe që merret me biznese serioze. Sipas informacionit jozyrtar firmat që bëjnë pjesë në këtë grupazh kontrollojnë rreth 1% të biznesit në Bullgari, ku përfshihet tregtia me drithëra, me produktet kimike, çështjet bankare, ku përfshihet sektori i sigurimeve. Ky grupazh ka pjesë të kompanisë ajrore “Bulgaria Air”, ka joint-venture  me kompaninë gjermane Lufthansa ku në Sofje gjendet baza e riparimit më të madh të këtyre avionëve, ata janë koncesionerë të aeroporteve më të mëdha në Bullgari, por kanë edhe shumë biznese të tjera që janë pjesë e një rrjeti të madh. Kështu që unë nuk mund të them në asnjë mënyrë se TIM aktualisht është diçka jashtë fushës së biznesit normal në Bullgari. Ndoshta njerëzit që kontrollojnë këtë biznes-strukturë vështirë se mund të ndahen me njerëzit përreth tyre. Ajo me të cilën u mora unë ishte të investigoja një firmë, pjesë e kësaj kompanie, e cila është pronare e një terreni prej 120 dynym në bregdetin e Varnës.

LEXO DHE :  Emri/ U gjet i pajetë pranë banesës, policia: 34-vjeçari ka plumb në shpatull

Dritare.net: Ishte një detyrë të cilën jua kërkoi gazeta për të cilën ju punoni apo ishte diçka që ju vendosët ta investigoni sepse ju bëri përshtypje?

Jo, jo ishte një temë të cilën unë e propozova që ta trajtojmë në gazetën ku unë punoj. Unë punoj si redaktor dhe korrespondent për rajonin e Detit të Zi. “Economedia” është grupi më i madh mediatik që merret me publikime në fushën e biznesit. Punoj në Varna sepse ky rajon është shumë i rëndësishëm në Bullgari për shumë sektorë të ekonomisë. Rasti që unë investigova ishte i lidhur me marrjen e terrenit në rajonin e qytetit. Kështu, diskutova me kolegët e mi në zyrën e gazetës Kapital, gazetë me shumë ndikim në këto 15 vitet e fundit në Bullgari, sesi të bënim investigimin. Dua të theksoj se iniciativa për një investigim duhet të filloj nga vetë gazetari që e nis investigimin. Kur një investigim i ka paraprakisht kufijtë e vendosur, nuk mund të jetë i suksesshëm ose i dobishëm. Kështu, pas zgjedhjeve parlamentare në vitin 2009 në Bullgari, doli një informacion rreth një kontrate me një shumë të majme, rreth 120 dynym terren buzë Detit të Zi në Varna. Dua të them se bëhet fjalë për terrene siç janë terrenet me ndërtime hotelesh buzë detit të Durrësit në plazh. Katër terrene të tilla ishin shitur dhe u bë e qartë se ato ishin shitur me çmimin 50 euro për metër katror, çmim ky disa herë më i ulët krahasuar me çmimin e tregut për një tokë të tillë, për më tepër në një qytet si Varna ku çmimet janë shumë të larta për pronat e patundshme. Pikë së dyti, bëhej fjalë për shitjen e  terreneve që kanë statusin e pronës publike shtetërore, të cilat nuk mund të shiten. Ato mund të jepen me koncesion ose shiten apo jepen për përdorim vetëm me vendim qeverise. Pikë së treti, kjo kontratë ishte realizuar disa ditë para zgjedhjeve dhe e gjitha kjo solli dyshime se këtu diçka nuk shkonte. E gjitha kjo ishte baza e motivimit tim që të merresha me këtë investigim.

Dritare.net: Ju thoni se u bë pak para zgjedhjeve. Doja të dija, a patët ndihmë politike, për informacionin e mënyrës së bërjes së kontratës, nga grupimi që fitoi zgjedhjet në Bullgari që udhëheq aktualisht?

Jo, nuk kishim ndihmë të tillë. U bë e qartë se partia politike që erdhi në pushtet pas zgjedhjeve në vitin 2009 vazhdoi në të njëjtën mënyrë të përfundojë kontratën që e kishin nisur ata që i humbën zgjedhjet. Domethënë, kjo është një dëshmi dhe shembull për këtë biznes kameleoni, për të cilin mendoj se është tipar dhe shkaktar edhe i ekonomisë së Shqipërisë. Siç themi për personin, ashtu edhe biznesi duhet të ketë rregulla të qarta sepse sa më shumë të jetë biznesi pjesë e racionales aq më shumë duhet ti ketë qëndrimet e qarta. Bërja e një biznesi pa parime është njësoj si politika pa parime. Ai ishte një investigim i cili ndoqi gjithë procesin e kontratës e cila filloi në mënyrë të paqartë dhe që me siguri do të përfundojë në mënyrë po ashtu të paqartë me realizimin përfundimtar të projektit të kompanisë në lidhje me këto katër terrene.

Dritare.net: Sa kohë zgjati investigimi juaj? Sa shkrime realizuat ju?

Brenda dy vjetësh kam publikuar tre-katër shkrime. Nga njëra anë kjo është kohë e mjaftueshme sepse marrja e informacionit është një proces i vështirë në çdo investigim. Në radhë të dytë, që investigimi të jetë i suksesshëm, informacioni duhet të provohet që është i vërtetë dhe që të mos komprometojë procesin e investigimit.

Dritare.net: Pra, shkrimet tuaja kanë pasur të bëjnë me informacion mbi parregullsitë e blerjes së kësaj toke apo edhe me opinionin tuaj personal për këtë firmë?

Jo, shkrimet nuk kishin të bënin me pozicionin tim. Unë mendoj se realizimi i një projekti të tillë, mbi këtë terren do të ishte i favorshëm për qytetin tonë por mënyra sesi u bë blerja apo marrja e terrenit, nuk garanton në asnjë mënyrë se ajo që do të ndërtohet do të përputhet me interesat e publikut. Kështu që, unë u përpoqa të bëj investigim në emër të interesit të publikut, investigim rreth realizimit të këtij projekti, në cilën shkallë po respektoheshin ligjet, në çfarë shkalle ishte duke prekur interesat e publikut kjo kontratë dhe në çfarë shkalle do të prekte realizimi i këtij projekti interesat e shoqërisë. Këto ishin tre momentet ku unë u ndala dhe investigova. Unë doja të bëja të qartë si ishte arritur në çmimin e vendosur, si ishin shitur këto terrene dhe cilat do të ishin pasojat në ekonominë e Varnës pas realizimit të një mega projekti të tillë, qe po mbyllej “në errësirë”.

Dritare.net: Në krye të dy vjetëve, ndërsa realizuat këto shkrime për medien ku punonit, ju kërcënoheni. Në ç’mënyrë erdhi kërcënimi ndaj jush?

Ndodhi në një mënyrë që më befasoi edhe mua sepse kërcënimi erdhi pas publikimit të katërt. Emri i projektit të kësaj kompanie quhej “Shëtitorja buzë detit” ndërsa shkrimi im i katërt titullohej “Shëtitorja famëkeqe”. Pronarët mbetën të ofenduar nga mënyra sesi e quajta shkrimin dhe përmbajtja e këtij shkrimi kishte të bënte pikërisht nëse ky projekt do i jepte një famë të mirë apo të keqe qytetit. Përveç kësaj, ishin edhe faktet që kisha zbuluar gjatë investigimit që sollën kërcënimin. Në gusht të vitit 2012 erdhi një postier në shtëpi dhe më solli një pako, ku kishte një libër të njohur të autorit kinez Sun Tzu me titullin “Arti i Luftës”. Vetë titulli i librit të jep një sinjal por përveç kësaj libri përmbante edhe një shënim të nënshkruar nga një prej pronarëve të firmës i cili thoshte “është mirë të mos merresh fare me atë që nuk e bën dot mik apo që nuk e mund dot”. Këtu dua të hap një parantezë dhe të them se pavarësisht nga fakti se ky ishte një sinjal për presion apo të mos them kërcenim sepse ndoshta kërcënimi është diçka më konkrete dhe kategorike, ky ishte një presion serioz dhe ky shënim që ishte bërë mbi libër fliste qartë për mënyrën sesi biznesmenët e rinj në Bullgari i konsideronin marrëdhëniet e tyre me shoqërinë dhe gazetarët. Ata nuk arritën të kuptojnë këto 20 vitet e fundit se nuk është e nevojshme ta konsiderosh gazetarin si mik apo armik, nuk është e nevojshme ta përjashtosh qoftë nëse e konsideron mik apo armik, por ndoshta ne gazetarët jemi fajtorët për këtë sepse jemi në një pozicion të tillë ku duhet të jemi ose shok ose armik. Nuk kemi arritur të ruajmë distancën që të jemi të paanshëm, që të jemi informuesit e paanshëm. Ndoshta ne nuk kemi bërë përpjekjen e nevojshme që të na pranojnë në mënyrë të tillë. Këtu po mbyll parantezën. E mora librin i cili sipas të gjitha standardeve të gazetarisë ishte një lloj presioni, kërcënimi duke marrë parasysh kushtet ku punojmë ne në Bullgari dhe ju në Shqipëri. Unë bëra fotografi librit me shënimin dhe ia dërgova pronarëve të gazetës ku punoja duke i shpjeguar të gjithë rastin sesi ndodhi. Nga njëra anë e bëra pasi ndjeja detyrim ndaj gazetës ku punoja dhe për të mbrojtur veten. Pronarët e mi vendosën të publikojnë shënimin bashkë me fotografitë që kisha bërë. Më pas erdhi reagimi i cili më befasoi si mua ashtu edhe ata që më kishin dërguar librin. Brenda 24 orëve erdhën reagime nga organizata të njohura ndërkombëtare si organizata joqeveritare Gazetarë pa Kufij, Organizata e Gazetarëve të Evropës Juglindore, reagime nga disa Ambasada në Sofje, reagime nga ana e disa medieve gjithashtu.

Dritare.net: Dhe mediet më të rëndësishme ndërkombëtare. Duhet ta them këtë pasi unë vet ju njoha duke lexuar një prej këtyre medieve. Ju ishit personazhi i disa televizioneve të rëndësishme me intervista për ngjarjen.

Një vit pas ngjarjes disa televizione erdhën në Varna për të bërë një reportazh për ngjarjet e fundit në Bullgari dhe në Varna posaçërisht. Unë isha njëri prej pjesëmarrësve të detyrueshëm në reportazh në lidhje me këtë rast sepse ju gjithashtu e dini mirë se një rast i tillë në Evropë do të shkaktonte një reagim të tillë. Shumë pak njerëz në Evropën Perëndimore do t’i lejonin vetes një komunikim të tillë me gazetarët. Jam i sigurt që edhe atje ka gazetarë që raportojnë për gjëra që bizneseve nuk u pëlqen por ju e dini se për një mesazh të dërguar ish Presidenti i Gjermanisë u detyrua të japë dorëheqjen. Po ashtu, ish Kryeministri bullgar shumë gazetarëve u çonte mesazhe dhe u jepte këshilla sesi të pasqyronin veprimtarinë e qeverisë së tij. Ne të gjithë dëshirojmë dhe ëndërrojmë të jetojmë sa më afër Evropës prandaj unë dhe kolegët e mi vendosëm që të vazhdojmë të mos heshtim për këtë rast në emër të objektivitetit dhe në emër të respektit për profesionin tonë si gazetarë. Reagimi nga organizatat që përmenda dhe interesi i televizionit gjerman ARD, Al Jazeera English, interesi i gazetave të tilla si The Economist, Le Monde Diplomatique të cilat e kanë përshkruar rastin me dhuratën destinuar për mua, reagimet e tyre flasin qartë se kjo histori, sipas standardeve evropiane, nuk mund të lihet mënjanë. Ky incident ishte përmendur gjithashtu në Raportin Vjetor të Komisionit Evropian për Përparimin medieve në Bullgari për vitin 2012. Me siguri ne në Bullgari, ashtu si dhe ju në Shqipëri, jemi të gatshëm të pranojmë gjëra të tilla si pjesë e kushteve në të cilat punojmë. Ndoshta shumë prej kolegëve të mi që po na dëgjojnë do të ndryshojnë mënyrën e punës së tyre dhe nuk do të bëjnë lajme të tilla. Por dua të them se reagimi i medieve, pozicioni i qartë i shoqërisë tregoi se ky incident ishte i rëndësishëm dhe nuk duhet lënë mënjanë. Një investigim ka dy anë. Njëra anë ka të bëjë me zbatimin e një prej parimeve kryesore në gazetari që unë respektoj më shumë në punën time i cili thotë se gazetaria është të publikosh diçka që dikush tjetër nuk do të dëshironte të publikohej. Pra, një investigim nxjerr në pah gjëra që dikush tjetër dëshiron t’i fshehë domethënë, ne gazetarët informojmë shoqërinë për gjëra që dikush do t’i fshehë. Aspekti i dytë, që ka gjithashtu rëndësi të madhe, është se personi i investiguar fiton kompleksin e personazhit të Big Brother-it që do të thotë, fakti që vazhdimisht është nën mbikëqyrje. Ky efekt që sjell investigimi i gazetarëve është me rëndësi të madhe, krijon ndjesinë e prozhektorëve drejtuar tek ata apo veprat e tyre. Kjo e bën veprimtarinë e politikanëve apo biznesmenëve, në kufij të caktuar, të respektojnë ligjin, të respektojnë rregullat, siguron më shumë publicitet. Në fund të fundit, është mbrojtja e interesit të publikut ajo që ka më shumë rëndësi sepse kjo është baza e gazetarisë, sipas mendimit tim.

Dritare.net: Do të doja të dija për vazhdimin e punës së kompanisë. Çfarë është duke ndodhur me shëtitoren buzë detit në Varna tani?

Aktualisht, mesa jam në dijeni, pritet të merren dokumentet dhe lejet përkatëse që do të bëjnë të mundur fillimin e projektit sepse në bazë të këtij projekti do të krijohet një lagje e re ku do të ketë banesa, hotele, lokale, qendra mjekësore, qendra sportive, palestra, porte jahtesh dhe kështu me radhë. Patjetër që ky projekt do të jetë në dobi të gjithë qytetit si një pikë turistike e një qyteti bregdetar. Kryesorja është se si do të bëhet nga sot e tutje, sepse duhet të mbrohet nga njëra anë natyra, gjithçka duhet të bëhet në mënyrë të dobishme për ekonominë e qytetit, duhet të bëhet në mënyrë të tillë që t’i përgjigjet pritjeve të shoqërisë. Realizimi i një projekti të tillë me vlerën prej 73 milion levash do të ishte projekti më i madh që do të realizohej në Bullgari në fushën e turizmit. Ky është një projekt që ka rëndësi shumë të madhe jo vetëm për qytetin tim Varna por edhe për gjithë vendin tim. Për mua është me rëndësi që ky projekt të realizohet, pas një diskutimi serioz me banorët.

Dritare.net: A do e kishit ju jetën më të mirë,  nëse nuk do ishit një gazetar si ky që jeni?

Unë njoh shumë gazetarë, shume kolege që kanë pranuar të bëjnë favore, shërbime, të jetojnë mirë, të qetë dhe të zbatojnë detyra të ndryshme. Por duhet të them se gazetaria është një përgjegjësi e madhe dhe kompromisi i bërë nga gazetari mbart edhe pasoja të mëdha sepse është një tregti e bërë me besimin e publikut, të shoqërisë. Ky lloj kompromisi është diçka e padenjë dhe e rrezikshme për shoqërinë prandaj për këto arsye, nuk do t’ia lejoja vetes dhe nuk do të pranoja kurrë një lloj të tillë jetese dhe pune. Në fund të fundit çdo njeri jeton për dinjitetin e vet dhe duhet ta mbrojë atë në të gjitha mënyrat. Një prej krimeve më të mëdha të shtypit në Bullgari gjatë viteve të fundit, ka qenë shitja e përmbajtjes së shkrimit sepse kjo shtrembëron pamjen, është gënjeshtër, është mashtrim dhe në fund kjo cenon jo vetëm autoritetin e profesionit tonë por mendoj se pengon edhe zhvillimin përpara. Prandaj them që ky është një krim. Unë apo ju në vendin tonë do të jetonim më mirë nëse do të pranonin të bëheshim pjesë e këtij mekanizmi. Përgjigja ime është një jo kategorike sepse unë nuk e tregtoj besimin e të tjerëve. Dhe me lejoni ta mbyll me një parim të cilin duhet ta respektojmë të gjithë ne. Bëhet fjalë për një citim nga baballarët e shtetit amerikan, i cili thotë : Mos u intereso për atë që është e ligjshme dhe e paligjshme por interesohu për atë që është e moralshme dhe jo e moralshme”. Të mos harrojmë se edhe skllavëria dikur ishte i ligjshme. Prandaj le të punojmë për moralin./dritare.net

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Dritare.net" mjafton të klikoni: JOIN GROUP

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.