Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Sizmologu i njohur: Shqipëria, shkallë mesatare e nivelit sizmik. Ja çfarë duhet të ndodhë me ndërtimet, pas këtij tërmeti!

Sizmologu i njohur: Shqipëria, shkallë mesatare e nivelit sizmik. Ja
Tërmeti i 26 nëntorit mori 51 jetë njerëzish, plagosi qindra dhe mijëra ndërtesa i shkatërroi. Lëkundjet sizmike vazhdojnë që prej së martës.

Ndërkohë dritare.net ka realizuar këtë intervistë me ish-drejtorin e Institutit të Sizmologjisë, Shyqyri Aliaj.

Dritare.net: Në cilën shkallë rrezikshmërie futet Shqipëria dhe cila pjesë e territorit është më e rrezikuara?

Shyqyri Aliaj: Shqipëria është goditur nga tërmete me intensitet sizmik epiqendror deri 9 ballë, shkallë Merkali dhe magnitudë shkalla Rihter deri 6.9 , si në rastin e tërmetit të 15 prillit 1979 me epiqendër në Petrovac, Mali i Zi që preku rëndë zonën kufitare Shqiperi-Mali i Zi. Vende të tjera në botë preken nga tërmete me magnitudë shumë më të lartë mbi 7 shkalla Rihter, si 7-7.5 e 7.5-8.5, por edhe 8.5-9.5 si unaza e zjarrtë e  Oqeanit Paqesor.  Pra krahasuar me botën Shqipëria konsiderohet me nivel mesatar të rrezikut sizmik që me një projektim e ndërtim duke respektuar gjithë standardet e ndertimit nuk ka rrezik që pallatet të shemben, të shkaterrohet struktura e tyre me pasojë viktima të shumta njerezore.

Brezi bregdetar Adriatiko-Jonian është brezi më i kërcënuar nga tërmetet, kushtëzuar nga kontakti në Detin Adriatik të dy pllakave tektonike gjigante: Pllaka Afrikane futet e shtyhet nën Pllakën Euroaziatike.

Dritare.net: A kemi harta sizmike për Shqipërinë dhe a e kushtëzon ajo lartësinë dhe tipin e ndërtimeve?

Shyqyri Aliaj: Ish-Instituti i Sizmologjisë ka përpiluar këto dy tipe hartash:

a) Harta e  zonimit sizmik të Shqipërisë (Sulstarova, Kociaje Aliaj 1980) në të cilën janë dalluar zona me intensitet, shkalla Merkali 6, 7, 8 e 9 ballë që është bazë  në kushtin teknik të ndërtimeve KTP-N2-89, dhe

b) Hartat e shpejtimit (akseleracionit) maksimal (PGA) për 95 vjet dhe 475 vjet përsëritje të tërmetit për perioda lëkundjeje 0.1, 0.2, 0.3, 0.4, 0.5, 1.0 e 2. 0 sekonda. Këto harta sizmike për Shqipërinë janë shoqëruar me tabela ku janë dhënë vlerat e PGA  dhe Sa për periodat 0.2, 0.3, 0.4, 0.5, 1.0 e 2.0 sekondë për secilin qark dhe komunë (tani quhen njësi bashkiake)(Aliaj, Kociu, Muç e Sulstarova 2010).

Ende nuk janë përfshirë në kodin e ri të ndërtimit, bazuar në eurokodet. Hartimi i standardeve të reja të ndërtimit në vendin tonë në perputhje me Eurokodet është nevojë urgjente pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, një nga më të fortët.

Dritare.net: A kryhen studime sizmike për çdo shesh ndërtimi dhe a është e domosodshme për marrjen nga bashkitë të lejeve të ndërtimit?

Shyqyri Aliaj: Për çdo shesh ndërtimi kryhen dy lloj studimesh:

a) Studimi sizmik për vlerësimin inxhiniero-sizmologjik të rrezikut sizmik,

b) Studimi i kushteve gjeologo-inxhinierike për vlerësimin e aftësisë mbajtëse. Këto 2 studime janë të nevojshme për çdo shesh ndërtimi, pa të cilët nuk mund ndërtuesi të marrë lejen e ndërtimit./dritare.net