Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Situata nga zjarret, vijojnë operacionet në disa zona të vendit

Ministria e Mbrojtjes informoi se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 27 vatra zjarri në të gjithë vendin. Nga këto, 5 vatra mbeten aktive, ndërsa 2 të tjera janë në monitorim.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 42 automjete zjarrfikëse dhe 371 forca operacionale. Në ndihmë të tyre janë vënë edhe 153 efektivë të Forcave të Armatosura, 6 automjete zjarrfikëse, një autoambulancë, 4 helikopterë dhe një avion “Air Tractor”.

Në Cikallesh të Kavajës, vijon puna për eliminimin e vatrave të mbetura, ndërsa situata nuk paraqet rrezik për zonat e banuara. Në Dajt dhe Priskë të Madhe situata po monitorohet dhe nuk raportohet rrezik për banesat.

Në Mallakastër, zjarret në zonat Panahor–Ndrenie–Vlosh dhe Koilaç–Greshicë/Hekal janë vendosur nën kontroll. Ndërkohë, në Abaze të Krujës, zjarri është reduktuar në vatra të vogla dhe nuk përbën rrezik për banorët.

Në Krastë, për shkak të terrenit të vështirë, ndërhyrja po vijon nga ajri me helikopter të Forcës Ajrore. Në Vilëz të Kurbinit, zjarri mbetet aktiv, por ndërhyrja nga ajri ka frenuar përhapjen e flakëve dhe ka shmangur rrezikun për kishën, varrezat dhe banesat.

Ndërkohë, disa vatra të tjera, përfshirë ato në Xhaferaj–Oblikë, Spatharë dhe Kodrën e Butë në Cërrik, janë shuar plotësisht./L.F-dritare.net