Rrëfimi tronditës: Si ma vranë serbët, djalin 17-vjeçar!
Dritare.net

Në një rrëfim prekës dhe plot dhimbje për Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV, nga Britania e Madhe, Osman Caka, babai i heroit Ilir Caka, ndau historinë tragjike të djalit të tij 17-vjeçar, të vrarë nga forcat serbe më 13 prill 1999, dhe betejën e tij të gjatë e të pafundme për drejtësi. Intervista zbuloi plagët e thella të luftës së Kosovës dhe amanetin e një babai për të mbajtur gjallë kujtimin e birit dhe thirrjen e tij për bashkim kombëtar. Osman Caka e nisi bisedën duke kujtuar amanetin e Ilirit: ëndrrën e tij për të ndërtuar një kullë tradicionale shqiptare. “Djali gjithmonë thoshte se kam dëshirë të ngre një kullë. I thashë, ‘o bir, kur të rritesh, do ta ngresh’,” kujton ai me mall.
Sot, ajo kullë qëndron në fshatin e tyre Vat në Kaçanik, e rindërtuar nga duart e babait mbi gërmadhat e shtëpisë së djegur, si një monument i kujtesës dhe qëndresës. Përveç kullës, zoti Caka ka ngritur edhe një shtatore të Nënës Terezës në Manchester, si simbol i humanizmit dhe vazhdimësisë shqiptare. Momenti kulmor i rrëfimit ishte rikthimi në ditën fatale të 13 prillit 1999. Caka përshkroi me detaje rrëqethëse sulmin e befasishëm të forcave serbe, të cilat rrethuan fshatin herët në mëngjes. Iliri, së bashku me një shok, ishte roje atë natë. “Ata i kanë parë forcat serbe duke u grumbulluar. Kanë ardhur nga katër drejtime,” tha ai, duke theksuar se autorët e masakrës ishin serbë lokalë, fqinj të tyre.
Atë ditë, 15 persona u vranë dhe u masakruan në fshatin e tij. Dhimbja më e madhe për një prind është të mbijetojë fëmijën e tij. Zoti Caka tregoi momentin kur mësoi për vrasjen e Ilirit, trupi i të cilit u gjet 4 kilometra larg në lumin Lepenc. Ndërsa organizonte grumbullimin e kufomave të bashkëfshatarëve, ai mori lajmin e hidhur. “Unë kam qenë duke mbledhur kufomat e tjerëve. Një djalë më tha, ‘djali yt është gjetur i vrarë’,” tha ai me zërin që i dridhej. Tragjikisht, Iliri u vra vetëm 12 orë pasi kishte hyrë në 17-vjetorin e tij, një ditëlindje që e “festoi” me një gotë ujë dhe një puthje në ballë nga nëna e tij, para se të nisej për herë të fundit në roje. Pas varrimit masiv të viktimave, familja Caka, si shumë të tjera, u detyrua të largohej, duke kaluar një rrugëtim të rrezikshëm drejt Maqedonisë, për të përfunduar më pas si refugjatë në Angli.
Edhe në mërgim, beteja për drejtësi nuk u ndal. Osman Caka ka ngritur një padi kundër 41 serbëve, emrat e të cilëve i di dhe i ka dorëzuar në prokurori, përfshirë komandantin kryesor Radislav Ognjanoviç. Megjithatë, 23 vjet më pas, askush nuk është dënuar. Ai shprehu zhgënjimin e thellë me sistemin e drejtësisë në Kosovë dhe me Gjykatën Speciale në Hagë, e cila, sipas tij, po gjykon çlirimtarët në vend të kriminelëve. “Neve na dehu pasuria dhe hajnia, jo liria,” tha ai me hidhërim, duke kritikuar klasën politike që ka lejuar harresën të mbulojë krimet. Ai bëri një thirrje të fuqishme që shkollat nga Shqipëria të organizojnë vizita në Kosovë, që brezat e rinj të prekin me dorë plagët e luftës dhe të mos e harrojnë historinë.
Në fund, mesazhi i tij ishte një thirrje për unitet: “Të gjithë shqiptarët, ku janë nëpër botë, të bashkohemi. Vetëm të bashkuar, kurrkush s’mundet me na shndërruar. Sytë i kemi nga Shqipëria. Shqipëria është nëna jonë.” Historia e Osman Cakës është dëshmia e një dhimbjeje që nuk shuhet, një beteje për drejtësi që nuk resht dhe një dashurie atërore që e shndërron tragjedinë në një monument të përjetshëm./K.C/dritare.net