Bimo: Pse kërkon luftë Evropa dhe me kë duhet të rreshtohet Shqipëria, me BE-në apo SHBA-në!
Dritare.net

I ftuar në emisionin Shqip nga Dritan Hila në DritareTV, ambasadori Roland Bimo komentoi rolin dhe strategjinë e Shqipërisë në politikën e jashtme në një kohë kur raportet ndërkombëtare janë jashtëzakonisht të tensionuara.
“Shqipëria ndodhet në një moment delikat për sa i përket orientimit të saj strategjik. Pyetja që shpesh shtrohet është: Kur Amerika dhe Bashkimi Evropian nuk bien dakord, ku do të jemi ne? A do të marrim anën e SHBA-së apo të BE-së?” tha Bimo.
Ai sugjeroi se një qasje pragmatike dhe parimore është më e këshillueshme sesa të ndiqen interesa momentale politike: “Këtu do këshilloja që pyetja të shmanget. Nuk është mirë të vendosësh sipas “kush është korrenti më i fortë”. Historikisht, në politikën e jashtme të Shqipërisë, elitat kanë vepruar aty ku i ka interesuar vetë elitës dhe jo popullit. Natyrisht, populli shprehet përmes elitave që ka zgjedhur, pra supozohet që ato shprehin vullnetin e popullit."
Ambasadori nënvizoi se vendimi për të marrë pjesë në Bordin e Paqes, edhe pse i rëndësishëm për Shqipërinë, nuk duhet të interpretohet si një garanci se vendi po fiton ndikim të madh në skenën globale. “Bordi i Paqes nuk ka një mekanizëm llogaridhënie demokratike. Vendimet merren nga një drejtor ekzekutiv, dhe jo nga OKB-ja kolektivisht. Megjithatë, është mirë që do të jemi pjesë e tij. Problemi është se çfarë projeksioni politik ka Shqipëria në këtë konjukturë të jashtëzakonshme kur po ndryshojnë balancat globale. Ne jetojmë sot atë që kemi parashikuar tre-katër vjet më parë: pllakat tektonike po lëvizin. Sot, pasojat e tyre dalin në sipërfaqe, dhe një prej tyre është Bordi i Paqes, që mund të autorizojë vendosjen e forcës stabilizuese ushtarake në Gaza. Ne ndodhemi në një zonë të botës që nuk është stabilizuar për shumë arsye. Ballkani, qoftë Perëndimor apo jo, nuk është stabilizuar që nga koha e osmanëve dhe Lufta e Ftohtë. Është një zonë ku konflikte etnike mund të ndizen lehtësisht, siç kemi parë në Bosnjë dhe Kosovë. Kur krahasojmë strategjitë e sigurisë kombëtare të SHBA dhe Britanisë së Madhe, shohim se ne jemi midis dy poleve. Britanikët i konsiderojnë rusët, armiq, ndërsa SHBA mund të kenë qasje më pragmatike.", tha Bimo.
I pyetur nga gazetari Dritan Hila nëse lufta do afrohet edhe në Evropë, Bimo tha:
"Lufta është bashkëudhëtare e njerëzimit dhe nuk është çudi që do të ketë përsëri. Rreziku i luftës është i pranishëm gjithmonë, veçanërisht me ndryshimin e raporteve të fuqisë. Shansi i vetëm për të shmangur luftën është ekzistenca e armëve bërthamore, të cilat kanë funksionin e parandalimit. Por duhet kuptuar se përdorimi i armëve taktike bërthamore, megjithëse i kufizuar në efekt, nuk është krahasues me shkatërrimin e plotë që mund të shkaktojë një armë bërthamore standarde. Pra, rreziku i luftës është permanent në çdo kohë, dhe bëhet edhe më i madh me ndryshimin e raporteve të fuqisë. Shansi i vetëm që të mos ketë luftë është ekzistenca e armëve bërthamore, sepse prania e tyre funksionon si mekanizëm parandalimi.
Nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me zotin Trump në krye, do të jenë në gjendje të imponohen, nuk do të ketë luftë, sepse SHBA-të nuk janë të interesuara për luftë. Aktualisht, ato as nuk janë në gjendje të bëjnë luftë të madhe, sepse nuk kanë bazë industriale të mjaftueshme. Ushtria amerikane është e papërgatitur për një luftë klasike, pasi pas Vietnamit ka ndryshuar doktrinën ushtarake, nga lufta me trupa tokësore në luftë kryesisht ajrore. Por me rusët dhe kinezët nuk mund të bësh luftë vetëm nga ajri. Ajo që është shumë interesante për t’u ndjekur është: pse evropianët duan luftë? Pse Evropa duket sikur po shtyn drejt një përplasjeje me Rusinë? Unë mendoj se në gjenezë, në “DNA”-në e përpjekjeve për luftë, qëndron teoria e famshme e Hartlandit dhe Rimlandit. Hartlandi shtrihet nga Gjermania, Ukraina, Rusia dhe deri në Kinë. Sipas teorisë së Mackinder, kush kontrollon këtë zonë, kontrollon gjithë botën. Dhe nëse Rusisë i lejohet kontrolli mbi Ukrainën, bëhet një fuqi e madhe për shkak të burimeve natyrore dhe rrugëve të lëvizjes ekonomike dhe tregtare. Kështu, britanikët kanë qenë gjithmonë të interesuar për Rimlandin, një brez që shtrihet nga Ballkani deri në Japoninë, Kamçatka. Turqia luan një rol të jashtëzakonshëm në këtë zonë, sepse që nga Bosfori deri në Kinë janë zona me popullsi që flasin variante të ndryshme të gjuhës turke, rreth 400 milionë njerëz. Ky rol i Turqisë është jashtëzakonisht i rëndësishëm edhe në raportet me Izraelin apo me Shqipërinë. Ku duhet të kemi kujdes ne? Të mos biem viktimë e lojërave të megallomanisë në marrëdhënie me këto shtete.", përfundon Bimo./K.C/dritare.net
