Pse Rama viziton Izraelin përpara luftës me Iranin! Flet ambasadori Roland Bimo!
Dritare.net

I ftuar në emisionin Shqip nga Dritan Hila në DritareTV, ambasadori Roland Bimo komentoi vizitën e Kryeministrit Edi Rama në Izrael, duke e cilësuar si një ngjarje të rëndësishme, por me përfitime të kufizuara për Shqipërinë.
“Vizita e kryeministrit Rama është një ngjarje e shënuar për jetën e tij personale dhe karrierën politike, si dhe për marrëdhëniet mes dy vendeve. Por, nëse shikojmë përfitimet reale për Shqipërinë, mund të them se janë minimale,” tha Bimo.
Ai nënvizoi se për Izraelin, vizita përkon me një moment të vështirë për reputacionin ndërkombëtar. “Në terma të përfitimeve konkrete, unë do të thosha se Shqipëria nuk përfiton pothuajse asgjë, ndërsa Izraeli ndodhet në një pikë të ulët sa i përket reputacionit global. Ka humbur çdo lloj lufte propagandistike, dhe narrativi ndërkombëtar është jashtëzakonisht kundër IzraelitNë Shtetet e Bashkuara, mbështetja për Izraelin ka rënë ndjeshëm: nëse para tre-katër vjetësh kishte rreth 50% mbështetje, sot simpatia amerikane është më shumë për palestinezët sesa për izraelitët.” shtoi ambasadori.
Bimo komentoi edhe mënyrën se si Izraeli po përpiqet të menaxhojë imazhin e tij global: “Kryeministri izraelit ka angazhuar gjithë lobin për të influencuar mediat dhe rrjetet sociale. Edhe drejtues të kompanive të mëdha kanë sugjeruar të rishikohen liritë e shprehjes në Amerikë për shkak të perceptimeve negative mbi Izraelin.”
Sipas tij, Shqipëria, së bashku me Serbinë dhe Shtetet e Bashkuara, janë ndër vendet ku Izraeli pritet dhe trajtohet më mirë. Megjithatë, ambasadori Bimo vuri në dukje një hendek mes imazhit që kemi për veten tonë dhe perceptimit global. “Ne mund të shikojmë veten si më të mirët, por si na shikojnë të tjerët, sidomos në Afrikë, Azinë Juglindore dhe Amerikën Latine, është një tjetër çështje.Një pjesë e konsiderueshme e popullit izraelit mbështet politikat që janë kundër Palestinës, dhe kryeministri izraelit është aktualisht nën hetim nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime të Luftës. Nga ky këndvështrim, për ta është shumë e rëndësishme që udhëheqësi të ketë një reputacion ndërkombëtar, ndërsa Shqipëria nuk duket se përfiton ndonjë gjë të madhe.” tha ai./K.C/dritare.net