
Ted Turner, një nga figurat më me ndikim në historinë e medias dhe themeluesi i CNN, ka ndërruar jetë në moshën 87-vjeçare. Sipas një njoftimi nga Turner Enterprises, ai iku në paqe, i rrethuar nga familja.
I lindur në Ohio dhe i rritur në Atlanta, Turner u bë i njohur si një sipërmarrës i guximshëm dhe shpesh kontrovers, i cili ndryshoi përgjithmonë mënyrën se si transmetohen lajmet. Në vitin 1980, ai themeloi CNN, rrjetin e parë televiziv 24-orësh të dedikuar ekskluzivisht për lajme, duke sjellë një revolucion në industrinë mediatike globale.
Përveç CNN, Turner ndërtoi një perandori mediatike që përfshinte kanale të njohura si Turner Broadcasting System, si dhe investime në sport, përfshirë ekipet Atlanta Braves dhe Atlanta Hawks.
I njohur me nofkën “The Mouth of the South” për stilin e tij të drejtpërdrejtë, Turner ishte gjithashtu një filantrop i shquar. Ai themeloi United Nations Foundation dhe ishte një aktivist për çarmatimin bërthamor dhe mbrojtjen e mjedisit. Ai kontribuoi edhe në rikthimin e bizonëve në Perëndimin Amerikan dhe krijoi serialin edukativ “Captain Planet”.
Në vitin 1991, Turner u shpall “Njeriu i Vitit” nga revista Time për ndikimin e tij global në informimin e publikut. Më vonë, ai shiti rrjetet e tij tek Time Warner, por gjithmonë e konsideroi CNN si arritjen më të madhe të jetës së tij.
Turner zbuloi në vitin 2018 se vuante nga demenca, një sëmundje progresive e trurit. Në fillim të vitit 2025, ai ishte shtruar në spital për pneumoni të lehtë, nga e cila ishte rikuperuar. Ai lë pas pesë fëmijë, 14 nipër e mbesa dhe dy stërnipër.
Vdekja e tij shënon fundin e një epoke për gazetarinë moderne dhe televizionin global./K.C/dritare.net