
Nisma e Sami Frashërit që duhet të rikthejmë për të nxitur dijen. Flet gjuhëtari!
Dritare.net
Gjuhëtari Xhevat Lloshi në Shqip nga Rudina Xhunga, në DritareTv propozoi që në vendin tonë të hyjnë librat e xhepit, të cilat duhet të shiten për të gjithë nxënësit në mënyrë që të nxitet dija.
Zoti Lloshi theksoi se kjo lloj metode është bërë edhe nga intelektuali shqiptar Sami Frashëri, 150 vite para, e cila ndihmon nxënësit që të përthithin dijen mbi shkencën më lehtë.
“Më shumë se një shekull para francezët kanë krijuar një tip botimi që quhen librat e xhepit. Për shembull sot një shtëpi botuese franceze ka botuar 120 libra xhepi për të gjitha fushat e dijes, me çmim të lirë. Edhe ne në Shqipëri duhet bërë një gjë e tillë, shteti të paguajë, të investojë.
E ka bërë edhe Sami Frashëri 150 vite para, të gjitha ato librat që ka shkruar, Toka, Gjuha, Njeriu etj, i ka marrë nga broshurat e kohës franceze dhe i ka bërë në gjuhën turke në mënyrë të mrekullueshme.
Pse sot nuk investon shteti, ministria e Arsimit dhe Kulturës? Këto dy ministri duhet të kërkojnë që të merren 100 libra të xhepit të Francës dhe të botohen. Për shembull një libër për Hënën. Pse? Çfarë di sot shkenca për Hënën është e pabesueshme, këto të prezantohen në libër. Shteti të investojë, të botojë, të dalin libra me çmim të libër dhe nxënësit t’i kenë lexim jashtë klase. Këto libra duhet të jenë në çdo shkollë. Ti shesin për vetëm 1 euro, t’i çojmë edhe në Itali, Greqi, tek diaspora që çdo nxënës të lexojë”, tha gjuhëtari./M.K-dritare.net

















